27.01.2015
Kurti paralajmëron protesta të reja
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një konferencë shtypi, tha se sikur kryeministri Mustafa ta kishte shkarkuar ministrin Jabllanoviq dhe ta kishte sjellur në Kuvend Ligjin për Trepçën, protesta nuk do të ndodhte. Ai tha se do të vazhdojnë me protesta derisa qeveria të realizojë kërkesat që i janë bërë nga protestuesit.
“Po të ishte shkarkuar Aleksandër Jabllanoviq dhe po të ishte kthyer ligji për Trepçën sot nuk do të kishte protesta. Pra përgjegjësi i takon krejtësisht Qeverisë e cila po punon me konceptin e Sheshelit dhe Millosheviqit”, tha Kurti në një konferencë të jashtëzakonshme në orët e mbrëmjes.
Ai po ashtu ka bërë fajtor kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij Hashim Thacin të cilët sipas tij ndërsyen policët ndaj protestuesve.
“Derisa qeveria nuk e shkarkon Jabllanoviqin dhe derisa nuk e sjell në Kuvend Ligjin për Trepçën do të vazhdojmë protestat”, tha Kurti, duke potencuar se do të koordinojnë aktivitetet me partitë e tjera opozitare që po e përkrahin protestën.
Ndërsa, Visar Ymeri tha se pushteti po bën presion ndaj “Thirrjeve të nënave” dhe minatorëve që të mos marrin pjesë në protestë./KBI-Bujanoc.com/
1623 Shikime