05.09.2014
Sulmet kundër esharive dhe maturidive (1)
“Allahu xh.sh. asnjëherë nuk do ta le Umetin tim të bie dakord në devijim, dhe dora e Allahu është mbi grupin (xhematin), pra ndiqeni masën më të madhe te besimtarëve (sevadul adham), dhe kush ndahet prej tyre është ndarë për në zjarr.” (Hadith)
Shkruan Prof Ajni Sinani
Ne sot gjejmë një formacion hoxhallarësh që marrin primatin dhe eksluzivitetin e interpretimit të Islamit dhe e vendosin veten e tyre në pozitë të gardianëve të drejtimit të Ehlu sunnetit dhe xhematit. Veten e tyre e konsiderojnë “grupi i ndihmuar dhe i shpëtuar”, prandaj, ata që pajtohen me ta dhe shejhat e tyre janë në Rrugë të drejtë, e ata që nuk pajtohen me mendimet e tyre dhe të shejhave të tyre edhe pse janë shumica absolute e ummetit i konsiderojnë të humbur, dervish, bidatci, përcarës, shpifës, mëkatarë etj. Këta sipas tyre janë banorë të zjarrit!!!
Ky formacion vepron ashtu sikur kishte vepruar harixhiti Ebu Hamza kur i ishte drejtuar shokut të tij: “Askush pos neve dy nuk do të hyj në xhenet! – Subhanallah! Në xhenetin gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe Toka, do të hyjnë vetëm dy veta!? Atëherë qoftë i yti! Sigurisht se ky nuk është ai Xhennet që Allahu i Madhërishëm i ka premtuar robërve të Tij – i frikësuar i përgjigjet miku.
Mendjelehtët që luajnë me zjarrin!
Ka hoxhallarë që thirren në disa prej shejhave të tyre tashmë të njohur (Ibn Tejmije, Ibn Kajimi, Abdul Vehabi, Ibn Bazi, Albani, Uthejmini). Këta hoxhallarë dhe xhematet e tyre për gjithë muslimanët e botës me akide eshari dhe maturidi përdorin shprehje pezhorative sikurse janë bidatqi, dervish, të humbur, me besim të devijuar etj!!!
Kur njeriu shfleton web faqet, youtubet dhe faqet e facebook, befasohet nga një liri e plotë dhe gatishgmëri e papërgjegjshme për ti akuzuar kolosët dhe alimat e këtij ummeti dhe gjithë ummetit për devijim në besim!
Se sa i rrezikshëm dhe shqetësues është ky lloj predikimi dhe klasifikimi përjashtues mjafton të shohësh ithtarët e këtyre hoxhallarëve në internet, në rastin më të butë gjen ofendime dhe sharje të ulta që këta ia bëjnë maturidive dhe esharive. Në rastin më ekstrem, ky vlerësim i këtillë hap rrugë për akuzim me dalje nga islami (irtidad) dhe pse jo edhe për veprime të dhunshme.
Më shumë se 98 % e ummetit të Muhammedit a.s. janë me akide eshari dhe maturidi. Akidja maturidite dhe esharite studjohet në gjithë universitetet e botës islame, në universitetin Ez’her, në Turqi, Pakistan, Indonezi, Indi dhe në të gjitha shtetet arabe e muslimane.
Por kjo nuk ka kurrfarë domethënie për ta. Këta mendjelehtë esharitët dhe maturiditët i konsiderojnë grupacione të devijuara (!!!) sikurse xhehemijtë.
Ia zënë për të madhe Mehmet Fatihut që ishte hanefi-maturidi. Ndonëse Pejgamberi a.s. kishte treguar për të duke thënë: ”Vërtetë do ta çlironi Konstantinopolin (Stambollin), vërtetë sundues i mrekullueshëm do të jetë sunduesi i tij (Mehmet Sulltan Fatihi), dhe ushtri e lavdëruar është ajo ushtri”!
Por ata kanë mbyllur veshtë me pambuk dhe kanë flakur gjykimin e arsyeshëm, prandaj e gjithë kjo s’ka rëndësi, sepse vetëm ata janë në besim të drejtë dhe vetëm ata e posedojnë të vërtetën! Xhenneti është vetëm për ta!
Sulmet ndaj maturidive dhe esharive vijnë edhe nga të rinjë të sinqertë. Këta të rinjë entuziastë kanë rënë pre e disa hoxhallarëve fitnexhi që harrojnë se në Islam ka pluralitet mendimesh dhe interpretimesh të cilat deri sa nuk dalin jashtë kornizes islame duhet të respektohen dhe të nderohen detyrimisht madje edhe atëherë kur një mendim i tillë nuk pajtohet me mendimin që mbrojmë ne. Ihtilafi eshtë i ligjshëm në Islam prandaj edhe respekti dhe vlerësimi i dijetarëve eshtë i detyrueshëm.
vazhdon ..... /KBI-Bujanoc.com/
1758 Shikime