Çështja e leximit të Kur’anit në namaz në gjuhën jo arabe

29.01.2015

Çështja e leximit të Kur’anit në namaz në gjuhën jo arabe


Çështja e leximit të Kur’anit në namaz në gjuhën jo arabe

Dr. Enes Ljevakoviç Një nga mendimet e Imam Ebu Hanifes në lidhje me Kur’anin, e që veçohet shumë, është lejimi i leximit të Kur’anit në namaz në gjuhën persiane.

Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi, një veprim të tillë e kanë lejuar vetëm për personin i cili nuk di ta lexojë Kur’anin në gjuhën arabe, kurse ndalohet për atë që di të lexojë Kur’an në gjuhën arabe.

Duke u mbështetur në qëndrimin e Ebu Hanifes, dijetari Serahsi jep një përfundim se Ebu Hanife konsideron se fjala Kur’an ka të bëjë vetëm me kuptimin, e jo edhe me shprehjen, gjegjësisht kompozimin e vetë tekstit kuranor, kështu që, Kur’ani është Mu’xhize (mrekulli) vetëm nga aspekti kuptimor, e jo edhe në atë të shprehjes dhe kompozimit tekstual.

Nga ana tjetër, Imam Ebu Jusufi dhe Imam Muhamedi, sikur edhe shumë juristë të tjerë, konsiderojnë se Kur’ani është mu’xhize si në aspektin kuptimor ashtu edhe në atë shprehimor, kështu që, përkthimi i Kur’anit në ndonjë gjuhë tjetër nuk konsiderohet Kur’an.

Serahsi, qëndrimin e Imam Ebu Hanifes, e shpjegon me konstatimin se “Kur’ani është fjalë e pa krijuar e Allahut të Lartësuar, ndërsa gjuhët e tjera janë të gjitha të krijuara. Nga kjo kuptojmë se nuk është e lejuar që Kur’ani të kufizohet me ndonjë gjuhë tjetër.[1]

Me gjithë këtë, usulisti i njohur hanefi, El-Bezdevi, pohon qartë: “Kur’ani është një, si nga kuptimi ashtu edhe nga shprehja, gjegjësisht kompozimi i tij është unik, dhe kjo sipas mendimit të të gjithë dijetarëve. Sipas mendimit tim, ky është edhe qëndrim i Imam Ebu Hanifes, vetëm se ky ka pasur një qëndrim se shprehja nuk është element i domosdoshëm për leximin (e Kur’anit) në namaz.”[2]

Dijetari dhe juristi bashkëkohor nga Egjipti, Ebu Zehra[3] konsideron se interpretimi i Serahsiut ndaj qëndrimit të Imam Ebu Hanifes është i tepruar, i tërhequr dhe se nuk përmban kuptimin e vërtetë të fjalëve të tij.

Interpretimi i lartpërmendur është i diskutueshëm për dy arsye:

E para, sepse bëhej fjalë për lehtësim për ata që nuk e kanë ditur gjuhën arabe dhe që nuk kishin mundësi ta zotërojnë atë me shpejtësi, dhe

E dyta, është se Imam Ebu Hanife është tërhequr nga mendimi i mëparshëm dhe ka përkrahur mendimin e Ebu Jusufit dhe të Muhamedit sa i përket çështjes në fjalë.

Shpjegimi i fjalëve të Imam Ebu Hanifes nga ana e Bezdeviut është më i pranueshëm se sa ai i Serahsiut.

(Shkëputje nga një artikull më i gjatë rreth mendimeve teologjike dhe juridike të Imam Ebu Hanifes, nga autori Dr. Enes Ljevakoviç. Studimi është në përkthim e sipër në gjuhën shqipe.)

Burimi: http://www.medzlis-konjic.com/index.php/biblioteka/odabrani-tekstovi/2018-ebu-hanifa- /KBI-Bujanoc.com/

2286 Shikime