25.03.2015
Deri ku ngrihen duart gjatë tekbirit fillestar?

Mr. Ejup Haziri
Hyrje
Gjatë tekbirit fillestar duart duhet të ngriten dhe se për këtë ngritje në fillim të namazit dijetarët thuajse janë unik, me një përjashtim të vogël dhe se këtë e shohin si një gjë shumë të preferuar. Ndërsa ajo që është diskutuar mes juristëve, hadithologëve dhe të tjerëve është fakti se deri ku ngriten duart dhe se kjo çështje njëherit ka ngjallur debat të gjatë, madje nganjëherë edhe ka krijuar akuza të ndërsjella për shkak të pozicionit të ndryshëm të dijetarëve, opinioneve të tyre dhe fanatizmit të tepruar të përkrahësve të tyre.
Fatkeqësisht, shpeshherë kjo tematikë është paraqitur vetëm nga një kënd, të cilin e ka parë të arsyeshëm një dijetar apo një grup sosh. E mendimet tjera për këtë çështje janë lënë në errësirë, sepse opinionit apo masës së gjerë i është ofruar një version i vetëm, madje pa i përmendur fare versionet tjera. Versionin e ofruar e kanë paraqitur autentik, të besueshëm dhe versionin e vetëm që e ka praktikuar i Dërguari i Allahut. Në këtë kontekst, janë hartuar libra të shumta dhe janë mbajtur ligjërata anembanë, në mbrojtje të një versioni dhe është trajtuar vetëm një formë prej këndit personal të një lëvizjeje të caktuar. Prandaj, nuk është edhe e çuditshme kur sheh libra të tillë, ku autorët e tyre me ngulm çirren në atë version dhe çdo gjë pos atij versioni, e shohin si jo traditë e Pejgamberit a.s. madje, ajo që është edhe më e çuditshme është fakti se shumë prej tyre përmendin vetëm mendimin që u përshtatet atyre, pa aluduar fare se për problematikën në fjalë ka edhe mendime të tjera. Kjo sigurisht se bëhet me qëllim që lexuesit të binden se vetëm ajo formë është autentike, e format tjera nuk ekzistojnë. Mendimin e tyre e “përforcojnë” me ndonjë hadith nga koleksionet e njohura dhe kështu form(ul)ohet bindja në masë se vetëm ajo pasqyron realitetin. Mungon sinqeriteti profesional në trajtimin e tematikave të tilla, sepse nuk sjellen të gjitha pikëpamjet, por ofrohet një pikëpamje që për lexuesin a dëgjuesin nënkupton “realitetin”, ngase ashtu është elaboruar. E realiteti është krejtësisht ndryshe.
Në çështjet që nuk janë të prera, ku ka diversitet mendimesh, nuk duhet ngulur këmbë vetëm tek njëri mendim, duke injoruar mendimet tjera. Nëse bëhet një analizë ku analizohen të gjitha mendimet e më pas zgjedhet njëra prej tyre s’ka asgjë të keqe, por assesi duke i injoruar mendimet tjera.
Prandaj, për të qenë sa më profesional, do t’i elaboroj të gjitha mendimet e ndryshme rreth ngritjes së duarve se deri ku duhet të ngriten ato.
Opinionet për ngritjen e duarve
Për ngritjen e duarve se deri ku duhet të ngriten ato, kemi mendime të ndryshme, që janë të afërta njëra me tjetrën. Këto mendime apo opinione janë krijuar në bazë të transmetimeve të ardhura përmes shokëve të të Dërguarit të Allahut a.s. Andaj, në çështjen e ngritjes së duarve se deri ku duhet të ngriten ato, kemi tri lloje të haditheve apo tri transmetime të ndryshme që përcillen nga shokët e të Dërguarit të Allahut, që flasin për ngritjen e duarve në pozicione të ndryshme, ku i pari flet për ngritjen e duarve deri mbi supe, i dyti deri tek veshët dhe i treti mbi pozicionin e veshëve. Dy të parat janë shumë të njohura dhe në bazë të tyre veprojnë pjesa dërrmuese e myslimanëve, përderisa i treti nuk gjen edhe aq mbështetje, megjithatë nuk mund të refuzohet.
Për të gjitha këto mendime, do të sjellim hadithet e transmetuara nga shokët e të Dërguarit të Allahut, do të përmendim se cilët janë mendimet e dijetarëve dhe shkollave juridike rreth ngritjes së duarve se në ç’pozicion duhet të ngriten ato, e më pas sigurisht se do të bëjmë edhe analizë rreth transmetimeve dhe mendimeve të dijetarëve. Do të bëjmë edhe bashkim të haditheve, jo sipas dëshirave e qejfeve, por sipas mendimeve dhe opinioneve të dijetarëve të njohur.
Sqarim rreth një “keqkuptimi”
Para se të hyjmë në sqarimin e opinioneve të ndryshme rreth ngritjes së duarve, e shoh më të arsyeshme të sqarohen disa gjëra, që ndoshta janë bërë nga keqkuptimi, apo edhe janë bërë me tendenca të caktuara. Megjithatë, siç kam potencuar edhe në temat paraprake, se tematika e namazit do të studiohet dhe analizohet mirë, duke u marrë edhe me detajet, në mënyrë që të sqarohen gjërat mirë e drejtë.
Për ngritjen e duarve, vlejnë tri opinionet e njohura që i kam përmendur, e të cilat do t’i shpjegoj në temat e ardhme, ndërsa opionionet tjera jashta tyre nuk janë të njohura tek juristët e njohur myslimanë anembanë botës. Ajo çka vlen të përmendet në këtë kontekst është ngritja e duarve deri tek gjoksi apo një ngritje e shkurtër, siç kanë përmendur disa, duke u bazuar në disa hadithe të përgjithshme, ndonëse nuk është mendim i njohur nga juristët e katër shkollave juridike.
Mendoj dhe këtë mendim do ta arsyetoj me argumente, se disa gabimisht janë arsyetuar me disa hadithe të përgjithshme, ku kanë bërë shpjegime të ndryshme se kinse hadithet në fjalë sinjalizojnë për ngritjen e duarve deri tek gjoksi, apo një ngritje e shkurtër. Njëri nga hadithet ku disa janë argumentuar për këtë çështje është hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejre, i cili është në koleksionin e Tirmidhiut dhe të tjerëve:
حَدَّثَنَا عَبْدُ اللَّهِ بْنُ عَبْدِ الرَّحْمَنِ أَخْبَرَنَا عُبَيْدُ اللَّهِ بْنُ عَبْدِ الْمَجِيدِ الْحَنَفِيُّ حَدَّثَنَا ابْنُ أَبِي ذِئْبٍ عَنْ سَعِيدِ بْنِ سِمْعَانَ قَال سَمِعْتُ أَبَا هُرَيْرَةَ يَقُولُ كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِذَا قَامَ إِلَى الصَّلَاةِ رَفَعَ يَدَيْهِ مَدًّا
“Na ka treguar Abdullah ibën Abdurrahmani, na ka informuar Ubdejdullah ibën AbdulMexhid el-hanefij, na ka treguar ibën ebi Dhi’bi, e ky nga Seid ibën Sim’ani, i cili thotë: “E kam dëgjuar Ebu Hurejren duke thënë: “I Dërguari i Allahut kur ngritej për namaz, duart i ngrinte medden (të hapura-shtrira)”
Ndonëse në këtë hadith nuk është precizuar se deri ku i ka ngritur duart, por disa që janë ndërlidhur me fjalën “medden” të ardhur në fund të hadithit, kanë shpjeguar se ajo nënkupton një ngritje të shkurtër të duarve. Megjithatë, për të dhënë një sqarim se çfarë ka për qëllim kjo fjalë, duhet të shpjegojmë dhe zbërthejmë fjalën medden dhe të vijmë në konkluzion për kuptimin e saj të mundshëm.
Fjala “medden- مَدًّا”, ka kuptime të shumta, varësisht nga konotacioni i saj në fjali. Ajo vjen në kuptim të shtrirjes, ashtu siç ka ardhur edhe në Kur’an:
وَإِذَا الْأَرْضُ مُدَّتْ
“Dhe kur toka të shtrihet në gjerësinë e saj.” (el-Inshikak, 3)
Vjen edhe në kuptim të ngritjes, sikurse që vjen edhe në kuptim të zgjatjes:
وَنَمُدُّ لَهُ مِنَ الْعَذَابِ مَدًّا
“…dhe do t’i vazhdojmë atij dënim pas dënimi.” (el-Merjem, 79)
Apo dhënies kohë:
قُلْ مَن كَانَ فِي الضَّلَالَةِ فَلْيَمْدُدْ لَهُ الرَّحْمَـٰنُ مَدًّا ۚ …
“Thuaj: “Atij që është në humbje (në mosbesim), le t’ia vazhdojë atij i Gjithëfuqishmi për një kohë…” (el-Merjem, 75)
Gjithashtu kjo fjalë vjen edhe në kuptim të dhënies apo furnizimit me diçka. Në gjuhën arabe kur bëhet fjalë për furnizim të ushtrisë, përdoret kjo fjalë: مد الجيش -meddel xhejsh-furnizoi ushtrinë.
Vjen edhe në kuptim të dhënies apo përforcimit:
…وَأَمْدَدْنَاكُم بِأَمْوَالٍ وَبَنِينَ …
“….ju përforcuam me pasuri e me djem…” (el-Isra, 6)
sikurse që vjen edhe në kuptim të shtimit.
…َالْبَحْرُ يَمُدُّهُ مِن بَعْدِهِ سَبْعَةُ أَبْحُرٍ …
“…sikur detit t’i shtohen edhe shtatë dete…” (Llukman, 27)
Vjen në kuptim të vazhdimit (të ndihmës), ashtu siç ka ardhur në fjalët:
… يُمْدِدْكُمْ رَبُّكُم بِخَمْسَةِ آلَافٍ مِّنَ الْمَلَائِكَةِ مُسَوِّمِينَ
“…Zoti juaj ua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë engjëjve të ushtruar (për luftë) ose të shënuar.”(Ali Imran, 125)
Ka kuptimin e ngjalljes së dëshirës apo simpatisë për diçka, ashtu siç ka ardhur në fjalët hyjnore:
وَلَا تَمُدَّنَّ عَيْنَيْكَ إِلَىٰ مَا مَتَّعْنَا بِهِ …
“Dhe mos ia ngul sytë bukurisë së kësaj jete…” (Ta Ha, 131)
Po ashtu kjo fjalë vjen edhe në kuptim të tërheqjes apo joshjes
… وَيَمُدُّهُمْ فِي طُغْيَانِهِمْ يَعْمَهُونَ
Sikurse që vjen edhe në kuptim të zgjatjes:
“…duke i lënë të bredhin edhe më shumë në mosbesimin e tyre.” (el-Bekare, 15)
Ç’thanë dijetarët për fjalën “medden”?
Termi medden, siç pamë nga ky elaborim, ka kuptime të shumta, por ajo që është më dominante është kuptimi i shtrirjes dhe ngritjes, dhe përderisa nuk është përmendur se deri ku duhet të ngriten duart, nuk mund të vendoset një masë e caktuar. Nuk është specifikuar se deri ku të ngriten. Prandaj edhe thirrjet se ky hadith nënkupton për një ngritje të shkurtër deri tek gjoksi, janë të pa baza dhe që nuk i përgjigjen termit të ardhur në hadith.
Tahaviu në “Sherh Meani-l Athar”, është i mendimit se fjala “medden”, që nënkupton për ngritjen e duarve, nuk sinjalizon se deri ku ngriten. Ndoshta mund të jetë se duart duhet të ngriten deri tek supet, por mund të jetë kuptimi i saj se ngritja e duarve krejtësisht ka ndodhur para namazit, gjegjësisht me rastin e duasë, e pas kësaj i Dërguari shqiptonte tekbirin dhe hynte në namaz.” Mendim të njëjtë me të jep edhe Ajniu në “Nuhabu-l Efkar”, i cili sqaron librin e Tahaviut, mirëpo ai nuk e përjashton edhe këtë kuptim: “Nëse fjala “medden” është rrethanor i gjendjes (حالا), atëherë kuptimi i kësaj fjale në hadith është ky: “I ka ngritur duart të hapura (shtrira).” Që nënkupton se fjala medden nuk ka për qëllim ngritjen e duarve, por ka për qëllim që ato të jenë të shtrira, gjegjësisht gishtërinjtë të jenë të hapur e jo të bashkuar.
Mubarekfuri në shpjegimin e Sunenit të Tirmidhiut, ka mendim të njëjtë me Ajniun, prandaj edhe thotë: “Nëse fjala “medden” është në cilësinë e rrethanorit të gjendjes (الحال) vjen në kuptim të emrit foljor (اسم الفاعل) apo kundrinës (اسم المفعول), që nënkupton se i ka ngritur duart e shtrira, gjegjësisht të hapura.”
Shevkani në librin e njohur “Nejlu-l Evtar”, në lidhje me fjalën medden të ardhur në këtë hadith, thotë: “Fjala “medden” në rasën kallzore, sa i përket funksionit sintaksor, mund të interpretohet në njërën prej tri mënyrave; të jetë kundrinor i brendshëm ndaj një foljeje të rënë (يمدهما), por të nënkuptuar nga konteksti; të jetë rrethanor i gjendjes, që nënkupton se ai i ka ngritur duart duke i zgjatur deri në lartësi të kokës, dhe; të jetë kundrinor i brendshëm i vetë foljes (رفع), sepse folja (رفع) nënkupton zgjatje apo shtrirje.”
Shevkani dhe kolosët e ummetit, nuk janë të mendimit se fjala “medden”, nënkupton një ngritje të lehtë të duarve, përkundrazi ai është i mendimit se; ose është fjala për shtrirjen e duarve, që nënkupton gishtërinjtë e duarve të jenë të hapur e jo të bashkuar, ose duart të ngriten deri në pozicion të kokës, që i bie edhe mbi pozicionin e veshëve. Por edhe mund të jetë kuptimi i saj se duart mund të ngriten deri tek supet, sikurse që mund të jetë edhe deri tek veshët. Mirëpo ajo mund të ketë kuptim të ngritjes së duarve edhe më të lartë se veshët, siç potencuam. E në këtë kontekst kolosi i dijes nga shkolla malikite, Ibën AbdulBerr, për fjalën “medden” të ardhur në këtë hadith, jep këtë shpjegim: “(Fjala) “Medden” nënkupton ngritjen e duarve deri tek koka, mbi vesh.”
E nëse kjo fjalë në hadith nuk e ka për qëllim sinjalizimin e ngritjes së duarve deri në një pozicion të caktuar, atëherë kuptimi i dytë që mbetët, ndoshta mund të jetë edhe më i qëlluar se ai i pari, e që ka të bëjë me formën se si duhet të jenë gishtërinjtë e duarve gjatë ngritjes së tyre në tekbirin fillestar.
Mendoj se ky është kuptimi i mundshëm në këtë hadith, dhe se për qëllim Ebu Hurejre e ka pasur shtrirjen e duarve, gjegjësisht ndarjen e gishtërinjve (jo bashkimin e tyre) mes vete gjatë ngritjes së duarve.
Mirëpo, edhe nëse ka qenë qëllimi tjetër, ai i ngritjes së duarve, assesi të mos bazohet dikush e të thotë se ky hadith sinjalizon ngritjen e duarve deri tek gjoksi apo një ngritje të lehtë (shkurtër). Në bazë të këtij hadithi kanë vepruar vetëm malikitët nga pjesa e Irakut, që ishin pakicë, dhe Ahmedi në njërin nga mendimet e tij, të cilët kanë shpjeguar se duart duhet të ngriten, por pa sinjalizuar se deri ku ngriten ato. Ndërlidhja e këtij hadithi me ngritjen e duarve deri tek gjoksi, është plotësisht e pa bazë dhe argumentet janë në kundërshtim me një mendim të tillë.
Mubarekfuri kur shpjegon këtë hadith, në fund thotë: “Ky hadith nuk përcakton se sa ngriten duart, sepse hadithi është i përgjithshëm, prandaj, gjithsesi duhet bartur (futur) tek hadithet tjera që sqarojnë ngritjen (e duarve).”
Njëherazi ky është edhe mendimi më i qëlluar rreth këtij hadithi, e që duhet të bartet brenda mendimeve të njohura për ngritjen e duarve, e jo të krijohet përshtypje e gabuar.
Përse filluam me këtë hadith?
Ndonëse në fillim të kësaj teme përmendëm tri mendimet e njohura për ngritjen e duarve, mirëpo pa sinjalizuar rreth këtij hadithi. Pastaj, nuk u futëm në shpjegimin e atyre mendimeve, sepse deshëm ta sqarojmë këtë hadith që është keqkuptuar dhe gabimisht është shpjeguar nga disa, e madje disa edhe kanë futur si mendim të katërt, krahas tri mendimeve tjera. Prandaj, kam sjellur gjithë këtë shpjegim dhe kam bërë këtë zgjerim, me qëllim që të kuptohet drejt se çfarë është për qëllim me këtë hadith, që assesi nuk mund të futet si mendim i ri. Madje juristët myslimanë në librat e tyre gjithnjë kanë shpjeguar tri opinionet e njohura, duke u ndalë në dy opinionet që janë shumë të njohura. E këtë hadith e kanë futur në njërin nga tre opinionet, ose në mënyrën se si duhet të jenë gishtërinjtë gjatë ngritjes së duarve. Megjithatë, ky mendim, që mund të përfaqësohet dhe të mbrohet nga ndokush, përjashtohet si mendim i pavarur dhe i veçantë. Prandaj, tashmë mbesin tri mendimet tjera të sqarohen dhe të shpjegohen nën dritën e fakteve dhe argumenteve.
/KBI-Bujanoc.com/
3306 Shikime