BIK: Mos bini pre e grupeve që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad

11.08.2014

BIK: Mos bini pre e grupeve që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad


BIK: Mos bini pre e grupeve që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad

Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, ka reaguar pas aksionit të sotëm të organeve të shtetit përmes një komunikate për media. BIK e përkrahë këtë aksion të policisë së Kosovës dhe e sheh si masë të nevojshme për ruajtjen dhe sigurinë e vendit.

Sipas kësaj komunikate BIK, thotë se vendi ynë dhe besimtarët tanë, në asnjë mënyrë e në asnjë rrethanë nuk duhet që të jenë pjesë e grupeve ilegale që me aktivitetin e tyre rrezikojnë jetën e të rinjve tanë dhe kërcënojnë sigurinë e vendit.

“Bashkësia Islame e Kosovës kërkon nga organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat e duhura ndaj kujtdo qoftë që rrezikon sigurinë e qytetarëve dhe rendin kushtetues të vendit. Bashkësia Islame e Kosovës po ashtu edhe me këtë rast shprehet kundër atyre që përkrahin e promovojnë gjuhë të urrejtës, interpretim të ngushtë të mësimeve fetare dhe politizimit të fesë”, thuhet në komunikatë.

Stabiliteti i vendit, siguria e qytetarëve dhe jeta e të rinjve tanë, sipas BIK-ut, është përgjegjësi e institucioneve të vendit, e të cilat duhet mbështetur e përkrahur pa hezitim nga të gjitha strukturat e shoqërisë.

BIK po ashtu fton qytetarët e Kosovës që të përkrahin organet e shtetit dhe të mos bien pre e individëve të papërgjegjshëm e të pa adrese që “manipulojnë fenë për qëllime johumane e jo fetare”.

“Bashkësia Islame e Kosovës edhe njëherë fton besimtarët e në veçanti të rinjtë tanë, që të mos bien pre e grupeve të ndryshme që thirren në emër të të ashtuquajturit xhihad e njëfarë Halifati. Bashkësia Islame e Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e vlerave islame që na urdhërojnë në paqe, në tolerancë e në mirëkuptim, larg urrejtjes, mos durimit e ekstremizmit”, përfundon komunikata e BIK-ut.

/KBI-Bujanoc.com/

1398 Shikime