Sekti shi’a dhe Imam Mehdiu

23.12.2013

Sekti shi’a dhe Imam Mehdiu


Sekti shi’a dhe Imam Mehdiu

Sektarizmi islam u shfaq brenda disa dekadave nga vdekja Pejgamberit (s.a.v.s.) kur lindi sekti Shi’a. Besimi më i çmuar nga të gjithë besimet e tyre lidhur me profecinë është ai mbi të shfaqurit përfundimtar të një pasardhësi nga Pejgamberi (s.a.v.s.) i njohur si Imam El-Mehdi, i cili do t’i udhëheqë muslimanët drejt fitorës ndaj atyre që po zhvillojnë luftë kundër Islamit. Vetë Pejgamberi (s.a.v.s.) qartazi profetizoi mbi një ngjarje të tillë që do të ndodhte, kështu që edhe sunnijtë edhe shiitët i janë mbështetur fuqishëm kësaj profecie. Shiitët po ashtu besojnë se ardhja e Imam Mehdiut do ta vërtetojë pretendimin e tyre sektar ndaj të vërtetës brenda Islamit.

Megjithatë, Pejgamberi Muhammed (s.a.v.s.) në mënyrë të qartë tregoi se ardhja e Imam Mehdiut do të ndodhte në një kohë të njëjtë me rikthimin e Mesihut të vërtetë, pra Isait (a.s.), djalit të Merjemes:

“Si do të jeni ju (d.m.th., sa kohë e mrekullueshme do të jetë për ju) kur të zbresë djali i Merjemes në mesin tuaj dhe Imami juaj (d.m.th., Imam Mehdiu) do të jetë nga ju (mesi juaj).”

(Sahih El-Buhari)

Kjo profeci në lidhje me një kohë kur Imami (d.m.th., udhëheqësi) i muslimanëve do të jetë nga mesi i tyre, jep shenjë që për disa kohë para ngjarjes së tillë, muslimanët do të udhëhiqen nga jo-muslimanët. Me fjalë të tjera, bota islame do ta humb lirinë e saj për vetqeverisje. Ndoshta e tërë bota post-halifatike sunnite sot sundohet (me autorizim) nga sundimtarët europianë çifuto-krishterë të botës. Ata i detyrojnë të ashtuquajturat qeveri (sunnito) muslimane drejt një gjendje të tillë nënshtrimi, saqë ato vende bëhen shtet-kliente të Perëndimit. Sot është gati e pamundur që ndonjë komunitet musliman sunni të shpëtojë nga mbërthimi i tyre i egër dhe që ta rikthejë vetqeverisjen e tillë të pavarur, e cila do t’i çlironte ata nga influenca dhe kontrolli politiko-ekonomik i çifutëve dhe krishterëve.

Në anën tjetër, Irani shiit ka pohuar se revolucioni i suksesshëm islamik iranian e ka nxjerrur këtë shtet nga sfera e influencës dhe e kontrollit të sundimtarëve jo-muslimanë të botës. Sa kohë që Irani shiit të vazhdojë që suksesshëm ta sfidojë Perëndimin (Imam Homeini e demonizoi SHBA-në, pra në mënyrë të duhur, si “Djalli i Madh”), ndërsa e mbron një deklarim të besueshëm mbi vetqeverisje të pavarur, shiitëve do t’iu duhet që të pranojnë se një Imam ose udhëheqës valid nga përbrenda komuniteti i tyre është duke udhëhequr mbi ta. Nënkuptimet brenda kontekstit të hadithit të lartëshënuar lidhur me ardhjen e Imam Mehdiut dhe rikthimin e Isait (a.s.) duhet të jenë të kuptueshme në lidhje me pretendimin e shiinjve ndaj të vërtetës.

Hadithi i lartëshënuar po ashtu na bën të qartë se ardhja e Imam Mehdiut nuk mund të ndodhë derisa të afrohet koha për rikthimin e Isait (a.s.). Por, Isai (a.s.) nuk mund të rikthehet derisa Dexhxhalli, Mesihu i rremë, ta ketë kompletuar misionin e tij në të imituarit e Mesihut të vërtetë. Dhe Dexhxhalli nuk mund ta kompletojë këtë mision derisa Toka e Shenjtë të çlirohet për çifutët dhe çifutët izraelitë të rikthehen nga ekzili në Tokën e Shenjtë për ta përvetësuar sërish atë.

Vetë Kur’ani ka deklaruar në Suren El-Enbija: 94-95 se një rikthim në ‘qytezën’, nga e cila ata qenë dëbuar (ne e njohim atë qytet si Jeruzalemi), do të ndodhë vetëm kur dy gjëra të kenë ndodhur:

  • Kur Gogu dhe Magogu të çlirohen dhe
  • të jenë shpërndarë në të gjitha drejtimet.

Tani që izraelitët janë rikthyer për ta rimarrë Tokën e Shenjtë sërish, duhet të jetë e qartë se pretendimi sektar shiit mbi të përfaqësuarit e Islamit të vërtetë nuk mund të jetë i vlefshëm në mungesë të demonstrimit mbi të kuptuarit dhe të depërtuarit në subjektet e Gogut dhe Magogut, si dhe Dexhxhallit. Bota vazhdon të presë vepra të mirëfillta shkencore shiite mbi këto subjekte, duke qenë se këto ndikojnë në botën moderne.

Shkruan: Imran N. Hosein

Përktheu nga anglishtja: Daim Abazi /KBI-Bujanoc.com/

935 Shikime