07.01.2015
‘A më shumë e do Pejgamberin a.s, apo Ebu Hanifen?’

Një ditë, një djalosh i ri, i cili, vërtetë, është i edukuar në rrugën e Islamit të shëndosh, pas një takimi që kishte pasur me një të lëvizjes vehabiste, ku kishin qenë në një xhami, vehabisti e kishte pyetur: Pse ti nuk falesh sipas Sunetit të Pejgamberit a.s.?
Djaloshi i ishte përgjigjur, shkurt e shqip, se ne edhe në shtëpi e falim namazit sipas medh’hebit hanefi.
“Aaa, jo – i kishte thënë bashkëbiseduesi – nuk është në rregull, namazin duhet ta falësh sipas Sunetit të Pejgamberit a.s, e jo sipas Ebu Hanifes, duke ia parashtruar, më pas, edhe një pyetje perfide djallëzore: Ti a më shumë e do Pejgamberin a.s., apo Ebu Hanifen?
“Unë nuk di të përgjigjem në këto pyetje provokuese, por do ta pyes hoxhën tim”, – i kishte thënë djaloshi.
Pasi që i riu më tregoi për rastin dhe hallin që e kishte deshpëruar tej mase, i thash: Ti nuk ke se pse të mërzitesh me këta njerëz, ti vetëm vazhdo namazin dhe falu me përkushtim dhe përqëndrim të plotë. Ne të gjithë e duam Pejgamberin a.s., më shumë se çdo krijesë tjetër, mirëpo rruga që na shpie te Dashuria e Pejgamberit a.s., kalon përmes dijetarëve të mirëfilltë islam, ndërkohë që nënçmimi i dijetarëve është shenjë e mosdashurisë së Pejgamberit a.s.
Argument për këtë e kemi ajetin kuranor, ku Allahu xh.sh., ka thënë:
“Thuaj (O Muhammed) nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua (Pejgaberin a.s.)”. (Ali Imran, 31).
Pra, rruga që të çon te dashuria e vërtetë ndaj Allahut xh.sh., kalon përmes Medresesë (shkollës) së Pejgamaberit a.s, andaj, kështu që, edhe dashuria ndaj Pejgamberit a.s, kalon përmes dijetarëve të mirëfilltë islam. Jusuf Zimerin /KBI-Bujanoc.com/
1500 Shikime