27.04.2014
Kujdes ushqyerjen e çekuilibruar te fëmijët

Në rastet kur fëmija ushqehet me gji gjatë gjashtë muajve të parë nuk sugjerohet dhënia e ndonjë ushqimi shtesë përveç qumështit të nënës. Gabimi më i madh që bëjmë është mësimi i fëmijës me ushqimet që konsumojmë vetë. Fëmijëve u duhen dhënë ushqime të përshtatshme sepse deri në moshën 1 vjeç, ai nuk duhet të konsumojë as sheqerin e as kripën.
Qëllimi kryesor i ushqyerjes së fëmijës vetëm me gji gjatë gjashtë muajve të parë është rritja e tij në mënyrë të shëndetshme dhe parandalimi i sëmundjeve. Gjatë gjashtë muajve të parë nuk i duhet dhënë asgjë tjetër përveç qumështit të nënës. Në qumështin e nënës gjenden të gjitha mineralet, vitaminat, mbrojtësit kundër sëmundjeve dhe lëndë që mbështesin sistemin imunitar. Mungon vetëm vitamina K dhe D. Dhe kjo mangësi plotësohet me një gjilpërë që i bëhet fëmijës kur lind.
Më parë vitamina D këshillohej deri në moshën 1 vjeç ndërsa tani këshillohet deri në moshën 2 vjeç. Pas mbushjes së muajit të gjashtë fëmijëve mund t’u fillohet ushqimi shtesë. Gabimi më i madh i nënave të reja është pritshmëria e madhe që fëmija të mbarojë gjithë pjatën e vënë përpara. Pas fillimit të ushqimit shtesë masa e tij nga muaji i 6 deri të 9 –tin nuk duhet të kalojë 2 gota çaji, nëse fëmija ushqehet me gji të vazhdohet kështu deri në moshën 2 vjeç. Shtesat e para sugjerohen të jenë suprat me zarzavate, më pas këshillohet kosi i bërë në shtëpi.
Produktet e gatshme të marra nga jashtë duhet të vendosen në plan të dytë. Krahas kësaj fëmijëve u duhen dhënë puretë me fruta. Një gabim tjetër është ushqyerja e fëmijës me gjellët që hamë vetë. Fëmijëve u duhen dhënë gjellë të përshtatshme për organizmin e tyre sepse deri në moshën 1 vjeç nuk u duhet dhënë kripë dhe sheqer. Sasia e ushqimit shtesë nga muajit i 9-të deri në muajin e 12 –të duhet të jetë sa 3 gota çaji. Një tjetër gabim i nënave është dhënia e shpeshtë e muhalebisë me miell orizi. Miellin e orizit e këshillojmë para gjumit. Këtë e bëjmë që të mundësojmë ngopjen e fëmijës. Sigurisht që pas ushqimit të dhënë fëmijës i duhet dhënë dhe ujë. Por gabimi që bëhet këtu është dhënia e menjëhershme e ujit pas ushqimit. Uji i duhet dhënë gjysmë ore ose 45 minuta pas ushqimit. Nëse pas pesë muajve pesha e fëmijës është dyfishuar me peshën e lindjes do të thotë se gjithçka ecën normalisht, fëmija duhet të marrë 15-20 gr në ditë.
Pasi mbush një vjeç fëmija mund të shijojë dhe ushqimet e të rriturve. Nëse fëmijën e mësojmë me produkte të gatshme, patatina, çokollata, biskota e të tjera atëherë rritet mundësia e shfaqjes së ushqyerjes së paekuilibruar. Këto produkte përmbajnë një nivel të lartë yndyre dhe për këtë arsye krijojnë ndjesinë e ngopjes së fëmijës duke e lënë pa oreks për gjellën. Mungesa e oreksit do të shkaktojë mungesën e hekurit dhe vitaminave. Dhe kjo gjendje do të shkaktojë më shumë sëmundje infektive te fëmija. Infeksionet më të përhapura janë ato të rrugëve të frymëmarrjes. Krahas kësaj mund të shfaqen dhe sëmundje si bronshiti, peumoni e të tjera. Tek fëmijët pas moshës 1 vjeç duhet të vendosim mëngjesin si një vakt të rregullt që nuk duhet lënë pa konsumuar.
Kur të rriten më shumë atëherë duhen vendosur tre vakte të rregullta. Sugjerohet gatimi i gjellëve me zarzavate krahas makaronave dhe pilafit. Dy ose tre herë në javë të konsumohet mish i kuq ose i bardhë, një herë në javë peshk. Kjo është shumë e rëndësishme për ushqyerjen e tyre. Konsumimi i një gote qumësht para gjumit do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin dhe rritjen e fëmijës. Sepse hormoni i rritjes çlirohet më shumë në gjumë. /KBI-Bujanoc.com/
1803 Shikime