07.01.2015
Bullgari, i vihet zjarri xhamisë së shekullit XIV

Xhamia Hudavendigar në Plovdiv të Bullgarisë është sulmuar përsëri. Në një njoftim të bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Plovdiv theksohet se xhamia, e njohur në komunitet si Xhamia e Premte (Xhamia Xhuma), ka qenë objektiv për zjarrvënie nga një person. Sipas dëshmitarëve, një person pasi ka spërkatur hyrjen e xhamisë me lëndë djegëse dhe pasi i ka vënë zjarrin është larguar nga vendi i ngjarjes.
Mësohet se zjarri në xhami është shuar nga roja i saj në një kohë të shkurtër. Personi që i ka vënë zjarrin xhamisë është arrestuar nga policia në një pikë karburanti teksa po tentonte të merrte karburant. Galina Andreeva, zëdhënësja e prokurorisë së rajonit në Filibe (Plovdiv) duke mos bërë të ditur emrin e personit, i cili ka kryer sulmin në fjalë kundër xhamisë, tha se ai do të gjykohet me akuzat për dëmtim të pronave të vlerësuara si objekte kulturore dhe historike dhe për vjedhje të karburantit.
Agresori më parë në vitet 2005 dhe 2006 ka qenë i dënuar për pjesëmarrje në akte të ndryshme të dhunës, në 2014 për ngacmim seksual dhe përdhunim, vepra penale për të cilat ka qenë i dënuar me 4.5 vjet heqje lirie. Sulmuesi nuk e ka pranuar vendimin dhe ndodhet në gjendje të lirë, pasi çështja është ende në proces gjyqësor.
Xhamia Hudavendigar, e cila mendohet se është ndërtuar në periudhën e Perandorisë Osmane në vitet 1421-1451, ka qenë objektiv i disa sulmeve raciste në vitet e fundit./KBI-Bujanoc.com/
1455 Shikime