06.12.2013
Roli dhe pozita e Femres në Islam

Si çdo herë edhe këtë herë në fillim falënderimet, adhurimet i takojnë Allahut xh.sh., Zotit të botrave, salavatet dhe selamet tona çofshin mbi Pejgamberin a.s., familjen, shokët dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.
Të nderuar besimtar;, në këtë ligjeratë para jush do të paraqesim disa të dhëna për rolin që feja Islame i kushton gruas, përkatësisht nënës, femrës, dhe të drejtave të tyre.
Ska dyshim se Zoti e krijoi gjithësin dhe universin dhe gjithë çka ka në të. Me krijimin e universit, përgaditi edhe kushtet e krijimit të parë Ademit a.s., babait të njerëzimit, prej tij edhe nënën e njerëzimit Havanë, për ti dhënë domethënje e vlerë të merituar jetes mbi siperfaqen e Tokës. Allahu xh.sh. thotë: ’’ Vetëm krijova njeriun në formën më të përsosur.”.
Nga ky ajet Kuranor mësojmë se Allahu i dha njeriut atribute, cilësi që nuk u dha gjallesave të tjera, dhe kështu i besoi mëkëmbësinë mbi sipërfaqen e Tokës.
Me fillimin e zbritjes së Kur’anit u reflektuan edhe përmirësimet e para individuale dhe sociale duke i dhuruar të drejtat e veta çdokujt, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën dhe kombin. Islami të gjithë njerëzit i trajton të barabartë. Në Islam personaliteti ndërtohet me çiltërsi, dituri dhe moral, e jo me gjini dhe racë. Islami ngriti lartë pozitën e femrës, duke e liruar nga të gjitha llojet e robërisë.
Njeriu si mashkull ashtu edhe femra, u krijuan të lirë dhe duhet të jetojnë të lirë, me respekt të vazhdueshëm e të ndërsjellë në mes tyre.. Allahu i krijoi njerëzit që të njihen e të respektohen në mes tyre.
Allahu xh.sh. thotë;”O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, ju bëmë popuj e fise, që të njiheni ndërmjet jush, e ska dyshim se tek Allahu më I ndershmi ndër ju është ai që është ruajtur më tepër (nga të këqijat), e Allahu është shumë I dijshëm dhe hollësisht I njohur për çdo gjë”. (El-Huxhurat, 13).
Mund të theksojmë se gruaja asnjëherë gjatë historisë njerëzore nuk mori vendin e merituar në raport me burrin, derisa erdhi Shpallja e fundit dedikuar njerëzimit përmes Muhamedit a.s., i cili proklamoi kondita e ligje të një sistemi të ri jetësor për mbarë njerëzimin.
Ndoshta mu këtu qëndron urtësia që Islami i dha nderime të veçanta femrës, ngase ajo me paisjen e fëmijës me moral dhe edukatë të lartë, i hap shtigjet ndërtimit të shoqërisë në baza të shëndosha. Për kryerjen apo mos kryerjen e obligimeve të saj ndaj shoqërisë, Islami përcaktoi se ajo vetë do të jetë përgjegjëse për veprat e saj. Allahu xh.sh. thotë: “Askush nuk do të bartë barrën e tjetrit”. (El - En’am, 164).
Ti japim një vështrim gjendjes së gruas para ardhjes së Muhamedit a.s. – para shpalljes së fundit – Kuranit.
Para ardhjes së Muhamedit a.s. në mbarë botën femra zotëronte shumë pak të drejta, pavarësisht se ku jetonte . Ajo shitej si mall tregtar, ajo detyrohej të martohej pa dëshirën e saj, ajo linte trashëgim por nuk trashëgonte asgjë, ishte pronë e të tjerëve dhe vet nuk zotëronte asgjë.
Në Indinë e vjetër gruaja nuk kishte të drejtën e martesës, të trashëgimisë dhe asnjë të drejtë në fushat e tjera.
Në Gadishullin Arabik në kohën e injorancës zotëronte e njejta situate. Para Muhamedit a.s. – shpalljes së fundit, gruaja trajtohej plotësisht si mjet i plotësimit të epsheve të burrit, ajo ishte e privuar nga të gjitha të drejtat.
Femra sipas normave Islame ka të drejtë për liri të plotë të shprehjes së mendimeve të veta.
Po ashtu, është shumë me rëndësi të potencohet se rregullat juridike islame i dhanë gruas të drejtën e trashigimisë, gjë që më parë nuk e kishte. Allahu xh.sh. thotë: “Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti)”. (En-Nisa, 7).
Është e vërtetë se e drejta e trashigimisë është e dy gjinive edhe pse femra trashëgon një sasi më të vogël, por kjo ndodh për shkak se për mirëmbajtje të familjes janë të obliguar meshkujt e jo femrat, se femra e merr mehrin nga burri, kurse mashkulli duhet të japë. Në këtë mënyrë islam, ishte dhe do të mbetet luftëtar i përbetuar i të gjithë atyre që vajzat e veta i torturonin dhe i mbytnin, pa marr parasysh frikën nga varfëria apo arsyet tjera që nxirrëshin për ta justifikuar këtë krim.
Islami obligon për dashuri e respekt ndaj gruas, e jo dhunë, urrejtje, sharje, çfarëdolloj qofshin ato. I Madhi Zot në Kuran para 14 shekujsh, në shenjë respekti, nderimi e dashurie në mes gruas e burrit thotë:” Dhe nga faktet e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vet lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argument për njerëzit që mëndojnë”. (Er-Rum, 21). Edhe Muhamedi a.s. në një hadith thotë: ”Më i miri është ai që sillet më së miri ndaj grave, ato janë nënat e fëmijëve tanë”.
Nga ky ajet Kuranor mësojmë se gruaja është krijesa tek e cila burri gjen prehjen e tij, përmes kësaj prehje reflektohet mëshira dhe urtësia e të Madhit Zot që ka krijuar në mes qiftit bashkëshortorë. Gruaja është aq e shenjtë sa që Pejgamberi a.s. na thotë:”Xheneti është nën këmbët e nënës”.
Udhëzimi në vepra të mira dhe ndalimi nga e keqja, është një funksion mjaft i rendësishëm shoqëror ku duhet patjetër të inkuadrohen edhe burrat ashtu edhe gratë, secili sipas mundësive dhe aftësive të veta.
“Ai i cili prej jush e sheh ndonjë të keqe, le ta ndalojë, së pari me dorë, pastaj me gjuhë (me këshilla, e nëse nuk mundet, atëherë me zemër (le ta urrejë)”. Kjo përgjegjësi mjaft e madhe shoqërore, funksion i rendësishëm e i ndershëm nuk është vetëm privilegj i burrit.
Nga ajetet Kur’anore që i përmendem shihet qartë se në të merr pjesë të barabartë njësoj edhe gruaja, edhe ato e bartin një pjesë të përgjegjësisë.
Fjala e saj të dëgjohet edhe ajo duhet të ketë vlerën e vet shoqërore. Islami asaj këtë të drejtë ia ka siguruar.
Me një rast, po ashtu është marr parasysh qëndrimi i gruas, është vërtetuar mendimi i saj dhe ajo mjaft i afirmuar si faktor i rendësishëm, mendimi i së cilës duhej të cmohet dhe të merret parasysh sikur mendimi i burrit. Një herë, Omeri r.a. duke ligjeruar hutben, apeloi nga minberi që të pakësohet mehri. Njëra nga gratë e pranishme e kundërshtoi dhe e citoi ajetin e Kur’anit ku thuhet se mehri është e drejtë e gruas dhe se atë nuk guxon askush t’ia mohojë. Omeri menjëherë e korigjoi veten dhe tha: “Gruaja ka të drejtë, kurse Omeri ka gabuar”.
Që të mund gruaja të kryej me sukses detyrën dhe rolin e saj që ia ka caktuar Islami, ajo duhet të jetë e aftë fetarisht dhe profesionalisht. Ajo duhet të arsimohet në të gjitha lëmitë. Në këtë drejtim nuk ka kurrfarë dallimi në mes burrit dhe gruas.Zbritja e ajetit të parë dhe urdhëri “Ikre”, mëso, i dedikohet edhe burrit edhe gruas. Ajo duhet të bëjë gara në të arriturat shkëncore. Ajo siq thamë, në çdo aspekt është e baranartë me burrin. Për atë pse nuk është e aftë dhe e gatshme ta kryej detyrën e vet, mund të jetë fajtore shoqëria që e ka lënë pas dore rolin e saj dhe nuk kujdeset mjaftë për obligimin e saj, e jo pa aftësitë e saj natyrore. Sigurisht edhe gruaja posedon potencialet e njëjta të aftësive natyrore sikur edhe burri.
Duke pasur parasysh obligimet e barabarta, nga aspekti Islam, gruaja duhet të arsimohet njëjtë sikur burri. Këtë më së miri e ka sqaruar Muhamedi a.s. ku thotë: “Dituria, kërkimi i diturisë është obligim (farz) për çdo musliman dhe muslimane”. Këtu nuk guxon të ketë kurrfarë diskriminimi. Gruaja duhet ti njohë shkencat Islame dhe parimet Islame sikur burri, sepse është e obliguar me të njejtat detyra. Çdo gjë çka duhet mashkulli të dij në lidhje me dispozitat fetare, duhet të dij edhe ajo. Nuk guxon asgjë më pak se mashkulli të dij nga dispozitat e besimit, lutjes, moralit dhe jetës ekonomike-shoqërore etj.
Është e domosdoshme të arsimohet më tepër femra si nënë. Ajo duhet të jetë pedagoge dhe psikologe shumë e mirë. Në duart e saja formohet dhe edukohet njeriu. Ky është një funksion jashtëzakonisht i rëndë dhe i nderlikuar. Ende më tragjike është, se si pozita e femrës – nënës në mjediset muslimane është lënë pas dore.
Edhe pse të arriturat njerëzore në të gjitha fushat shkencore, prapëseprapë dhuna ndaj gruas në familje dhe jashtë saj është alarmante për shoqërin njerëzore.
Burri pa kurfarë arsye përdor fuqinë fizike, psikologjike për të ushtruar dhunë ndaj gruas, nëpërkëmbët dinjiteti, ato jetojnë në terrin e mashtrimit. Ato nuk trajtohen sipas rekomandimeve të Allahut xh.sh. dhe porosive të Pejgamberit a.s. Muhamedi a.s., për të tillët thotë:”Nuk i nderon gratë veçse një fisnik, dhe nuk i keqtrajton veçse një i lig”.
Dhunë ndaj grave ushtron vetëm i ligu, të cilit i mungon karakteri dhe edebi, dhe te ai person i cili nuk zë vend fjala e Allahut xh.sh.
Duhet fokusohemi pak edhe te shoqëria jonë kosovare për dhunën e ushtruar ndaj gruas. Dhuna është e shumëllojshme, si ekonomike , sociale, psikologjike që manifestohet përmes kërcënimeve fizike. Gruaja kërcënohet me shkurorëzim nëse nuk lind djalë, kjo është një injorancë, raste të tilla ka pasur dhe ka akoma edhe sot, kjo nuk mund të justifikohet asesi, duke menduar se kjo është rruga e zgjidhjeve të problemeve.
Burri ushtron dhunë ndaj gruas edhe kur është i dehur, në presionin e alkoholit, të cilat përfundojnë tragjikisht, kjo dukuri fatkeqësisht është e pranishme edhe në shoqërinë tonë kosovare. Dhuna në familje nuk duhet të jetë çështje e izoluar, po një situate me të cilën duhet të përballemi për ta zhdukur ose pakësuar në shoqërinë tonë. Muhamedi a.s. ua kujtonte shokëve të vet thënien:” Siç keni ju të drejta mbi gratë, edhe ato kanë të drejta mbi ju”.
Islami e ka shpëtuar gruan nga më e keqja dhe poshtërimi dhe nga nënshtrimi i burrave, dhe e ka ngritur në piedestalin më të lartë të ndershmërisë dhe respektit.
Me burrin ajo duhet të jetë grua ideale, e respektuar dhe e dashur, e gatshme për ta nderuar atë dhe familjen e tij, gruaja do të ishte e kënaqur sikur të gëzonte të gjitha të drejtat dhe dhuntitë që ia ka falur Zoti xh.sh.
Ju këshillojmë ti merrni parasysh të drejtat e grave, dhe për këtë të keni frikë Allahun. Ju i morët gratë si amanet nga Zoti; duke dhënë fjalën në emër të Allahut xh.sh., ju u bekuat me nderin dhe virtytin e tyre. E drejta e grave mbi ju është që tu siguroni atyre çdo veshje e ushqim në përshtatje me fenë dhe traditën.
Nga e gjithë kjo që u tha, nënkuptohet se të drejtat dhe liritë që ia dhuroi islami gruas qysh para 14 shekujve, janë të atilla saqë edhe sot e kësaj dite në shumë vende të botës femrat ëndërrojnë për një liri të atillë. Sa për ilustrim, po paraqesim nenin 217 të ligjit francez mbi të drejtat personale, ku thotë: “Femra nuk ka të drejtë që pasurinë e saj t’ia falë dikujt, e as t’ia huazojë e as të bëjë kurrfarë kontrate pa pëlqimin e burrit apo pjesëmarrjen direkte të tij në kontratë”.
“Gratë janë gjysma e njerëzimit”. – ka thënë i famshmi Sami Frashëri ynë.Në fund e lusim Allahun xh.sh. që të na ndihmoj të jemi në nivel ndaj përgjegjësive që na i ka dhënë emanet. Të na i beje kabull të gjitha ibadetet, dhe të na bëjë besimtarë të devotshëm.
Zyra e kryeimamit BIK
5781 Shikime