20.03.2015
Kosovarët, më të gatshmit në rajon për të mbrojtur vendin e tyre

Hulumtimi është realizuar në 64 vende nga ana e WIN/Gallup International, me gjithsej 62,394 të anketuar në nëntor të vitit 2014 nga agjencia hulumtuese BRIMA.
Hulumtimi tregon se ka diferenca në gatishmërinë e qytetarëve për mbrojtjen e vendit të tyre në rajonin e Ballkanit.
Kështu, Bullgaria është në nivelin më të ulët, me 25 për qind, Maqedonia me 38, Serbia me 46, Greqia me 54, Bosnja e Hercegovina me 55, kurse më të gatshmit për mbrojtjen e vendit të tyre janë qytetarët e Kosovës, 58 për qind e tyre.
Sipas rezultateve nga hulumtimi i bërë në terren gjatë muajve shtator-dhjetor të vitit 2014, në çdo vend janë anketuar nga 1,000 burra dhe gra ballë për ballë, me ç’rast është vërejtur dallim i dukshëm me qëndrimet e qytetarëve në vendet e Evropës Lindore dhe ata të Evropës Perëndimore.
Dy herë më shumë të anketuarit nga Evropa Lindore, respektivisht 54 për qind janë të gatshëm të luftojnë për vendin e tyre, në krahasim me ata nga Evropa Perëndimore, ku vetëm 25 për qind janë të gatshëm të luftojnë për atdheun e tyre. Megjithatë, më i theksuar është dallimi te vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrika Veriore, të cilët në 83 për qind të rasteve tregojnë gatishmëri për luftë mbrojtëse.
Në nivel global, 52 për qind e grave të anketuara në këtë hulumtim janë të gatshme të inkuadrohen në mbrojtjen e vendit në rast lufte, në krahasim me 67 për qind të burrave, raporton agjencia INA. /KBI-Bujanoc.com/
1702 Shikime