Refugjatët: Fëmijët duan një jetë më të mirë dhe pa brenga

13.09.2015

Refugjatët: Fëmijët duan një jetë më të mirë dhe pa brenga


Refugjatët: Fëmijët duan një jetë më të mirë dhe pa brenga

Luftërat disa vjeçare në shtetet e Lindjes së Afërt dhe Afrikës Veriore kanë shkaktur fluks të madh të refugjatëve të cilët përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë shkojnë në drejtim të Evropës Perëndimore, me qëllim që siç thonë ata, të gjejnë strehë ku do të zgjohen në mëngjes pa zhurmën e të krisurave dhe erën e barutit. Në mesin e tyre ka të moshuar, gra dhe fëmijë, si dhe persona të sëmurë.

Në bazë të të dhënave të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) në Maqedoni, në 12 orët e fundit në territorin e vendit kanë hyrë rreth 7.500 persona, duke bërë kështu qendrën për pranim të jetë e ngushtë për të pranuar të gjithë ata të cilët presin trenin i cili do t’i transportojë në kufirin verior të Maqedonisë.

Këtu është edhe gjashtë vjeçarja Rosel-ja nga qyteti sirian Kobani, e cila thotë se ka ardhur me prindërit e saj. Ajo rrëfen se nga Siria kanë shkuar në qytetin e Turqisë Gaziantep, ku kanë qëndruar për një kohë dhe pasi babai i saj nuk ka mundur të gjej punë, kanë marrë rrugën drejt Evropës.

“Nga lufta kemi qenë të detyruar të braktisim vendin. Kam qenë e frikësuar shumë. Nuk kishim bukë, ujë, rrymë. S’kishim asgjë. Në Gaziatep, babai im nuk mundi të gjej punë, prandaj u nisëm për në Evropë”, fillon tregimin e saj, duke drejtuar shikimin e saj të pafajshëm drejt kamerës. Ajo tregon se gjatë qëndrimit të saj në Turqi, ka mësuar edhe gjuhën turke.

“Kur kam qenë në Siri, kam shkruar në shkollë dhe kam pasur shumë shokë e shoqe, poashtu në kampin në Turqi kam njohur edhe fëmijë tjerë. Kur kam qenë në Siri nuk kam ditur gjuhën turke, por kur shkova në Turqi, një mikeshë e imja më mësoi të flas turqisht”, vazhdoi rrëfimin Resel-ja, duke folur për ditët e kaluara në kampin e refugjatëve në Turqi.

Kjo vajzë e vogël vuajtjet e jetës i ka përjetuar në periudhën më të bukur të jetës – asaj fëmijore, prandaj ka vetëm një dëshirë, “që të përfundojë lufta”, thekson Rosel-ja e vogël, duke përkujtuar se në Siri ka pasur shumë lodra dhe se megjithatë e ka kaluar shumë mirë. “Lodrat i kam lënë në Siri, por shpresoj se do të kem të reja në Gjermani”, me këto fjalë përfundon bisedën për Anadolu Agency (AA), Rosel-ja gjashtë vjeçare,

Derisa Rosel-ja e vogël ëndërron fëmijërinë e saj, Sulejman-i një i ri nga Siria, Damasku, brengoset për ardhmërinë e tij dhe të familjes. Ai sapo kaloi kufirin greko-maqedonas dhe me familjen e tij dhe grupin është vendosur në kampin e pranimit për refugjatë. Ai një kohë ka jetuar në Gjermani. Thotë se nuk ka mundur të ketë jetë të qetë derisa familja e tij ishte në rrezik, andaj është kthyer në Siri që të merr familjen dhe të shkojë në Stamboll. Sikur shumë refugjatë edhe ai ka udhëtuar me varkë nga Turqia në Greqi. Nga shumë rrëfimet e refugjatëve, ai dallohet për nga ajo se nëna e tij është nga Italia ndërsa babai nga Siria.

“Para dy viteve kam shkuar në Egjipt. Nuk e di përse, pas një kohe, njerëzit në Egjipt nuk na duan neve sirianëve, ata na urrejnë. Nuk kam mundur më të qëndroj dhe të jetoj atje. Kemi patur shumë probleme. Nuk e di ku mund të shkoj. Shteti ynë neve nuk na do, shtetet arabe neve nuk na duan, askush neve nuk na do. Nuk mund të kthehemi në Siri sepse ka luftë. Shumë njerëz humbën jetën, disa prej tyre janë anëtarë të familjes time, prandaj dëshirojmë të shkojmë në Gjermani ku besoj se do të kemi jetë më të mirë”, deklaroi për AA, Sulejman-i nga Siria, duke folur për pritjet e tij në të ardhmen.

Ai tha se Siria para luftës ka qenë vend në të cilin ka mundur të jetojë mirë dhe qetë, ndërsa tani prej këtij vendi me të madhe njerëzit ikin për të shpëtuar gjallë nga lufta. “Para luftës kemi patur shumë para, tani nuk kemi as shtëpi, atje nuk mund të blejmë asgjë. Nuk duam të shkojmë në Evropë, do të ishim të lumtur në vendin tonë, atje kemi patur shtëpi, truall, automjet, por tani atje është luftë, çfarë mund të bëjmë tjetër? Duam të jemi të sigurt. Duam ardhmëri më të mirë, gjë të cilën nuk e kemi në vendin tonë”, thotë i dëshpëruar Sulejman-i.

Ai në vitin 2007 ka ardhur në Maqedoni, në kryeqendrën Shkupi, ku fillimisht e ka mësuar gjuhën maqedonase dhe ka dashur të studijojë stomatologjinë, por planet e tij kanë ndryshuar dhe ka shkuar në Gjermani.

“Kam përshjtypje të mira për popullin e Maqedonisë. Koha që kam kaluar këtu është koha më e mirë e jetës sime, kam qenë shumë i lumtur. Gjithmon do ta mbaj mend, njerëzit ishin shumë të mirë, më kanë ndihmuar kohës kur isha student, nuk më akuzonin për asgjë, jemi argëtuar nëpër shtëpitë e tyre. Ende kam kontakte me ta, lajmërohen, më pyesin çfarë mund të më ndihmojnë, për këto të mira unë u jam shumë mirënjohës këtij populli”, thotë Sulejman-i, duke kujtuar jetën studentore në Shkup dhe duke u brengosur për të ardhmen e tij.

Sulejman edhe pse ka shumë miq në Maqedoni, nuk dëshiron të jetojë në këtë vend, por dëshiron të arrijë në Gjermani, sepse siç thotë, atje ka kushte më të mira për jetësë.

Si për të gjithë të tjerët, ky “udhëtim i shpresës për një jetë më të mirë” ka nevojë për të holla, thotë Sulejman-i, duke theksuar se lufta për disa është brutale dhe e vështirë, ndërsa për disa është një “biznes fitimprurës”.

“Me familjen deri më tani kemi shpenzuar 11 mijë dollarë. Nuk na kanë mbetur të holla dhe çdo gjë kemi shitur në vendin tonë. Shumë njerëz abuzojnë dhe i keqpërdorin këto kohëra të këqija, blejnë prona me çmime të ulëta dhe pastaj i shesin me çmime të larta”, shprehet Sulejmani, duke shtuar se në Gjermani do të punojë dhe do të përpiqet të vazhdojë studimet e tij në stomatologji, për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Rosela e vogël, Sulejmani i ri dhe mijëra refugjatë të tjerë, mbetën në qendrën e pritjes së refugjatëve, duke pritur trenin i cili do t’i transportojë ata drejt një fëmijërie pa brenga dhe një të ardhme më të mirë për të rinjtë, një jetë në të cilën shpresojnë se nuk do të ketë luftëra dhe konflikte.

/KBI-Bujanoc.com/

3217 Shikime