Rama dorëzon lejen për xhaminë e madhe në Tiranë

27.11.2014

Rama dorëzon lejen për xhaminë e madhe në Tiranë


Rama dorëzon lejen për xhaminë e madhe në Tiranë

Kryeministri Edi Rama ishte vetë atje, ku përveç se shprehu falënderimet për Komunitetin Musliman, theksoi se pritja e gjatë e lënë nga politika mori fundi një herë e përgjithmonë.

“Historia kumton shpesh se gjithçka lind në mistikë dhe përfundon në politikë-do të thoshte një filozof i shquar. Sot përfundon më në fund dhe përgjithmonë historia e tejzgjatur e pengimit politik e tejzgjatur e besimtarëve myslimanë për të pasur xhaminë e tyre të madhe krahas besimtarëve katolikë dhe atyre ortodoksë. Kërkesa e KMSH-së për të pasur një xhami të madhe ku besimtarët faleshin në rrugë nën mëshirën e natyrës, kërkoi që në ditën e parë të qeverisë sonë që të angazhohemi për ndërtimin e këtij objekti kulti”, theksoi ai.

Sipas Ramës, kjo çështje është marrë shumë seriozisht nga qeveria deri sa u gjet një zgjidhje përfundimtare. “Politika e la për dy dekada në mëshirë të fatit dhe në mes të rrugës lutjen e madhe të myslimanëve shqiptarë në ditët e mëdha që ata janë bashkërisht. Dua të jem shumë i qartë me ju: ne u morëm shumë seriozisht me këtë çështje madhore, jo sepse e premtuam, as sepse e pamë këtë Komunitet siç është parë rëndom nga politika si një depozitë e mundshme votash, por sepse ky ishte dhe mbeti një detyrim etik dhe njerëzor  i politikës pa dallim, për të bërë mundur themelimin e këtij vendi kulti. Durimi që keni treguar e bën Komunitetin tuaj një shembull bashkëpunimi për të gjitha bashkësitë fetare e jo fetare. Gatishmëria për të bashkëpunuar që unë e kam parë dhe e kam provuar qysh atëherë kur unë isha kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe nuk i kisha këto mundësi siç jam tani kryeministër”, tha gjithashtu.

Kryeministri tha se i ishte lënë mbresa të mëdha qetësia gati mistike e drejtuesve myslimanë dhe mos lodhjen e gjatë të tyre nga pritja. “Ju keni përcjell melhem atje ku ka pasur një plagë të hapur për kaq vite me radhë. Më lejoni të them që jam krenar që në një kohë të shkurtës i dhamë zgjidhje një problemi që ka qëndruar kaq gjatë i hapur si shprehje e mungesës së vullnetit politik dhe mungesës së seriozitetit dhe përgjegjshmërisë qytetare të drejtuesve të këtij vendi në raport me këtë komunitet, të cilët e kanë parë si një burim të ardhurash në vota duke u munduar të adresojnë zemëratën për mungesën e kësaj xhamie tek kundërshtari.

Sot unë jam i lumtur sepse Zoti e desh dhe vullneti ynë e bëri të mundur që të mos kishim një xhami ngjitur një pallati dhe një qendre tregtare, por të kemi një xhami dhe një muze të bashkëjetesës fetare. Sot i çelet rruga një projekti që nuk është një pallat me xhaminë, por një xhami pa pallat. I jam mirënjohës Selim Muçës dhe Skënder Bruçajt që kanë bashkëpunuar me ne për ta kthyer xhaminë në parametrat e duhura për të mos e lënë në rrugë në rrëzë të pallatit dhe për ta rrethuar me pemë dhe gjelbërim”, tha më tej.

 

Kreu i qeverisë shqiptare premtoi se punimet nuk do të ndalen deri në ndërtimin e plotë të xhamisë. “Punimet do të vazhdojnë pa ndalim deri në hapjen e dyerve të këtij objekti për lutjet e besimtarëve. Nëse laiciteti shfaqet në forma dhe emërtime të gjithëpranushme, në Shqipëri emri tjetër është bashkëjetesa dhe përafrimi, bashkëjetesë në vlera dhe përafrim kundër ekstremeve”, tha gjithashtu. /Start/S.Ll    /KBI-Bujanoc.com/

 

1751 Shikime