23.03.2014
Qëndrimi i gjatë ulur mund të të bëjë me aftësi të kufizuara

Studiuesit japin alarmin: qëndrimi ulur për orë të tëra në çdo moshë është një rrezik serioz për shëndetin, sidomos për të moshuarit, të cilët kanë të ngjarë të bëhen me aftësi të kufizuara.
Jeta sedentare apo qëndrimi ulur bën keq, shumë keq. Me sa duket nuk ka rëndësi se sa ushtrime fizike të moderuara bëni sepse çdo orë më shumë e qëndruar ulur e dyfishon rrezikun për aftësitë e kufizuara. Paralajmërimi vjen nga një studim i ri i botuar në gazetën e aktivitetit fizik dhe të shëndetësisë, dhe i kryer nga hulumtuesit e universitetit “Northwestern Medicine”, të cilët kanë zbuluar se pavarësisht moshës, personi që qëndron ulur më shumë se një orë krahasuar me një person tjetër ka të ngjarë që të bëhet 50% më shumë i paftë.
Vëzhgimi është bërë duke analizuar efektet e jetës sedentare te 2,200 njerëz të moshës mbi 60 vjeç. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të pajisur me sensorë lëvizës që duhet t’i vishnin gjatë orëve kur ata qëndronin zgjuar për të paktën katër ditë në javë. Më pas pjesëmarrësit janë vëzhguar në këtë mënyrë për rreth tre vjet. Sensorët masnin jo vetëm aktivitet fizike të lehta, por edhe ato të moderuarat, të tilla si bërja e pazarit, ecjet me hapa të shpejtë apo të rrjedhshëm. Në të njëjtën kohë sensorët masnin edhe periudhat kur pjesëmarrësit nuk bënin asnjë aktivitet. Rezultatet përfundimtare treguan se ata që ishin ende aktiv në kompleks paraqisnin shëndet më të mirë se ata që nuk ishin aktiv. Përveç kësaj, ata që qëndronin ulur rreth nëntë orë ose më shumë orë në ditë treguan një rënie të matshme në aftësitë fizike.
Sipas shkencëtarëve qëndrimi ulur për një kohë të gjatë mund të shkaktojë probleme të muskujve, ndërsa yndyra digjet më pak dhe gjaku rrjedh më me ngadalë. E gjithë kjo çon në pasoja të rënda për shëndetin dhe në zhvillimin e sëmundjeve të tilla si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare, obeziteti, por edhe aftësitë e kufizuara fizike. “Kjo është hera e parë që ne kemi treguar se si një sjellje sedentare lidhet me një mundësi të madhe të shkaktimit të aftësive të kufizuara, pavarësisht sasisë së ushtrimeve fizike të moderuara. Të jesh sedentar nuk është sinonim vetëm i pamjaftueshmërisë së aktiviteteve fizike”, shpjegon Dorothy Dunlop, profesoresha e mjekësisë së Universitetit “Northwestern Feinberg School of Medicine” dhe njëkohësisht udhëheqësja e këtij studimi.
Në fund të fundit, ajo që studiuesit gjetën është se qëndrimi ulur është një faktor rreziku për aftësitë e kufizuara pothuajse aq sa edhe mungesa e aktivitetit fizik, qoftë i lehtë, i moderuar apo i fuqishëm. “Kjo do të thotë se të rriturit më të vjetër kanë nevojë që të reduktojnë sasinë e kohës që kalojnë ulur, qoftë para TV ose kompjuteri, pavarësisht nga pjesëmarrja e tyre në aktivitet fizike të moderuara ose të fuqishme”, përfundon Dunlop.
Studimi, 50% e popullsisë në Shqipëri është mbipeshë
Mungesa e aktivitetit fizik, ka bërë që të dhënat për personat mbipeshë dhe obezë të kapin shifra alarmante. Sipas studimit demografik dhe shëndetësor në Shqipëri, rezulton se vetëm 46% e meshkujve dhe 58% e femrave kanë treguesit e masës trupore brenda normës së lejuar, ndërkohë që pjesa tjetër paraqesin probleme. Në studim u përfshinë meshkujt dhe femrat e moshës 15-49 vjeç dhe u mblodh informacion mbi gjatësinë dhe peshën e tyre, ndërkohë që pas përpunimit të të dhënave u bënë klasifikime sipas vendbanimit, rajonit, arsimit dhe indeksit të pasurisë.
Pas përpunimit të tyre rezultoi se 39% e femrave në moshën 15-49 vjeç në vendin tonë janë mbipeshë ose obeze. Nga të dhënat e studimit rezulton gjithashtu se femrat që jetojnë në rajonin bregdetar paraqesin shifrat më të larta të obezitetit, me 44.5%. Në studim u përfshinë edhe meshkujt dhe nga përpunimi i të dhënave rezultoi se 53,3 % e meshkujve në moshën 15-49 vjeç janë mbipeshë ose obezë. Për sa i përket grupmoshës, moshat 30-39 vjeç paraqisnin të dhënat më problematike, me 69 %.
Sipas një studimi europian, i publikuar në revistën “Preventive Medicine”, tregohet se në fundjavë, të rinjtë dembelosen më shumë, duke pasur bashkëpunëtorë të mirë televizorin dhe kompjuterin. Në përgjithësi, një e treta e adoleshentëve shohin të paktën dy orë televizor në ditë, ndërsa në fundjavë ky orar trefishohet. Jeta sedentare nuk ndihmon për një shëndet të mirë, tregon një tjetër studim i kohëve të fundit, i publikuar në revistën “Medicine and Science in Sports and Exercise”, nga i cili del se ekziston një lidhje shumë e ngushtë mes orëve të kaluara para ekranit dhe shëndetit kardiometabolik. /KBI-Bujanoc.com/
1702 Shikime