18.06.2023
DHËNIA E QAFËS MES’H NË ABDES ËSHTË VEPRIM I PREFERUAR ( MUSTEHAB )

www.kbi-bujanoc.com
Sipas medhhebit Hanefij, dhe të gjithë dijetarëve të tij, dhe një transmetin nga Imam Ahmed ibnu Hanbeli i medhhebit Hanbelij, dhe një mendim i medhhebit Shafij, janë se dhënia e qafës MES’H në abdes, është MUSTEHAB, pra veprim i preferuar. Kurse ka edhe mendime të argumentuara se është në kategori SUNET.
Ndërsa ka edhe mendime të tjera të medhhebeve dhe dijetarëve se është veprim i papëlqyer.
Dhënien mes’h qafës si veprim MUSTEHAB apo SUNET e gjejmë te të gjitha librat bazë të medhhebit Hanefij si :
1. Redul Muhtar i ibnu Abedin,, pjesa 1. Faqe 247
2. El ihtijar li taëlil el muhtar pjesa 1. Faqe 15
3. Merakil felah,, faqe 34
4. Mevsuatul Fikhul Islami pjesa 1. Faqe 348
5. El’lubab fi sherhil kitab pjesa 1.
6. El fikhul hanefij fi thevbihil xhedid pjesa 1. Faqe 79
7. Fikhu suneh. Sejid Sabik. Pjesa 1. Faqe 37
Pastaj në shqip:
8. Margaritari në detin e Fikhu ibadatit dr. Ilmije Kuqi, pjesa 1. Faqe 131, me një përmbledhje shumë të mirë të të gjitha argumenteve.
Dhe të gjitha librat e tjera të medhhebit hanefij dhe dijetarëve të tjerë.
Të gjithë këta kanë transmetuar disa hadithe të Muhamedit s.a.v.s. të cilan nuk janë kategori e hadithit Sahih, por kategoritë e haditheve këtu janë plotësisht të mjaftueshem për të llogaritur Mes’hin e qafës veprim të preferuar, apo edhe sunet.
Ndër hadithet kryesore që janë argumentuar janë:
1. Transmeton Ibnu Musarrif r.a. nga babai i tij se gjyshi i tij ka thënë:
“ E kam parë Pejgamberin s.a.v.s. duke i dhënë mes’h kokës një herë, deri sa arriti në fund të kokës (qafës mes dy veshëve) dhe atë që e pason atë nga pjesa e përparme e qafës “.
/ Transmeton Ahmedi, nr. 15951, 25/301. /
2. Transmeton Abdullah ibnu zejd se Pejgamberi s.a.v.s. i ka dhënë mes’h kokës së tij me duart e tij, nga fillimi i kokës dhe i ktheu duart përsëri. Filloi me pjesën e përparme të kokës, deri arriti me to deri te fundi i qafës. Pastaj i ktheu duart nga vendi ku filloi.
/ Transmeton Buhariu /
3. Trandmeton Nafië, se ibnu Omeri r.a. ka thënë:
“ Kush merr abdest dhe i jep mes’h qafës me duart e tij, është i mbrojtur nga etja e madhe ditën e kijametit “.
/ Transmeton Ebu El-hasen ibnu Faris me senedin e tij dhe thotë: Ky hadith është sahih inshaallah, siç thuhet në El-Bedru El-Munir, 2/223 dhe Telhisu El-habir, 1/288. /
4. Kasim ibnu Abdullahi transmeton se Musa ibnu Talha r.a. ka thënë:
“ Kush merr abdest dhe i jep mes’h qafës me duart e tij, është i mbrojtur nga etja e madhe ditën e kijametit “.
Transmetues: / Eddejelmij në Elfirdevs me kategori Daif. Ettahuru i Kasim ibnu Selamit nr. 368. 1/374. Ibnu Haxheri në Telhisul El-habir 1/288. dhe transmetues të tjerë /. (.. dhe kanë thënë hadith mevkuf, deri në shkallën merfuë ). /
5. Po ashtu Talha ibnu Musarrifi r.a. transmeton nga babai i tij se gjyshi i tij ka thënë:
“ I dërguari i Allahut s.a.v.s. mori abdest, e lau gojën tri herë, po ashtu edhe hundën tri herë, për secilën herë mori ujë të ri, pastaj e lau fytyrën dhe kur i dha mes’h kokës, e përshkoi me duart e tij pjesën e parme të kokës derisa me to arriti deri në fund të qafës së tij nga ana e prapme e qafës” . / Mu’xhem El-Kebir, nr. 409, 19/180 /.
6. Transmetohet nga Muavidh ibnu Afvani r.a. i cili thotë:
“ Pejgamberi s.a.v.s. kur mori abdest, i dha mes’h kokës me ujin e mbetur që ishte në dorën e tij. Ai filloi me fundin e kokës, pastaj e tërhoqi deri te qafa, mandej e tërhoqi deri të fundi i saj “.
/ Muëxhem El Evsat, nr. 2389, 3/35. /
Të gjitha këto hadithe janë filtruar mirë nga të gjithë këta dijetarë kompetent e ligjvënës të sheriatit islam, dhe kanë përfunduar se, dhënia mes’h e qafës është veprim i mirë me dispozitën MUSTEHAB (veprim i preferuar), që shpërblehet ai që e bën. Kurse disa prej tyre e kanë ngritur mes’hin e qafës në dispozitën SUNET. E nëse nuk e bën, nuk ka as sevap e as mëkat.
Për këtë çështje, janë transmetuar një numër hadithesh gojore dhe vepruese. Shumica e tyre janë hadithe të dobëta, por që janë të mjaftueshme për të vepruar në veprimet e vyrtytit (fadail el eamal), siç e kemi këtu rastin e dhënies mes’h të qafës.
Në fikhu suneh të Sejid Sabik thuhet: Nuk kemi hyrë në diskutimin e lëvizjes së unazës, mes’hit të qafës etj, sepse hadithet aty nuk janë sahih, edhe pse me ato hadithe veprohet për të plotësuar pastërtinë.
Mr. Ragmi Destani
412 Shikime