31.10.2022
Kultura e Muhammedit a.s. dhe sjellja e tij në familje dhe shoqëri

www.kbi-bujanoc.com
Muhammedi a.s. është një personalitet, i cili, me mësimin, udhëzimin dhe kulturën e tij, është tejkohor dhe shëmëlltyrë për të gjithë kohët dhe botët. Le t’i hapim disa dritare dhe të shikojmë pak më afër karakterin dhe mirësjelljen e tij të bekuar dhe të krahasojmë veten me të. E di, e kemi të vështirë të arrijmë piedestalin që e arriti ai, por besoj, gjithashtu, se është e mundur të ndiqet pa shumë vështirësi rruga e tij. Sepse të tillë e bëri vetë Zoti i gjithësisë. Pra, si ishte Pejgamberi i mëshirës, Muhammedi a.s.?
- Ishte tepër i vëmendshëm dhe i turpshëm
Ebu Seid El-Hidriu r.a. ka thënë: “Kur nuk i pëlqente diçka Muhammedi a.s., kjo vërejhej shpejt në fytyrën e tij.” Pejgamberi i Zotit e dëshmoi sjelljen më të mirë me vetë shembullin e tij.
2. Nuk kritikonte askënd direkt
Thoshte: “Çfarë mendoni për një njeri që vepron kështu e ashtu? Ose thoshte: “Ç’ndodh me njerëzit që veprojnë në këtë apo në atë mënyrë?!”
3. Nuk kishte dëshirë të dallohej prej të tjerëve
Angazhohej sikur të gjithë tjerët dhe punonte me duart e tij. Thoshte: “E di që do ta bënit punën time, por ja që unë dua të mos dallohem nga të tjerët. Me të vërtetë Allahu nuk e do një njeri që dëshiron që të veçohet nga grupi, nga shoqëria.”
4. Ishte besnik dhe e ruante amanetin
Përpara se të shpallej si pejgamber, në popull njihej me njofkën “El-Emin – Besniku”. Një ditë Ebu Xhehli i tha: “Ne nuk të konsiderojmë ty genjeshtar, por mendojmë se ajo që të shpallet ty është gënjeshtër.”
5. Ishte i lehtë dhe njerëzve ua lehtësonte çështjet
Hz. Aishja r.a. thotë: “Kur Muhammedi a.s. kishte dilema dhe duhej të zgjedhte ndërmjet dy problemeve apo çështjeve, gjithnjë e zgjedhte më të lehtën, nëse nuk kishte gjynah në të.”
6. I dëgjonte të tjerët dhe nuk ishte i bezdisshëm
Muhammedi a.s. kishte kulturën e dëgjimit dhe i kushtonte vëmendje bashkëbiseduesit. I dëgjonte të tjerët dhe nuk u ndërhynte në biseda. Kurse, kur ai folte, nuk e tepronte, nuk zgjatej shumë dhe fjalimet e tij, kryesisht, janë të shkurtra. Fjalimet e tij ishin të llojit: “Foli shkurt, por tha shumë.”
7. Ndihmonte vazhdimisht në shtëpi
Gruaja e tij, hz. Aishja r.a., tregon se si ishte Muhammedi a.s. në shtëpi, në gjirin familjar. “Ai në shtëpi rregullonte vetë rrobat e tij, fërkonte dyshemenë, mjelte dhitë, i lidhte devetë dhe i ushqente ato. Po ashtu, i riparonte vetë sandalet e tij, u ndihmonte shërbëtorëve në punët e tyre dhe vetë e mbante ushqimin që blinte në treg.”
Ky ishte Muhammedi a.s., kulturën dhe moralin e të cilit e ka lavdëruar edhe All-llahu xh.sh. në Kur’anin fisnik: “Ti, o Muhammed, je në nivelin më të lartë të edukatës dhe moralit.” (Kalem, 4).
Kurse Profeti Muhammedi a.s. ka thënë: “Jam dërguar që të përsos vlerat e moralit.”
438 Shikime