Si e vendosi drejtësinë Omer Ibën Abdulazizi?

03.03.2022

Si e vendosi drejtësinë Omer Ibën Abdulazizi?


Si e vendosi drejtësinë Omer Ibën Abdulazizi?

www.kbi-bujanoc.com

Autor: prof.dr. Zuhdija Adilović

Omer Ibën Abdulazizi mbikëqyrte personalisht gjithçka që ndodhte në shtetin e tij, qoftë e vogël apo e madhe. Nga afër e mbikëqyrte punën e guvernatorëve të tij nëpër provinca, në këtë i ndihmoi themelimi i institucioneve shtetërore nga Abdulmelik Ibën Mervani, siç ishin posta, shërbimi inteligjent që mbulonte të gjitha viset, që përdorej nga halifet para tij për tubimin e të dhënave.

Omer Ibën Abdulazizi me kujdes të veçantë i zgjidhte nëpunësit e tij, por kjo nuk e pengoi atë ta mbikëqyrte gjendjen e njerëzve të zakonshëm dhe ta qeveriste shtetin mbi këtë bazë. Omeri r.a. shquhej për këmbëngulje dhe përgjegjësi në punën e tij.

Kaloi shumë kohë në planifikimin e një politike reformuese që synonte ta zhdukte padrejtësinë dhe korrupsionin që ishin përhapur në të gjitha sferat e shoqërisë: politikë, ekonomi, qeverisje…

Omeri r.a., përqafoi një numër të madh të këtyre reformave që ishin pikat themelore të sundimit të tij gjithëpërfshirës reformist. “Politikat e tij reformuese” ua përcolli guvernatorëve të tij, të cilët kishin për detyrë t’i zbatonin ato në të gjitha viset e shtetit. Krahas udhëzimeve të tij, ai shpesh u dërgonte shpjegime edukative, duke ua kujtuar qeveritarëve të tij madhështinë e amanetit që e kishin marrë mbi supet e tyre dhe duke i nxitur që t’i frikësoheshin All-llahut dhe ta kenë gjithmonë parasysh gjatë kryerjes së veprimit të tyre. Ai shfrytëzonte disa burime nga të cilat mblidhte informacione, sepse ishte i vetëdijshëm se informacionet për nëpunësit shtetëror duhet të jenë të besueshme në mënyrë që të merren vendimet e duhura që të jenë në dobi për popullin dhe shtetin.

Vëmendje më të madhe i kushtoi korrupsionit dhe mënyrës që ta çrrënjos atë. Gjatë përpjekjes për zhdukjen e kësaj sëmundjeje, ai i theksoi mjetet e parandalimit dhe mbylljes së rrugëve që çojnë në korrupsion, si: tradhtia, gënjeshtra, ryshfetet dhe dhuratat për zyrtarët dhe guvernatorët, luksi dhe tregtia nga qeveritarët dhe vezirët. Pastaj, largimi i guvernatorëve dhe ministrave nga bota e zakonshme dhe mosnjohja e gjendjes së tyre reale, dhe padrejtësia ndaj njeriut të zakonshëm e të ngjashme.

Ja si e realizoi këtë Omer Ibën Abdulazizi:

E para: U përpoq që t’i zgjidhte më të mirët dhe më të devotshmit

Zyrtarët dhe guvernatorët e halifit janë zëvendësit e tij në provincat e caktuara dhe janë ndërmjetës midis tij dhe popullit. Sado qoftë i aftë dhe i mirë udhëheqësi, nuk do të ketë sukses nëse nuk i zgjedh zyrtarët e tij me kujdesin më të madh. Për këtë arsye Omer Ibën Abdulazizi r.a. kujdes të veçantë i kushtonte kë do të zgjidhte për guvernator të tij. Po ta shikojmë mënyrën si e bënte këtë, do të vërejmë se kishte kushte të veçanta të cilat duhet t’i posedonin ata që dëshirojnë të punojnë në udhëheqësinë e tij. Ndër kushtet më të rëndësishme ishin: devotshmëria, përgjegjësia dhe përkushtimi ndaj fesë.

Kur e shkarkoi nga detyra Halid Ibën Rejanin, i cili ishte komandanti i përgjithshëm i Gardës Speciale gjatë kohës së El-Velid Ibën Sulejmanit, ai shikoi në fytyrë ushtarët e Gardës dhe e thirri Amër Ibën  Muhaxhir el-Ensariun, duke i thënë: “Pasha All-llahun, ti e di se mes meje dhe teje nuk ka asnjë lidhje tjetër përveç Islamit, por të kam dëgjuar shpesh të lexosh Kur’an dhe të kam parë të bësh ibadet dhe falesh në vend ku vlerëson se askush nuk të sheh. Merre këtë shpatë, unë të caktoj si komandant të rojës sime personale.”  Ai u shkroi zyrtarëve të tij: “Mos përdorni për veprimtaritë tona askënd tjetër përveç atyre që shoqërohen me Kur’anin, nëse nuk ka hajr tek ata që e shoqërojnë Kur’anin, tek të tjerët me siguri nuk ka aspak hajr”.

Nëse kishte dyshime për ndokënd që dëshironte ta emërtoj si nëpunës të tij, nuk e vepronte ashtu deri sa të bindej se është i drejtë. Kur u bë halif, Bilal ibën Burda i tha: “O sundimtar i besimdrejtëve, ka të tillë që i nderoi hilafeti, por ti e ke nderuar hilafetin. Disa i bëri hilafeti më të vlefshëm ndërsa ty e bëre hilafetin të vlefshëm.”

Mandej citoi disa vargje lëvduese rreth Omerit, për të cilën u shpërblye. Bilali ishte vazhdimisht në xhami për namaz dhe gjithnjë lexonte Kur’an, kështu që Omeri dëshironte ta emëronte atë si guvernator të tij në Irak.

Omeri tha: “Me të vërtetë ky është një njeri i mirë!” Por ai dërgoi një nga të besueshmit e tij për ta marrë në pyetje dhe ai tha: “Sa do të më jepni për t’ju ndihmuar të bëheni guvernator i Irakut?” Bilali i premtoi një shpërblim të madh. Ai e njoftoi Omerin për këtë dhe kështu menjëherë u refuzua nga Omeri. Ai nuk i pëlqente të emëronte si guvernator të tij këdo që ishte i përfshirë në padrejtësi dhe bashkëpunonte me të padrejtët si Haxhxhaxhi.

El-Evzai tregon se Omer Ibën Abdulazizi një herë ishte ulur në shtëpi me të parët e Emevitëve dhe u tha atyre: “A e shihni këtë mbulesë? E di që do të konsumohet, por nuk jam i lumtur që po e ndotni me mbathjet tuaja, kështu që si do t’ia besoni besimin tuaj dhe nderin e muslimanëve për t’i udhëhequr ata? Assesi, në asnjë mënyrë!”

Politika e Omer Ibën Abdulazizit në zgjedhjen e nëpunësve të tij ishte shkak për stabilitet politik në të gjitha viset, sepse populli ishte i kënaqur me veprimet e tyre. Asnjë prej tyre nuk ishte si Haxhxhaxhi, i cili njerëzit i trajtonte mizorisht dhe për dyshime i ndëshkonte. Asnjëri prej tyre nuk e lartësoi dikë dhe ta poshtëroi tjetrin, gjë që shkakton revoltë te njerëzit.

E dyta: Rritja e pagave të punonjësve

Hapi i parë administrativ në të cilin Omer e pa si parandalim karshi tradhtisë dhe ajo që ndërmori ishte rritja e pagave të zyrtarëve, por në të njëjtën kohë ishte i rreptë për këtë çështje me veten dhe familjen e tij. Ai më këtë dëshiroi t’i bëjë të pavarur nga mashtrimet. Ai për çdo muaj zyrtarët e tij i paguante nga 100 deri 200 dinarë. Këtë e arsyetonte duke thënë se nëse do të ishin materialisht të kënaqur, do t’i përkushtoheshin më shumë punës.

Me këtë veprim Omeri arriti dy qëllime:

1- I mbylli dyert e mashtrimit dhe tradhtisë dhe i pengoi zyrtarët e tij që të mashtrojnë dhe t’i vjedhin muslimanët;

2 – Ai garantoi se punonjësit, zyrtarët dhe vezirët e tij do të merreshin me çështjet e muslimanëve dhe nevojat e tyre.

E treta: Ndalimi i pranimit të dhuratave

Ai u përgjigj atyre që e kundërshtuan dhe thanë se Pejgamberi, s.a.v.s., kishte marrë hedije (dhurata): “Kjo është e vërtetë, por hedijet për neve dhe ata që vijnë pas nesh janë ryshfet”.

I ndaloi hedijet të cilat i pranonin zyrtarët emevitë, në veçanti që jepeshin gjatë festave persiane. U shkroi një letër zyrtarëve të tij të cilën duhej ta lexonin para popullit të tyre, që është ndaluar marrja e dhuratave, e çfarëdo natyre qoftë.

Gjithashtu ndaloi që nëpunësit e tij t’ua plotësojnë dëshirat të afërmve, pasi ndodhisë kur Fatimeja, e bija e Abdulmelikut kërkoi nga Ma’di Keribi t’i sjellë mjaltë libanez, që ky e realizoi. Omer Ibën Abdulazizi i pat thënë: “I mjeri ti! Nëse e bën këtë përsëri, nuk do të bësh më asnjë punë për mua, as nuk do të të shikoj më!”  

E katërta: Ndalimi i teprimit dhe shpërdorimit

Omeri ndërmori hapa që e tregojnë dëshirën e madhe për ta mbrojtur pronën e muslimanëve. Gjëja e parë që bëri pasi u bë halif ishte të hiqte dorë nga pasuria e zakonshme e udhëheqësve. I sollën kuaj të shkëlqyer, ai i pyeti se çfarë janë? Ata u përgjigjën: “Kuajt që nuk janë shaluar ende janë përgatitur për halifin e ri”. Ai i la ato dhe e kërkoi mushkën e vete të cilën e shalonte edhe më parë dhe i tha shërbëtorit të tij: “O Muzahim, çoji këta kuaj në Bejtul-mal (thesari shtetëror).” Kështu veproi edhe me shtretërit, qilimat dhe jastëkët, “O Muzahim, çoji edhe këta në Bejtul-mal.”

Gjatë një rasti, Omer Ibën Abdulazizi i shkroi guvernatorit të Medinës: “Kur ta pranosh letrën time, mprehe lapsin tënd, ngushtoi rreshtat, shkruajë sa më shumë nevoja të muslimanëve në një faqe, sepse ata nuk kanë nevojë për shpjegime të gjera që do ta dëmtojnë fondin e tyre (Bejtul -malin). Selam!”

Kështu vepronte Omeri në çdo gjë që kishte të bënte me muslimanët, qofshin gjëra të vogla apo të mëdha. Të njëjtën gjë e bëri me të gjithë nëpunësit, jo vetëm me guvernatorin e Medinës. Ai u përpoq ta kursente thesarin shtetëror, në mënyrë që ta parandalonte shpërdorimin dhe shpenzimet e tepërta.

Veprimi i këtillë i Omerit ndaj nëpunësve dhe monitorimi i vazhdueshëm i sjelljes së tyre dha rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe padrejtësisë. Kontrollet e vazhdueshme të nëpunësve të tij rezultuan që ata të jenë vazhdimisht vigjilentë.

E pesta: Ndalimi i guvernatorëve dhe nëpunësve publikë që të merren me tregti

Në një nga letrat e tij drejtuar nëpunësve të tij, Omeri thotë: “Ne besojmë se një guvernator apo nëpunës shtetëror nuk mund të merret me tregti deri sa është me detyrë në administratën shtetërore. Nëse nëpunësi shtetëror merret me tregti, me siguri ndonjëherë do të vjen në situatë ta abuzoi pozitën e tij, sado që të përpiqet ta shmang atë.”

Ai ishte i vetëdijshëm se tregtia e nëpunësve shtetëror do të shkaktonte një nga dy gjëra, nëse jo të dyja: ose do ta pakësonte angazhimin e tij për zgjidhjen e çështjeve të muslimanëve për shkak të detyrimeve të tij tregtare, ose do të abuzonte me pozitën e tij për t’i rritur fitimet në tregti.

Me këtë vendim Omeri e mbylli derën e rrezikshme të korrupsionit administrativ, pasojat e të cilit rrallëherë mbeten të fshehura. Tetë shekuj pas tij vjen Ibn Halduni i famshëm i cili në “Mukaddim-en” e tij madhështore, pas hulumtimeve të shumta dhe përvojave të shumta praktike, shkruan atë që e vërteton teorinë e sinqertë dhe të urtë të Omer Ibën Abdulazizit. Ibn Halduni thotë: “Tregtia e sundimtarit është e dëmshme për botën e zakonshme dhe e bën të vështirë kryerjen e detyrës së tij…”

E gjashta: Hapja e rrugëve të takimit të nëpunësve shtetëror me botën e zakonshme

Punonjësit e administratës së Sulltanatit para Omer Ibën Abdulazizit, e ndanë sulltanin nga bota e zakonshme dhe rreth tij ndërtuan gardh çeliku që nuk e kalonte dot njeri veç atij që u përshtatet atyre dhe interesave të tyre.

Omer Ibën Abdulazizi e shpërblente shumë këto që e informonte për gjendjen reale ose e këshillonte për diçka që ishte me interes për Islamin dhe muslimanët, si dhe për shtetin e tyre.

I urdhëroi punonjësit e tij që ta hapin derën për t’u takuar me përgjegjësit dhe për t’i dëgjuar dhe njohur me gjendjen e tyre, sepse kjo do ta parandalonte padrejtësinë dhe uzurpimin e të drejtave të të tjerëve. Në këtë mënyrë, çdokush mund t’i shpreh nevojat e tij, pa përdorur mjete dhe rrugë që nuk të bëjnë me Islamin.

E shtata: Marrja në pyetje e nëpunësve që ishin para tij për pronën nga Bejtul-mali

Kur Omer Ibën Abdulazizi e pranoi detyrën, urdhëroi arrestimin e guvernatorit të Horosanit, Jezid Ibën el-Muhel-lebit. Kur qëndroi para tij, Omeri e pyeti për paratë që kishte urdhëruar t’i jepeshin Sulejman Ibën Abdulmelikut, e ai tha: “Siç e dini, unë kam qenë shumë i afërt me Sulejmanin dhe nuk kam dëgjuar apo kuptuar se ai ka marrë ndonjë gjë që është për kritikë.”

Omer i tha: “Unë nuk shoh zgjidhje tjetër përveç arrestimit. Kije frikë All-llahun dhe pajtoni atë që ishte më parë, sepse ky është haku i muslimanëve, të cilin nuk kam të drejtë ta shpërfill.” Më pas e ktheu në burg ku qëndroi derisa mori vesh se Omeri ishte sëmurë. Omer Ibën Abdulazizi i monitoronte vazhdimisht guvernatorët e tij dhe i pyeste për veprimet e tyre ndërsa i ndëshkonte për mosveprimet e tyre. Njërit prej tyre ai i shkroi si vijon: “Ka gjithnjë e më shumë njerëz që ankohen për ty dhe gjithnjë e më pak njerëz që të falënderojnë, ose do të përmirësohesh ose do të heqësh dorë. Selam! “

Qëndrimi tillë i Omerit ndaj nëpunësve dhe monitorimi i vazhdueshëm i sjelljes së tyre dha rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe padrejtësisë. Omeri e inkurajonte botën e zakonshme që të thoshte hapur atë që kishin për të thënë kundër tij dhe punonjësve të tij, e këta e dinin se nga kjo do të përfitojnë. Ai kërkoi nga të gjithë që ta paralajmërojnë atë për çdo gjë që është në kundërshtim me Kur’anin dhe Sunnetin, sepse ai ishte i vetëdijshëm se Ummeti musliman nuk ka nevojë për asgjë tjetër përveç Kur’anit dhe Sunnetit dhe se ky është qëllimi përfundimtar i qeverisë.

Shpresoj se nga ky sqarim i shkurtër do të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë sot për ta korrigjuar së paku pjesërisht padrejtësinë që ka zënë vend në shoqërinë tonë dhe më në fund të nisemi drejt vendosjes së drejtësisë, e cila është kusht themelor për stabilitetin e një shoqërie.

Burimet:

  • Ali Muhammed es-Sal-labi, El-Halifetu er-rashid vel-muslih el-kebir Omer Ibën Abdulaziz, Dar Ibën Kethir, Damask, 2009.
  • Ebu Muhammed Abdullah Ibën Abdul-Hakem, Siretu Omer Ibën Abdulaziz, Darul-ilmi lil-melajin, Bejrut, 1967.
  • Abdullah Ibën Abdurrahman el-Har’aan, Eserul-ulemai fi el-hajati es-sijasijeti fi ed-devleti el-emevijjeti, Mektebetu Er-Rushd, Rijad.
  • Muhammed Ibën Meshib Ibën Selman, el-Kahtani, En-Numuzexh el-idari el-mustehlaslk Omer Ibën Abdulaziz, Menshurat Ummu el-Qura.

Përktheu: Lutfi Muaremi

602 Shikime