04.05.2023
Sadakaja për babain e vdekur e bëri të pasur!

www.kbi-Bujanoc.com
1 – „Sadakaja për babain e vdekur e bëri të pasur!”
Duke rrëfyer ëndrrën e tij, një dijetar islam, ndër të tjera ka thënë: “Kam parë në ëndërr një grup muslimanësh të cilët kanë vdekur dhe të gjithë ishin të lumtur dhe të kënaqur, përveç një plaku në mesin e tyre, i cili shkonte pas të tjerëve por ishte i pikëlluar dhe i shqetësuar. Në ëndërr e pyeta për shkakun e pikëllimit të tij, kurse ai m’u përgjigj: ‘Këta janë të gëzuar sepse familjarët e tyre, të cilët janë ende në dynja, po japin sadaka për ta dhe po bëjnë vepra të tjera të mira, kurse për mua askush nuk po e bën këtë.’ Une e pyeta atë: ‘A nuk ke ti ndonjë pasardhës në dynja që të japë sadaka për ty?’ Ai m’u përgjigj: ‘Unë e kam një djalë që punon në një lumë si zbardhues liri.’ Kur u zgjova shkova te lumi për të parë nëse ëndrra ishte e vërtetë. Dhe me të vërtetë, buzë lumit pashë një djalë të ri që e zbardhte lirin, duke përsëritur vazhdimisht një fjalë: ‘Skamje, skamje!’ Unë e pyeta: ‘O djalosh, çfarë don të thuash me ato fjalë?’ Ai m’u përgjigj: ‘Ajo don të thotë, se furnizimi im dhe i familjes sime është i dobët.’ Pastaj unë i thashë: ‘Pse nuk po jep sadaka për babanë tënd të vdekur?’ Ai m’u përgjigj: ‘Unë nuk posedoj asnjë pasuri.’ Megjithatë, u përpoqa ta nxisja që të jepte sadaka, kështu që i thashë: ‘Jep sadaka ndonjë gjë, qoftë edhe e parëndësishme.’ Pastaj i riu u zemërua dhe mori tri herë ujë me grushta nga lumi dhe i hodhi në breg, duke thënë: ‘Ja, kjo është sadakaja ime për babanë tim, sepse nuk kam asgjë tjetër.’ Natën e dytë, e pashë përsëri atë plakun në ëndërr, por tani ai ishte i lumtur dhe i gëzuar. E pyeta: ‘Cila është gjendja jote tani?’ Ai m’u përgjigj: ‘Ai uji i paktë që djali im e hodhi në breg si sadaka për mua, ishte shumë i dobishëm për mua dhe ajo sadaka më largoi pikëllimin dhe brengën. Unë shpresoj që Allahu t’i japë bereqet në pasurinë e tij dhe ta ketë me bollëk.’ Unë u habita nga përgjigja e tij, andaj thashë: ‘Ata tre grushta ujë nuk janë asgjë, nuk kanë vlerë, sepse djali yt nuk i ka dhënë të pijë të eturit, që ti të marrësh sevape prej saj.’ Atëherë plaku tha: ‘Kur ai i hodhi tre grushta ujë në breg, në atë moment në breg ndodhej një peshk që po i jepte shenjat e fundit të jetës, dhe kur ai e derdhi ujin mbi të, ai u ringjall dhe arriti të kthehej në lumë. Për shkak të asaj vepre të mirë të djalit tim për mua, Allahu i Lartësuar më ka shpërblyer shumë, dhe po e lus Allahun që djalit tim t’i japë të mira në këtë botë dhe në ahiret.’ Pas disa muajsh e mora vesh. se djali i atij plakut nga ëndrra ime ishte bërë një burrë jashtëzakonisht i pasur.”
Prandaj, mos kini turp të jepni sadaka qoftë edhe në sasi të vogël, sidomos në ramazan. Dijeni se bamirësia ndaj prindërve nuk përfundon pas vdekjes së tyre. Sepse, për shkak të bamirësisë që bëjmë për ta, Allahu i Plotfuqishëm na dhuron bereqet dhe pasuri në këtë jetë dhe i shpërblen begatshëm të gjithë ata që bëjnë vepra të mira dhe luten për prindërit e tyre të vdekur.
397 Shikime