MIRAXHI – ARGUMENT PËR EKZISTENCËN E ZOTIT DHE TË BOTËS TJETËR

23.02.2023

MIRAXHI – ARGUMENT PËR EKZISTENCËN E ZOTIT DHE TË BOTËS TJETËR


MIRAXHI – ARGUMENT PËR EKZISTENCËN E ZOTIT  DHE TË BOTËS TJETËR

www.kbi-bujanoc.com

Ngjarja e Israsë dhe Miraxhit është ndër tri ngjarjet më të rëndësishmë në fenë islame, e ato janë:

Shpallja e Kuranit, Israja dhe miraxhi dhe shpërngulja në Medine.

Ngjarja e Israsë dhe Miraxhit është udhëtimi që ia mundësoi Allahu i lartëmadhëruar Muhamedit a.s. prej Mekës në xhaminë e Kudsit në Palestinë, e pastaj deri në sferat më të larta qiellore, dhe deri në takimin e tij me Zotin e lartëmadhëruar (sipas shumicës së dijetarëve Muhamedi a.s.

e ka pa Zotin).

Allahu për këtë në Kuran thotë: “ Pa të meta është Lartëmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabes) gjer në Mesxhidi Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamësi (i punëve të Muhamedit). El Israë - 1

Ky ajet kuranor është baza e jonë për vërtetësinë e kësaj ngjarje, e kur vjen argumenti nga Kurani për vërtetësinë e ndonjë gjëje, nuk mbetet për ne gjë tjetër përveç që ta besojmë këtë, sepse kjo vjen nga Allahu i lartëmadhëruar , dhe nuk ka vend për mendjet tona që të hulumtojmë me ligjet tona tokësore e njerëzore, për ti kuptuar veprimet hyjnore të Allahut xh.sh.

Pra kur vjen diçka nga Allahu, është obligim për çdo musliman që ti nënshtrohet asaj dhe ta besojë dhe pranojë.

Ky ajet tregon ndoshta edhe arsyen kryesore të kësaj ngjarje kur Allahu thotë: “... për ti treguar atj (Muhamedit) nga argumentet tona ...”.

Pra që Muhamedi s.a.v.s. ti sheh argumentet e Zotit në hapsirë, ti sheh krijesat e ndryshme të Zotit, ta sheh botën e padukshmërisë, ta sheh Allahun e lartmadhëruar dhe ne të bindemi për ekzistencën dhe fuqinë absolute të Tij.

Ta sheh xhenetin dhe shpërblimet e njerëzve aty që të na motivon neve për adhurim ndaj Zotit dhe raporte të mira dhe sjellje të mirë ndaj njerëzve, ta sheh xhehenemin dhe dënimet e njerëzve aty që të na largon neve nga devijimet në besim dhe bindje dhe zullumet ndaj njerëzve, ta sheh botën pas vdekjes etj.

Të gjitha këto t’i sheh Muhamedi s.a.v.s. dhe të na tregon neve për ekzistencën e gjithë kësaj, dhe ne të besojmë dhe bindemi edhe në aspektin fizik, se dikush i ka pa këto dhe ato ekzistojnë.

Dhe që askush të mos ketë arsye për mohimin e tyre, se kinse nuk i shohim ato dhe s’mund ta besojmë ekzistencën e tyre !!

Kjo neve na lehtëson bindjen dhe besimin në ekzistencën e tyre, nga pamja fizike e Muhamedit s.a.v.s. dhe e mbyllë çdo dilemë për çdo lloj dyshimi.

Israja dhe miraxhi edhe pse në logjikën e parë të njeriut duket pak sa iracionale mirëpo ajo pasi që vërtetohet me anë të Kuranit atëherë neve nuk na mbetet përveç që ta besojmë atë sepse është prej Zotit. Ajo pra përshkruhet me ajete kuranore dhe hadithe të Muhamedit a.s.

Ngjarja e Israsë dhe miraxhit, është një ngjarje për mendje të mëdha, është ngjarje për mendje të qeta, është ngjarje për mendjet intelektuale, kurse për lexuesin e rëndomtë është ajo që e thamë në fillim, diçka iracionale.

Për të kuptuar këtë ngjarje duhet të jetë një mendje e madhe, duhet të jetë një mendje intelektuale dhe e qetë , që të nxjerrë konkluzat dhe rezultatet që dalin nga kjo ngjarje.

Ajo i tërheq vëmendjen mendjes së njerëzve në tërësi, sepse ekzistojnë shumë gjëra në ekzistencë të cilat janë mbi nivelin e mendjes (kapacitetin). Dhe nuk do të arrijë mendja asnjëherë që ti kapë ato përveç se me ndihmën e anës qiellore.

Këtu Zoti e sfidon mendjen e njeriut, sepse këtu nuk ka paralele mes mendjes së njeriut dhe Zotit, megjithate Zoti i tregon mendjes së njeriut, se po të mos ishe e ndihmuar nga ana e Zotit, shumë gjëra nuk do ti kishim ditë , sikur pra i thotë mendjes se është diçka mbi ty, e Ai është Zoti krijuesi i mendjes.

Muhamedi a.s. me këtë veprim i drejtohet mendjeve të mëdha dhe njerëzve të mençur që ti thotë se me mençurine dhe diturinë tuaj , ju jeni shumë të kufizuar në krahasim, me atë që është në ekzistencë.

NDODHITË QË MUND TI SHFRYTËZOJMË PËR ANALIZË NË KËTË NGJARJE

- ISRAJA DHE MIRAXHI NDIHMË PREJ ZOTIT

Israja dhe miraxhi vjen ndihmë prej Zotit Muhamedit a.s., pasi që ai i shfrytëzoi të gjitha mundësitë e tij si njeri, e kur nuk i mbeti mundësi tjetër për të shfrytëzuar, vie ndihma e Zotit. Kjo na bënë të kuptojmë se njeriu për të arritur në synimet e tij duhet ti shfrytëzon të gjitha shkaqet dhe mundësit, e nëse nuk ka sukses , e insisitimi dhe nevoja është e madhe, vetëm atëherë të kërkoj prej Zotit ndihmë, dhe këtu me siguri vie ndihma.

Kështu veproi Muhamedi s.a.v.s. pas shumë vështirësive e provoi edhe shpërnguljen në Taif, e kur nuk arriti atë që dëshironte, iu drejtua Zotit dhe fitoi Miraxhin.

- KOMUNIKIMI MES QIELLËS DHE TOKËS

Komunikimi mes njerëzve dhe Zotit ekziston, komunikim indirekt me anë të përfaqësimeve.

Nga ana e Zotit përfaqëson kryemeleku Xhibrili, kurse nga ana e njerëzve përfaqëson pejgamberi (qoftë Muhamedi a.s. ose Pejgamberët e tjerë), e ne në këtë rast e kemi Muhamedin a.s..

Në takime zyrtare nuk e marrim gjithë popullin por dërgojmë përfaqësues dhe me palën tjetër nuk takohemi me gjithë ministrinë apo komunën, por me udhëheqësin e tyre, që e përfaqëson atë institucion. Kontakti mes qiellës dhe tokës pra ishte kontakt direkt nëpërmjet përfaqësuesve, mes Xhibrilit nga ana e Zotit dhe Muhamedit a.s. nga ana e njerëzve.

Këto takime ishin të shpeshta sepse xhibrili për 23 vite e zbret Kuranin te Muhamedi a.s., dhe e shoqëron Muhamedin a.s. në natën e miraxhit gjatë gjithë udhëtimit derisa e kthen përsëri në Mekë. Kurse në këtë ngjarje kemi takimin direkt mes Zotit dhe përfaqësuesit të njerëzve Muhamedit s.a.v.s.

- MUHAMEDI S.A.V.S. NË XHAMINË E KUDSIT U TAKUA ME TË GJITHË PEJGAMBERËT

Këtu është një analizë interesante që tregon për barazinë e njerëzve dhe popujve pavarësisht fesë nga feja, kulturës nga kultura, civilizim nga civilizimi, Allahu këtu i bënë së bashku të gjithë Pejgamberët (përfaqësuesit e popujve), kurse Muhamedi a.s këtu i udhëheq të gjithë pejgamberët në një namaz.

Kjo tregon se islami nuk është që fton për përplasje qytetërimesh, por dialog dhe bashkëjetesë mes qytetërimeve. Ideja e bashkëjetesës dhe tolerancës mes njerëzve dhe kulturave të ndryshme, është nje ide themelore e besimit të fesë islame.

- TAKIMI MES NJERIUT DHE ZOTIT

Kulminacioni i kësaj ngjarje është takimi mes njeriut dhe Zotit. Muhamedi a.s. në këtë takim u takua dhe u pa me Zotin. Këtu është një argument shumë i madh. Të gjithë e dimë se e kemi mësue në shkolla por edhe jashtë saj është thënë shumë për mosekzistencën e Zotit, dhe kjo duke u arsyetuar se askush nuk e ka pa Zotin.

Bota sot ka 7 miliardë njerëz, rreth 4 miliardë njerëz nga fetë qiellore musliman, të krishterë dhe hebrenje, e njohin Zotin dhe besojnë ekzistencën e tij, kurse rreth 3 miliardë njerëz nga të ashtuquajturat fe tokësore nuk e njohin Zotin dhe nuk e besojnë ekzistencën e tij.

Ky 3 miliardë dhe e gjithë filozofia dhe të gjithë ata që nuk kanë besuar dhe nuk besojnë në ekzistencën e Zotit, dhe të gjitha ato ideoligji dhe teori për mosekzistencën e Zotit; ne i themi atyre se dikush prej neve njerëzve është pa dhe takuar me Zotin, dhe nuk kane arsye të thonë se nuk ka Zot sepse se ka pa askush prej njerëzve.

Israja dhe miraxhi po të ishte lexuar nga këta njerëz mirë e mirë nuk do të ishte diskutuar asnjëherë ekzistenca e Zotit, për arsye se derisa përfaqësuesi i njerëzve është pa dhe është takuar me Zotin, pastaj ka marrë edhe një dhuratë prej Zotit (namazin), atëherë nuk ka vend , e as nuk ka pasë kurrë që të thuhet se nuk ka Zot.

Ky pra është një argument shumë i fuqishëm, për arsye se ekzistenca e Zotit u dëshmua me takimin e Muhamedit a.s., domethënë mes përfaqesuesit të njerëzve dhe Allahut të lartëmadhëruar.

- JETA PAS VDEKJES EKZISTON

Një argument tjetër këtu është se: Bota dhe jeta pas vdekjes ekziston, pra bota tjetër që e përmendim shumë ekziston, po të mos ekzistonte kjo, Muhamedi a.s. nuk do ta kishte parë, me qenë se ai e ka parë dhe e ka vizituar dhe na ka treguat shumë gjëra për këtë, atëherë kjo është një argument shumë i fortë për ekzistimin e botës tjetër. (ai ka pa xhenetin xhenemin denimet- shperblimet etj). Për këto ka shumë hadithe të Muhamedit a.s.

Shumë herë kur flitet për botën tjetër, ka njerëz që thonë se a mos është kthyer dikush nga atje që të na tregon për ekzistencën e saj, asnjëherë nuk ka ndodhë kjo?

Ne do ti themi Po. Ka qenë dikush, i ka vizitue dikush, ka pa dikush, na ka tregue neve, dhe ne sot po i transmetojmë ato që na ka tregue ai që i ka vizitue dhe i ka pa.

Muhamedi a.s. e ka viziue pjesën e botës tjetër që do ta jetojmë edhe ne, i ka pa përfundimet e tona në natën e miraxhit. Ky është një argument tjetër që nuk len vend për diskutim se a ekziston jeta pas vdekjes apo jo. Apo bota tjetër a është një realitet apo është një iluzion, apo diçka tjetër.

- SHPËRBLIMET DHE DËNIMET

Prej argumenteve tjera është : Vërtetimi i shpërblimeve me xhenet për vepërmirët, gjithashtu edhe vërtetimi i dënimit nga ana e Zotit me xhehenem për vepërkëqinjët.

Muhamedit a.s. iu mundësua që t’a sheh një gjë të tillë, dhe me qenë se këtu kemi sy që e ka pa, dhe ky është përfaqësuesi i njerëzve në konakt me Zotin, atëherë vërtetohet se këto ekzistojnë, e nuk guxojmë të themi se kush e di se a ekzistojnë këto, sepse përfaqësuesi i njerëzve pikërisht në këtë natë e ka pa, i ka vizitue dhe ka bërë shpjegime dhe komente për këto.

- ZBULIMI I HAPSIRAVE TJERA

Një argument tjetër gjithashtu është një e vërtetë shkencore që vërteton se përveç hapsirës tonë që ne e shohim ka edhe hapsira tjera që shkenca i ka vërtetuar shumë vonë. Kurse neve si musliman Muhamedi a.s. para 1400 viteve na treguar se jashtë hapsirës tonë janë edhe gjashtë hapsira tjera, dhe pastaj është ajo (sidretul munteha) e cila ne për të nuk kemi qasje , vend që i ndalohet gjithkujt qasja atje përveç se Zotit.

Domethënë se po të ishte studijuar mirë shkenca e astronomisë nga shkenctarët e kësaj lamie, ne do ti kishim këto zbulime shumë më herët, por Kurani ka dashtë që ai të jetë udhërrëfyes për këtë të vërtetë me anë të pamjes së syrit të njeriut, pra Muhamedit a. s.

Ne këtu kemi rrëfimin nga ai që i ka vizituar dhe i ka parë të gjitha këto hapsira, bile edhe hapsirën që nuk kanë qasje aty as engjujt, as kryemeleku Xhibrili a.s.

Në pamundësi për të gjithë besimtarët që të kenë një takim me Zotin siç ishte ai i Muhamedit a.s.

Si dhuratë për besimtarët që të besojnë në rrëfimin e Muhamedit a.s. për pamjen e tij Zotin dhe takimin me Të dhe si nderim për besimtarët nga Allahu i lartëmadhëruar, dhe që të llogaritet një kontakt mes besimtarëve dhe Zotit në mënyrë të përditshme, Allahu i lartëmadhëruar e nderon Muhamedin a.s. me namazin.

Ai e obligon me 50 namaze, por pas kërkesës së Muhamedit a.s. për zvogëlim të numrit të namazeve, se besimtarët mund ta kenë vështirë ketë, Allahu i gjithmëshirshëm e zvogëlon numrin e namazeve në 5 namaze por nuk e zvogëlon vlerën dhe shpërblimin, kështu që besimtarët kur falin 5 namaze në ditë ata e marrin sevapin e 50 namazeve, ashtu siç ishte obliguar për herë të parë.

Pastaj për hirë të namazit që llogaritet një namaz me dhjetë namaze, Zoti për besimtarët e bëri që çdo punë e mirë që e bëjnë ata, të llogaritet dhe shpërblehet me dhjetë.

- ZBULIMI I SEKRETIT TË BESIMIT NË PADUKSHMËRI

Israja dhe Miraxhi zbulon sekretin e besimit në padukshmëri. Allahu xh. sh. në kaptinën e dytë në Kuran Thotë: “ ... ata të cilët e besojnë të fshehtën .. “ El Bakare 2.

Është padukshmëri për neve por është realitet sepse dikush e ka pa, dhe ai që e ka pa, ne e kemi obligim dogmatik që ti besojmë atij, e ai është Muhamedi a.s. dhe ai që na tregon për Isranë dhe Miraxhin është Zoti i Muhamedit a.s dhe vetë Muhamedi a.s.

Për këtë, besimi në padukshmëri e ngrit shumë vlerën e besimtarit para Zotit.

Ne e besojmë Zotin pa e pa, por pëfaqësuesi i jonë e ka pa dhe ne i besojmë atij. Ne besojmë edhe shumë gjëra të botës tjetër pa i pa, por i besojmë në besimin që obligohemi prej Zotit dhe në atë që e ka pa Muhamedi a.s. e na ka tregue edhe neve.

- DHE PËR FUND; udhëtimi i Israsë dhe Muraxhit nuk është thjeshtë vetëm një udhëtim për të hequr mërzinë dhe lodhjen e Muhamedit a.s., por më shumë se kaq ishte një udhëtim që len të kuptojmë shumë gjëra pas kësaj ngjarje, kjo për qëllim që Muhamedi a.s. por edhe ne, të kemi vizion më të gjerë dhe të dalim nga ngushtësia të cilën ndodhemi në gjërësinë dhe hapsirën e gjithësisë.

Planetet dhe yjet e shumtë që ekzistojnë me miliona vite të dritës, Muhamedi a.s. i kaloi vetëm për disa çaste. Me këtë Zoti sikur na thotë neve: Shpikni çfarë të doni por kurrë mos u tregoni arrogant dhe mendjemëdhenj me mjetet e shpikura pasi që ato kurrë nuk mund të krahasohen me atë që ka krijuar Zoti.

Kërkojmë nga të gjithë që ta lexojnë me vëmendje ngjarjen e Israsë dhe Miraxhit që me anë të kësoj do ta kuptojmë sekretin e ekzistencës dhe shumë gjëra të tjera që mendja vetvetiu asnjëherë nuk do të ishte e aftë për ti kuptuar ato.

MR. RAGMI DESTANI

Fusnotat:

Israja dhe Miraxhi – Muhamed muteveli Sha’ravi – Etturath el islami , Kairo

Mrekullia e madhe – Muhamed muteveli Sha’ravi – Ahbar eljevm , Kairo

Fikh essire – DR. Ramadan El Buti , - Dar el-fikr - Damask. Botimi i dytë 1980

Gjurmëve të të dashurit tonë – dr. Amr Halid, SHB Furkan , Shkup 2010 (liber i përkthyer)

Nur el jekin – Muhamed el hudri bek – ihjaë etturath elarabi Bejrut.

460 Shikime