Padrejtësia është e dëmshme, si për tjetrin, ashtu edhe për vetveten

13.01.2023

Padrejtësia është e dëmshme, si për tjetrin, ashtu edhe për vetveten


Padrejtësia është e dëmshme, si për tjetrin, ashtu edhe për vetveten

www.kbi-bujanoc.com

Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutben e sotme titullohet: Padrejtësia është e dëmshme, si për tjetrin, ashtu edhe për vetveten

Një nga gjërat më të shëmtuara që është e pranishme në shoqërinë tonë, e cila i prish marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe të cilën Allahu i Plotfuqishëm e përbuz, andaj dhe ia ka ndaluar Vetvetes dhe të tjerëve, është zullumi (dhuna, padrejtësia). Përkatësisht, shumë fqinjë i bëjnë keq njëri-tjetrit në mënyra të ndryshme, sikurse edhe miqtë, të cilët në këtë mënyrë tregojnë se nuk janë miq të vërtetë, kurse miqësia e tyre është vetëm justifikim për interesat e tyre personale; ndërsa padrejtësia më e rëndë kryhet nga fëmijët përmes mosbindjes ndaj prindërve të tyre.

Për shkak të gjithë kësaj që përmendëm, Allahu i Plotfuqishëm betohet për madhërinë dhe fuqinë e Tij, se do t’i ndihmojë ata të cilëve u është bërë padrejtësi, edhe nëse ata presin pak, se do të ngrihet perdja që qëndron ndërmjet Tij dhe lutjes së atij që i është bërë padrejtësi. Nga ana tjetër, Muhamedi (savs), i ka thënë disa hadithe në të cilat ka përmend ata persona të cilëve nuk u refuzohet duaja, dhe në secilin prej atyre haditheve e ka përmendur personin të cilit i është bërë padrejtësi.

Pra, zullumi – padrejtësia nuk është e mirë. Ajo është rruga që të çon në xhehenem. Dhe në parim, është shumë e rrezikshme, sepse asnjë padrejtësi nuk do të harrohet, ajo do të paguhet ose këtu në këtë botë, as atje në botën tjetër, ose në të dy botët.

Në lidhje me këtë, dua të ndaj me ju një ngjarje që ka ndodhur në Jordani. Përkatësiht, një burrë kishte vdekur dhe e kishte lënë pas një grua të re dhe një djalë të mitur. Vëllai i tij, do të thotë, xhaxhai, një ditë erdhi në shtëpinë e tyre dhe tha se ishte gati të birësonte dhe të rriste kushëririn e tij jetim dhe të kujdesej për pasurinë e tij. Nëna e fëmijës u pajtua me të dhe shkroi një autorizim duke i dhënë kunatit të drejtën e plotë për të disponuar pronën e djalit të saj.

Mirëpo, xhaxhai sapo e mori autorizimin, shiti gjithçka që i takonte kushëririt të tij, më pas i mori paratë dhe udhëtoi për në Amerikë. Ai atje u rregullua mirë. Gjeti një punë të mirë, u martua me një amerikane dhe krijoi familje. Gruaja e tij ishte edhe këshilltare e tij kryesore për investime, kështu që ata investuan të gjithë pasurinë e tyre në shitjen e makinave dhe në fund u bënë miliarderë. Në të njëjtën kohë, në anën tjetër, në Jordani, e veja e vëllait të tij dhe djali i saj jetonin në mjerim dhe varfëri. E vetmja gjë që arritën të bënin ishte gjetja e një donatori që do t’i jepte djalit një bursë për shkollimin e tij.

Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, xhaxhai vendosi të kthehej në Jordani dhe të investonte të gjithë pasurinë e tij atje. Bleu një tokë të madhe në një zonë shumë të zhvilluar të quajtur “Ummu Uzejneh“, në të e ndërtoi një vilë dhe hapi një kompani ndërkombëtare për shitje të makinave.

Kushëriri i tij, tashmë djalosh i ri, të cilit nëna e tij i tregoi gjithçka që kishte ndodhur, erdhi për ta vizituar xhaxhain e tij dhe i kërkoi t’ia kthente pronën që ky i fundit ia kishte marrë padrejtësisht. Mirëpo, xhaxhai i tha se ajo pronë më nuk ekziston, e përzënë nga vila e tij dhe e kërcënoi që të mos i afrohej më. I dërmuar dhe i zhgënjyer, djaloshi u kthye te nëna e tij.

Ajo që ndodhi më pas është në fakt thelbi i kësaj historie. Përkatësisht, xhaxhai e rregulloi vilën e tij sipas standardeve më moderne, e pajisi me teknologjinë më moderne dhe e dekoroi me mobiliet më luksoze, pastaj i dërgoi mesazh familjes së tij që të vinin nga Amerika në Jordani. I emocionuar për t’i parë përsëri dhe për t’u treguar atyre luksin ku jeton, ai vetë shkoi që t’i merrte në aeroport me makinën e tij të re. Mirëpo, lumturia e tij nuk zgjati shumë. Gjatë kthimit nga aeroporti ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku ku humbi jetën e gjithë familja.

Por ky nuk ishte fundi i tregimit. Në seancën e verifikimit të trashëgimisë, e cila u mbajt shumë shpejt, gjykata konstatoi se ky djalosh ishte trashëgimtari i vetëm ligjor i pasurisë së xhaxhait të tij. Kështu doli se Allahu i Plotfuqishëm kishte vendosur që xhxhai i tij të kujdesej për pronën e tij për 15 vjet, ta investonte dhe ta zhvillonte atë dhe pastaj t’ia kthente pronarit të saj të ligjshëm. Subhanallah!

Vëllezër të dashur!

Kjo padrejtësi nuk ndodhi vetëm në Jordani. Padrejtësi të tilla dhe të ngjashme ndodhin çdo ditë në mbarë botën. Thuajse nuk ka familje në të cilën nuk ka njerëz që nga xhelozia, zilia apo egoizmi u bëjnë padrejtësi të tjerëve. Jam i sigurt se edhe në familjet tona, si dhe në rrethin e njerëzve që i shohim shpesh ose herë pas here, ka zullumqar. Kjo, natyrisht, para nesh i paraqet disa detyra të rëndësishme. Së pari, duhet t’i paralajmërojmë për zullumin e tyre. Së dyti, duhet të ruhemi nga zullumi i tyre. Së treti, duhet ta lusim Allahun e dashur që t’i udhëzojë në Rrugën e drejtë që të pendohen për zullumin e tyre. Dhe, së katërti, nëse ata nuk heqin dorë nga zullumi i tyre, duhet ta lusim Allahun e dashur që të na kompensojë dëmin që ata na bëjnë me zullumin e tyre.

I lutem Allahut të dashur, që të na mbrojë neve dhe të dashurit tanë nga zullumi ynë dhe i njerëzve të tjerë. Amin!

Përshtati: Miftar Ajdini

409 Shikime