01.06.2022
Rëndësia e zbukurimit në Kurani Kerim

www.kbi-bujanoc.com
Hyrje
S'ka dyshim se prej gjërave tejet të rëndësishme në jetë, është "zbukurimi" që ka përmendur Allahu xh.sh. në shumë ajete të Kuranit dhe e ka bërë të qartë se ka një rol dhe ndikim të dukshëm në jetë. Posedon një lidhje solide me të gjitha sferat dhe fushat e kësaj jete si në aspektet e dukshme të saj, siç janë: veshmbathja, mjeti i transportit dhe vendstrehimi i tij, po ashtu edhe në aspektet e padukshme si: morali, sjellja dhe marrëdhëniet shoqërore. Pa dyshim që ky ka ndikim të theksuar edhe në karakteret e njerëzve.
Duke filluar nga sa u tha më sipër, nuk është për t’u habitur kur e shohim se Kurani Kerimi flet për zbukurimin e bukurinë, dhe e nxit njeriun që t’i përvetësojë ato në një masë më të madhe, kështu që t’i kushtojë rendësi pamjes së tij, që të jetë sa më e përsosur. Mirëpo, me keqardhje themi se kujdesi i myslimanëve për bukurinë nuk është në atë masë që porositi Krijuesi i Lartmadhërishëm, por është kufizuar në një koncept shumë të ngushtë karshi domethënies së kësaj fjale "ezZinetu"(1), që e gjejmë në shumë ajete të Kurani Kerimit, sikur të mos kishte ndonjë lidhje a ndikim në shumë pjesë të jetës, të cilat e shoqërojnë njeriun. Në disa raste shohim se si e kanë neglizhuar dhe anashkaluar në një masë të madhe, duke u ndikuar nga tekstet që e nënvlerësojnë zbukurimin dhe inkurajojnë që të jemi mistikë ndaj saj, pa u thelluar në studimin e argumenteve që tregojnë rëndësinë dhe rolin pozitiv e konstruktiv të kësaj dhuntie në jetën e njeriut, dhe dobitë e mëdha të saj.
Nëpërmes një studimi të mirëfilltë që do t'u bëjmë teksteve të Kuranit, të cilat flasin për stolisje ose kanë lidhje të ngushtë me bukurinë, duke përfshirë në këtë studim tematik dhe analitik edhe tekstet e hadithit dhe të praktikës së Resulullahit s.a.v.s., do të bindemi se Islami i ka kushtuar rëndësi të veçantë zbukurimit. Kurani Kerimi e ka diskutuar çështjen e zbukurimit në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke mos dalluar ndonjë anë nga të tjerat; ka folur rreth zbukurimit të njeriut, të kafshëve, bimëve, gjësendeve të ngurta, pa harruar bukurinë dhe stolinë e qiellit, duke përshkruar, para se të përshkruajë bukurinë sendeve trupore, bukurinë e botëkuptimeve shpirtërore.
Përmes këtij studimi do ta shohim qartë se sa e madhe është butësia e Allahut xh.sh. ndaj njeriut, kur e krijoi atë në formën më të bukur, duke i vënë në dispozicion shumë gjëra, të cilat mund t’i përdorë për zbukurim, siç janë: gurë të çmueshëm, xhevahire, diamante dhe stoli të tjera të ndryshme. Jo vetëm kaq, por për të krijoi stoli që do ta shoqërojnë gjatë natës dhe ditës. Gjatë ditës kopshte të mrekullueshme, ndërsa natën yje që ndriçojnë, dhe Hënën që shndrit. Me një fjalë, universin në tërësi Krijuesi i Lartmadhërishëm e ka bërë zbukurim e stoli, që dëshmon një interesim të madh nga ana Krijuesit Fuqiplotë për ta nxjerrë stolisjen e bukurinë në të gjitha krijesat e Tij.
A thua vallë, e kuptojnë myslimanët sekretin e zbukurimit pse është përmendur në shumë ajete, të cilat flasin për fuqinë e Allahut xh.sh. në qiell, dhe gjithë ç’ka krijuar në të, në mënyrën më të saktë.
Çfarë urtësie qëndron në përmendjen e zbukurimit mbas çdo bisede që zhvillohet rreth krijimit dhe përsosmërisë në qiell dhe yje. Pas tërë kësaj, qëndron pa dyshim urtësia e shkëlqyer.
Së fundi vihemi në dijeni se Allahu xh.sh. ka vendosur disa norma zbukurimi, për të na pastruar nga çdo e metë dhe gjë e pahijshme, ngase zbukurimi është një gjë e dashur dhe e parapëlqyer nga të gjithë njerëzit. Ata digjen flakë për ta arritur dhe për ta poseduar atë, që do të thotë se përdorimi i tij për qëllime të dëmshme e të pahijshme nga ana e djallit, është një gjë shumë lehtë, bile është prej mjeteve më të rrezikshme për ta gjuajtur njeriun dhe për ta shtyrë nga të dojë i mallkuari. Për këtë arsye është e domosdoshme që njeriu t'u përmbahet rregullave të Sheriatit, nëse do që kjo stolisje të jetë zbukurim i vërtet për të, si në këtë jetë ashtu dhe në jetën tjetër, dhe nëse do të shpëtojë nga pasojat e saj, dhe t’i korrë vetëm dobitë e të mirat e saj.
Në mbyllje, të themi se ajetet që aludojnë që të bëhemi mistikë ndaj stolisjes, apo kërkojnë të jemi sa më larg saj, nuk kanë për qëllim lënien dhe heqjen dorë prej zbukurimit e stolisë në tërësi. As nuk synojnë të shpallin luftë kundër saj, e as që ka kërkuar Allahu xh.sh. nga njeriu që të marrë një qëndrim armiqësor ndaj saj. Por gjithçka synohet përmes atyre ajeteve të cilat përmbajnë qortime të forta për ata që jepen pas zbukurimit e stolisë, se: njeriu të mos humbë ekuilibrin, dhe baraspeshën dhe, gjatë flakërimit dhe dëshirës për ta arritur atë në çdo mënyrë -përmes hallallit a haramit-, e të anojë ndaj stolisjes me tërë qenien e tij, dhe, për shkak të saj, t’i neglizhojë obligimet e tjera.
* * *
Krijuesi i Madhërishëm secilës prej krijesave të Tij, i ka dhuruar sasinë e mjaftueshme të bukurisë dhe ka zbukuruar çdo krijesë në masën që i përshtatet rolit dhe pozitës së saj në këtë jetë. Ne e dimë se krijesa më e çmueshme tek Allahu xh.sh. është njeriu, të cilin e ka bërë halife (mëkëmbës) në Tokë. Për këtë arsye njeriut i dha një masë të madhe të bukurisë e stolisë, dhe ky gëzoi kujdes të veçantë e gjithëpërfshirës nga Krijuesi i Plotfuqishëm ndërmjet tërë krijesave. Qysh në fillim të krijimit të tij, Allahu xh.sh. deshi që njeriun ta paraqesë në formën më të bukur dhe t’i japë pamje të ndritshme e tërheqëse nga gjithë krijesat tjera. Duke shfaqur haptazi këtë vullnet të Tij, tha:
Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.(2)
Ibën Kethiri, rreth komentimit të këtij ajeti, thotë: "Kjo është ajo për se është betuar Allahu xh.sh. se i Lartmadhërishmi njeriun e ka krijuar në formën dhe pamjen më të bukur, me qëndrim vertikal, me gjymtyrë të barabart e të njëjtë, njëkohësisht edhe të bukurë".(3)
Allahu xh.sh. në shumë ajete të Kurani Kerimit, vërteton interesimin e Tij për ta nxjerrë njeriun në ekzistencë në formën më të mirë e më të bukur. Prej atyre ajeteve:
Dhe Ai juve ju dha formën, e formën tuaj e bëri më të bukurën.(4)
Ky ajet është përmendur në dy sure: et-Tegabun dhe el-Gafir. Sejjid Kutubi, në lidhje me këtë, thotë: "Njeriu është gjallesa më e përsosur në Tokë për sa i përket përbërjes së fizionomisë, po ashtu është më i ngrituri nga aspekti i përbërjes së ndjenjave dhe kapacitetit të tij shpirtëror,... mu për këtë arsye njeriut i është besuar sundimi (hilafeti) në Tokë."(5
Po ashtu, ai, gjatë komentimit të ajetit "Dhe Ai juve ju dha formën, e formën tuaj e bëri më të bukurën", thotë se kjo është një inxhinieri në të cilën bashkohen përsosmëria me bukurinë, dhe bukuria ndryshon nga një formë tek një formë tjetër, mirëpo dizajnimi në vetvete është i bukur, dhe një prodhim i përkryer."(6)
Allahu xh.sh. na e tërheq vërejtjen për këtë dhunti - se na ka krijuar në atë mënyrë që krijimi ynë të duket i bukur dhe i pashëm - që ta kujtojmë Atë, kur thotë:
O ti njeri, po ç'të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd, Që është Bujar e i Urtë? I Cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!(7)
Ç’të mashtroi ty, aq sa t’i lësh anash obligimet ndaj Tij, me gjithë bujarinë e nderin e paparë që të bëri, duke të mbuluar me dhunti e begati. Nuk ta bëri njërën dorë më të gjatë se tjetrën, dhe as njërin sy më të madh se tjetrin, ose disa gjymtyrë të bardha e disa të zeza, po të bëri krijesë që qëndron drejt gjatë ecjes, e jo si shtazët...(8)
Në lidhje me bukurinë e njeriut dhe zbukurimin e pamjes së tij, ku fuqia e Allahut xh.sh. shkëlqen më së tepërmi, është: dhënia nga ana e të Lartmadhërishmit e një sasie të bukurisë shumë të madhe për Jusufin a.s., një sasi - e bukurisë - e paparë ndonjëherë para tij dhe as pas tij! Lidhur me bukurinë e tij dhe gjendjen e grave që e kishin parë bukurinë e Jusufit a.s. na flet Kurani famëlartë:
Kur e panë atë, ato u tronditën dhe i prenë duart e tyre e thanë: "Allahut I qofshim falë! Ky nuk është njeri, ky nuk është tjetër përveçse ndonjë melek i lartë!"(9)
Fjalitë: "... e thanë: "Allahut I qofshim falë! Ky nuk është njeri..." ato thanë nga habia, në shenjë lartësimi të Allahut, i Cili kishte krijuar një person aq të bukur e të pashëm nga lloji i njerëzve, dhe kjo do të thotë se ato nuk dinin ndonjë shembull të tillë në mesin e njerëzve, dhe se ai nuk ishte diçka tjetër përveçse një melek i paraqitur në këtë formë të shpikur, që i mahniste shikimet, e i merrte mendtë!(10)
Pa dyshim që njeriu duhet ta ruajë bukurinë që i ka dhuruar Krijuesi i Madhërishëm, dhe të kujdeset për të, sepse kjo është përgjegjësi që i ngarkohet atij. I Lartmadhërishmi thotë:
Pastaj në atë ditë do të pyeteni për të mirat (e Dynjasë)(11).
Krijuesi nuk u ndal vetëm tek krijimi i njeriut në formë të bukur, por vullneti dhe dëshira e Tij ishin që bukuria e njeriut të vazhdojë më tutje dhe pamja e tij të mbetet e bukur më tej. Andaj i krijoi njeriut kushtet dhe mundësitë që të kujdeset për bukurinë e tij, dhe pas kësaj atë e urdhëroi që të përfitojë prej tyre, në mënyrë që të vazhdojë në këtë jetë me bukurinë e tij dhe me pamje të mirë. Kjo është më se e qartë nga i Lartmadhërishmi, kur thotë:
O bijtë e Ademit, Ne krijuam për ju petk që ju mbulon pjesët intime (të turpit) dhe petk zbukurues.(12)
Imam Rraziu thotë: Kur i Lartmadhërishmi na tregon se urdhëroi Ademin dhe Havën a.s. të zbrisnin në Tokë, dhe Tokën e bëri vendqëndrim për ata të dy, e më pastaj na e bëri me dije se kishte zbritur në Tokë gjithçka për se njeriu kishte nevojë, siç është petku për mbulimin e pjesëve të turpit dhe petkun për zbukurim, se fjala - rishen - ka të bëjë me petkun zbukurues. Kjo fjalë është huazuar nga pupla e shpezëve, e cila luan rolin e mbulesës dhe zbukurimit tek ato, domethënë: Ne ju zbritëm juve dy petka: njërin për t’i mbuluar pjesët intime kurse tjetrin për t’u zbukuruar, sepse zbukurimi është gjë e lejuar dhe synim i vërtetë, sikur thotë i Lartmadhërishmi: për t'u hipur atyre dhe si stoli.(13)
Dhe thotë po ashtu: Në to (në kafshët) ju shihni hijeshi.(14).(15).
Ibën Kethiri thotë: "Ishte një privilegj prej Allahut xh.sh. ndaj robërve të Tij, kur bëri për ta dy lloje petkash, petk për t’u mbuluar dhe petk për t’u zbukuruar. Petku i parë në ajet - libas- është për të mbuluar avretin (pjesët intime), kurse i dyti – riiash- është bërë për të zbukuruar pamjen e jashtme. Pra, e para është prej të domosdoshmeve, ndërsa e dyta prej gjërave plotësuese, komoditeti"(16).
Nga komentimi i këtyre dy komentatorëve të ajetit të sipër përmendur, duket qartë; se Allahu xh.sh. për bijtë e Ademit a.s., ka zbritur dy petka, njëri për të mbuluar avretin (turpin), kurse tjetri një petk i bukurisë dhe i stolisë, i cili njeriun e paraqet në formë të bukur dhe me pamje të mirë, dhe atë e zbukuron në sy të të tjerëve. Ky është, pa dyshim, një favorizim prej Allahut xh.sh. dhe një privilegj i madh, sepse zbriti nga qielli atë që është shkak dhe mjet për t’u zbukuruar e stolisur. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me rrobat, po, bashkë me rrobat, përfshin gjithashtu edhe shtrojën (mobilierinë) e tij, shtëpinë dhe gjërat që e shoqërojnë atë, siç dëfton fjala (? )????në ajet. Këtë komentim ia kanë bërë edhe Ibën Sekiti17 dhe shumë komentatorë të tjerë, - që fjala (riish), përmban në vete dëshmi të mëdha se Allahu i Madhërishëm e ka ngritur flamurin e bukurisë në çdo send. Këtë e vërtetojnë gjithashtu edhe ajetet në vijim:
“Ngjyrosje e All-llahut, e kush ngjyros më mirë se All-llahu"(18)
"O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz (lutje), hani dhe pini e mos e teproni, sepse Ai (All-llahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)"(19).
Thotë Elkija El-Herrasi: "Ajeti na jep të kuptojmë se është urdhër që të zbukurohemi për çdo xhami, për veprën e cila lidhet me xhaminë, në shenjë madhërimi për xhaminë dhe veprat që bëhen në të, si p.sh: itikafi (izolimi), namazi dhe tavafi, e nuk nënkupton me “vishuni bukur” vetëm mbulimin e avretit në namaz, sepse pjesa që është obligim të mbulohet në namaz (avreti) -prej kërthizës deri tek gjunjët nuk quhet zbukurim"(20).
Imam Ibën Kethiri thotë: "Për shkak të këtij ajeti dhe të asaj që ka ardhur prej Synetit në lidhje me kuptimin e këtij ajeti, është e mirëseardhur që gjatë faljes -namazit- dhe sidomos ditën e xhuma dhe ditën e bajramit, përdorimi i parfumit, sepse është prej stolisë, e po ashtu dhe pastrimi i dhëmbëve konsiderohet si plotësim i tërë kësaj, kurse veshja më e pëlqyer është ajo me ngjyrë të bardhë"(21).
Biri i Omerit r.a. transmeton nga Resulullahi s.a.v.s. të ketë thënë: “Nëse ndonjëri prej jush i ka dy rroba, le të falet me to..."(22) Et-Temimiju thotë: "Një rrobë mjafton, kurse dy palë është më mirë, e katër palë rroba janë edhe më mirë"(23).
Ajeti i lartpërmendur na bën të kuptojmë se secili mysliman duhet ta zbukurojë pamjen e tij kur t’i drejtohet Allahut xh.sh. gjatë adhurimit, dhe sidomos gjatë namazit. Pa marrë parasysh se a është urdhri në formë obligimi a preferimi, ajo që kërkohet prej tij është që të zbukurohet dhe t’i veshë petkat më të mira që ka, sepse Allahu xh.sh. ka kërkuar nga falësi që ta marrë bukurinë dhe stolinë e tij tek çdo xhami. Kjo domethënë më shumë se mbulimi i avretit,(24) siç na e bën me dije edhe komentatori i lartpërmendur el-Herrasi.
Po ashtu kjo është porosi edhe e Resulullahit s.a.v.s., dhe e shokëve të tij. Ata e kanë kuptuar se qëllimi i ajetit nuk është mbulimi i avretit, por zbukurimi dhe përdorimi i sa më shumë rrobave dhe sa më të mira në namaz. Sahabët r.a., ishin të përkushtuar që të visheshin sa më mirë e sa më bukur gjatë faljes së namazit, megjithëse kishin mungesë të petkave, siç njofton fjala e Resulullahut s.a.v.s.: "A thua secili prej jush ka mundësi të gjej dy palë rroba!"(25) - kur ishte pyetur për faljen e namazit me një rrobë. Pasi një njeri e pyeti Omerin r.a. rreth veshjes së këmishës dhe mbulesës së kokës e llojeve të tjera të veshjes në namaz, ai tha: "Nëse Allahu e zgjeron (mundësinë e pasurisë), atëherë zgjerojeni edhe ju (shpenzimin e saj)"(26).
A thua e kuptojnë myslimanët qëllimin dhe mesazhin që ngërthen në vete ky ajet, në ditët tona?! Disa myslimanë falen me rroba gjumi, sikur të ishte kjo një dukuri vetëm shtëpiake! Por, kemi raste kur disa prej tyre falen edhe në xhami me rroba gjumi! Por, ka edhe më keq: Disa i kemi parë të falnin namazin e xhumasë me aso rrobash!. A thua kanë ndonjë arsye, sa kohë që dihet se tash ka sasi të mjaftueshme dhe lloje të ndryshme rrobash, shyqyr prej Zotit. Apo ndoshta janë prej mistikëve!!?
Dihet mirë se çdo ceremoni, manifestim, tubim ose detyrë etj., ka veshjen e vet dhe një ngjyrë që i përshtatet në varësi nga rasti dhe vendi. Po ashtu çdo profesion ka veshjen e tij të veçantë; ajo që vishet në dasma e gazmende, nuk është e përshtatshme të vishet në raste varrimi e ngushëllimi. Po ashtu rrobat që janë të përshtatshme për sport, nuk janë të përshtatshme si veshje zyrtare, dhe anasjelltas. Kjo nuk është risi e kohës sonë, por kështu ka qenë edhe në të kaluarën, sepse veshja duhet t’i përshtatet vendit, kohës, pozitës dhe ceremonisë, si për nga modeli, ashtu edhe nga ngjyra. Sheriati nuk i ka ndaluar këto specifika që u përmendën në lidhje me veshjen dhe pamjen e saj, veçse i ka pëlqyer dhe ka urdhëruar që të respektohet e tërë ajo që u tha më sipër, duke i inkurajuar besimtarët për një gjë të tillë.
Ka qenë traditë e Resulullahit s.a.v.s., që të vishte rroba llojesh të ndryshme. Për xhuma vishej ndryshe nga ditët e tjera, ndërsa për bajram vishte rroba enkas.
Thotë Ibën Kajjim el-Xhevziu: "Vishte - aludon në Resulullahin s.a.v.s.- gjatë daljes në ato dy ditë, rrobat më të bukura të tij. Kishte një rrobë që e vishte për bajram dhe xhuma, nganjëherë vishte dy rroba(27) ngjyrë të gjelbër, nganjëherë të kuqe"(28). Thotë më tutje: "Preferohet të vishen rrobat më të mira që është e mundur, në atë ditë – të xhumasë -, ngase Imam Ahmedi transmeton në Musnedin(29) e tij, nga Ebu Ejubi r.a., dhe thotë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., duke thënë: Ai që pastrohet ditën e xhumasë dhe parfumohet, nëse ka, dhe vesh rrobat më të mira e vjen në xhami, do të jetë pastrim (nga mëkatet) për të në mes dy xhumave"(30).
Të veshurit sa më bukur, dhe kujdesi ndaj pamjes sonë, që të jetë sa më e bukur, nuk përkufizohet vetëm gjatë kohës së faljes, ose në xhami, por nga myslimanët kërkohet që t’i kushtojnë rëndësi pamjes së tyre në jetën e përditshme, që të duken sa më të bukur e më të pashëm, kudo që të gjenden, sepse fjala e Lartmadhërishmit: Thuaj: "Kush i ndaloi bukuritë që All llahu i krijoi për robërit e Vet?"(31) është më tepër se kaq dhe më gjithëpërfshirëse dhe përfshin çdo gjë që zbukuron e ia shton bukurinë njeriut. Imam Rraziu thotë:"Ajeti përfshin të gjitha llojet e zbukurimit dhe stolisjes; aty hynë po ashtu edhe pastrimi i trupit në të gjitha mënyrat, hyn edhe ajo që na bart -mjetet e transportit-, hyjnë gjithashtu dhe llojet e stolive, sepse të gjitha përdoren për t’u zbukuruar. Dhe, sikur të mos ishte teksti që për burra ndalon arin, argjendin dhe mëndafshin, edhe këto po ashtu do të ishin përfshirë"(32).
Ajeti po ashtu demanton në mënyrë të rreptë pretendimet e atyre që nuk preferojnë të hanë ushqime të lezetshme dhe të veshin rroba të shtrenjta, sepse për lënien e asaj që është e mirë dhe e dobishme, nuk ka asketizëm. Për këtë arsye, ajeti ka ardhur në formë pyetjeje, që ngërthen në vete refuzimin dhe mospëlqimin nga ana e Allahut xh.sh. ndaj atyre që duan t’i ndalojnë ato për veten e tyre, ose t’ua ndalojnë të tjerëve. Sepse forma pyetëse me fjalën:- kush"- përdoret në gjuhën arabe për të demonstruar kundërshtimin në formën më të lartë, që paraqet një kundërshtim shumë të ashpër për ata që ndalojnë të mirat, bukurinë dhe stolinë që Allahu i ka lejuar dhe krijuar për robërit e Tij.(33)
Gjithashtu ky mohim ka ardhur edhe nga Resulullahi s.a.v.s.. Transmetohet nga Xhabiri r.a. të ket thënë: “Na erdhi njëherë Resulullahi në shtëpinë tonë për vizitë, e pa një burrë më flokë të çrregulluar, e tha: "A nuk ka mundur të gjejë ky ndonjë gjë për t’i qetësuar flokët e tij”?! Dhe pa një tjetër me rroba të ndyta, e tha: "A nuk ka mundur të gjejë ky diçka për t’i larë rrobat e tij”?!(34).
Transmetohet nga Ebi Ahvas, nga babai i tij, i cili thotë: "Erdha tek Pejgamberi s.a.v.s., me rroba të këqija, e ai më tha: A ke pasuri? I thashë: Po. Tha: Nga cili lloj? I thashë: Allahu më ka dhënë pasuri nga devetë, delet, kuajt, dhe robër. Më tha: Nëse të ka dhënë Allahu pasuri, atëherë le të duken në ty gjurmët e begatisë dhe bujarisë së Allahut"(35).
Transmeton Muslimi prej Katades r.a., i cili thotë: “I thamë Enes ibën Malikit(36): Cilat rroba i donte Resulullahi s.a.v.s., më së shumti, ose e tërhiqnin më së tepërmi atë? Tha: - elhiberatu- të zbukuruarat me vija".(37)
Imam Neveviu gjatë shpjegimit të këtij hadithi thotë: "(elhiberatun) janë rrobat prej liri të ngjyrosur, e të zbukuruara"(38).
Transmetohet nga Berai ibën Azibi, që thotë: “Resulullahu s.a.v.s. i kishte flokët të gjatë gjer tek pulpat e veshëve, dhe e kam parë me një rrobë të kuqe, nuk kisha parë ndonjëherë diçka më të bukur se ajo"(39). Kjo është prej mëshirës së Islamit e gjerësisë së tolerancës së tij, dhe prej butësisë madhështore të tij me njerëzit, sepse u dëshiron dhe u rekomandon të veshin rrobat më të bukura e më të mira, pa përcaktuar ndonjë formë a ngjyrë të veçantë.Kjo është një nga urtësitë e tij të shumta, që e bëjnë atë të përshtatet me çdo kohë dhe me çdo traditë.
Me këtë bëhet e ditur se Allahu xh.sh. ka respektuar shijet e njerëzve në Sheriatin e Tij, duke mos përcaktuar dispozita që ndeshen me karakterin e shëndoshë njerëzor në lidhje me veshjen, por i la të lirë të zgjedhin çfarë dëshirojnë nga modelet, ngjyrat, dhe gjerësia e petkave, me kusht që petku të mos jetë transparent e as përshkrues i pjesëve të trupit, dhe ta mbulojë avretin(40) e tyre.
Transmetohet nga Semrete nga Resulullahu s.a.v.s., të ketë thënë: "Vishuni me rroba të bardha, se ato janë më të pastra..."(41). Arsyeja se pse Pejgamberi a.s. parapëlqente ngjyrën e bardhë, është pastërtia dhe jo vetë ngjyra, sepse transmetohet po ashtu se ai kishte çallmë të zezë dhe kishte rroba të zeza. Prej veçorive të Islamit është se i ka kushtuar rëndësi të madhe pastërtisë dhe shndritshmërisë, si në petka ashtu dhe në gjësende të tjera. Nga kjo prizëm rrjedh edhe përparësia e një ngjyre ndaj tjetrës, jo nga vetë ngjyra.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm për bukurinë e ngjyrës së zezë, e cila në shumë raste ua kalon ngjyrave të tjera. Kemi modele me të cilat bukuria nuk mund të arrijë kulmin e saj përveçse përmes ngjyrës së zezë. Dhe shpesh ndodh që njeriut t'i pëlqejë ndonjë gjë për ta blerë, por vetëm me kusht që të jetë e zezë, se përndryshe nuk pajtohet për ndonjë nga ngjyrat e tjera.
Gjithashtu, për sa i përket çmimit të rrobave a shpenzimeve të veshjes e mbathjes, Sheriati nuk ka kufizuar ndonjë çmim të caktuar po këtë çështje e ka lënë të hapur sipas mundësive të njeriut dhe gjendjes së tij sociale, si dhe standardit të jetesës që gëzon ai.
Transmetohet nga Enes ibën Maliki r.a. se mbreti i Jemenit i dhuroi Resulullahut s.a.v.s. një rrobë, të cilën e kishte blerë me tridhjetë e tri (33) deve, dhe ai e pranoi(42).
Po ashtu transmetohet nga Is'haki r.a. se Resulullahu s.a.v.s. kishte blerë një rrobë me 27 deve të reja, dhe ia kishte dhuruar mbretit të Jezenit(43).
Këtë që u tha, e përforcon edhe fjala e Ligjdhënësit në Kur’an: Dhe shpalli dhuntitë e Zotit tënd!(44).
Dhe, për të ruajtur bukurinë e njeriut dhe pamjen e tij të mirë, i Dërguari i Islamit s.a.v.s., dhe fukahatë e këtij Ymeti lejuan gjëra të tjera pos veshjes, siç janë: heqja e qimeve në fytyrë, prerja e gjymtyrës së tepërt, po edhe nëse është nevoja, të shtohet ndonjë gjymtyrë nga jashtë, siç është zëvendësimi i ndonjë pjese të humbur në ndonjë aksident.
Transmetohet prej Arfexhete ibën Es'ad, nga gjyshi i tij: "Se i është goditur hunda në një betejë, e quajtur Jevmul Kilab, dhe më pastaj e kishte zëvendësuar me një hundë prej argjendi, po megjithatë kishte filluar të infektohej e të ndotej - pjesa në të cilën ishte vendosur ajo-, mirëpo Resulullahu s.a.v.s. e urdhëroi atë që të bënte një hundë prej ari"(45).
Edhe dijetarët e medh'hebeve lejonin që burri t'i hollonte vetullat nëse kishte pamje të shëmtuar nga trashësia e tepërt(46).
Ibën Abedini thotë: "Ndalimi i hollimit të vetullave, ndukjes së qimeve, është e ndaluar nëse bëhet për t’u zbukuruar për të huaj, mirëpo nëse në fytyrën e gruas ka qime, të cilat shkaktojnë që burri i saj t’i shmanget asaj, ndalimi i heqjes së tyre është jashtë logjikës, sepse zbukurimi për femrat është një gjë e kërkuar... dhe nuk ka gjë nëse i pret qimet e fytyrës, me kusht që të mos i ngjajë (muhanethit)(47) - gjinisë asnjanëse-hermafroditit"(48).
Dijetarët e medh'hebit maliki thonë: "...ndërsa, për sa u përket grave/femrave, ato duhet të heqin çdo gjë që, me mënjanimin e saj i shtohet bukuria, dhe duhet të lihen çdo gjë që në lënien e saj është bukuria"(49).
Xhabiri r.a. thotë: "Resulullahu s.a.v.s., e ka ndaluar goditjen në fytyrë, dhe (elvesëm) vënien e damkës (shenjave me anë të djegies) në të"(50).
Nga kjo kuptohet se ndalimi i goditjes në fytyrë, ose ndalimi i vënies së shenjës me anë të djegies, bëhej vetëm për një arsye, që ishte; ruajtja e bukurisë së pamjes së tij, që të mos shkaktohet ndonjë deformim në formën dhe pamjen e tij, në atë mënyrë që do ta dëmtonte atë dhe t’u shkaktonte dëme edhe atyre që e shohin dhe e shikojnë atë. Islami po ashtu ka ndaluar çdo veprim që shëmton fytyrën e kafshëve.
Transmetohet nga Xhabiri r.a.: "Pejgamberit s.a.v.s. i kishte kaluar pranë një gomari, të cilit i kishin bërë një damkë (shenjë me djegie) në fytyrë. Tha: Allahu e mallkoftë atë që e ka damkosur"(51).
Mirëpo, dihet mirë se vënia e ndonjë shenje tek kafshët, pos në fytyrë, është e lejuar për ta njohur pronari i saj. E, kur dihet që gomarit nuk i intereson dhe atë nuk e dëmton në cilindo vend që t’i vihet shenja, atëherë nuk mbetet para nesh ndonjë urtësi për ndalimin, përveçse për të ndaluar pamje të shëmtuara në jetën e përditshme, qofshin ato pamje nga mesi i njerëzve apo i kafshëve(52).
Bukurisë e zbukurimit të pamjes, i bashkohet edhe zbukurimi i shtëpisë, kopshtit dhe vendit ku jeton njeriu, në atë mënyrë që të përshtatet pamja e tij me gjërat përreth, sikur janë mobiliet, shtëpia dhe mjeti që i shërben.
Fukahatë i kanë lejuar për t’u përdorur po ashtu disa gjëra për zbukurimin e shtëpisë, edhe pse ato ishin të ndaluara të përdoreshin për zbukurimin e meshkujve. Këtë e gjejmë në enciklopedinë e fikhut: "Lejohet zbukurimi dhe stolisja e shtëpisë me mëndafsh, enë të arit e të argjendit (për dekorim) tek Hanefitë. Gjithashtu edhe Malikitë kanë lejuar stolisjen e mureve, tavaneve dhe drunjve të shtëpisë dhe mbulesën e saj me ar dhe argjend"(53).
Ky është edhe mendimi i Shafive, por me disa modifikime. Këta e kushtëzojnë që enët që përdoren për ushqim, të jenë vetëm të ngjyrosura me ar dhe argjend, jo të punuara nga ari dhe argjendi. Këto kushte vlejnë edhe për zbukurimin e mureve, tavanit, për Qabenë apo Musafin etj.(54).
Nga kjo shihet qartë kontributi i madh i Imamëve të shkollave juridike islame, dhe kujdesi i tyre i pashoq për t'i ofruar njeriut një mjedis sa më të bukur ku jeton ai. Kjo shfaq shumë qartë kujdesin e tyre të madh për një pamje të bukur, si për njeriun ashtu dhe për gjërat që ndodhen në mjedisin e tij. Ata u munduan deri në atë masë, saqë lejuan edhe përdorimin e disa gjërave që ishin të ndaluara për disa veprime, vetëm e vetëm për t’i dhënë një shtytje të bukurës në përgjithësi, me tërë atë që posedonin. Kjo, sepse ata kishin shijen e Kur’anit në këtë çështje, dhe i shijonin gjërat me shpirtin e pastër e të liruar nga çdo ndikim, përveç ndikimit të Kur’anit famëlartë, e më pastaj shfaqnin mendimet e tyre. Ndoshta kjo është arsyeja pse mendimet e tyre u bënë të pavdekshme dhe u pranuan nga myslimanët sikur të ishin tekste të shenjta, kurse mendimet e të tjerëve nuk arrinin të mbijetonin as brezin në të cilin ishin shfaqur..!
Ç ‘është e ndaluar nga zbukurimi në fjalë?
Prej mirësisë së Islamit dhe butësisë së Sheriatit të tij, është kujdesi i veçantë dhe interesimi i madh që bënë për ta pastruar këtë lloj zbukurimi "zbukurimin e pamjes së njeriut" nga çdo gjë që mund ta njollosë atë, dhe eliminimin e çdo elementi që synon ta keqpërdorë ose orientojë nga qëllime që nuk janë të lejuara, qëllime dhe synime për të cilat nuk është krijuar, në esencë, as bukuria e as zbukurimi. Dhe, për ta ruajtur nga njollosja këtë dhunti, Resulullahu s.a.v.s. na tregon se çfarë ndalohet nga kjo:
Transmetohet nga Ibën Omeri r.a. se kishte parë një njeri tek zvarriste (izarin)- rrobën e tij të poshtme. I tha: "Prej nga je? Ai e njoftoi se ishte prej fisit Lejth. Djali i Omerit, pasi e njohu, tha: E kam dëgjuar Resulullahun s.a.v.s., me dy veshët e mi, duke thënë: Atë që zvarrit (izarin) (55) rrobën e tij përtokë me qëllim që të tregojë kryelartësi, Allahu nuk do ta shikojë Ditën e Kiametit"(56).
Në këtë hadith, si dhe në shumë hadithe të tjera, Resulullahu s.a.v.s. e bën të qartë se mendjemadhësia dhe kryelartësia janë haram - të ndaluara rreptësishtë -, dhe sidomos nëse demonstrohen me anë të rrobave ose me anë zbukurimesh të tjera, cilat do qofshin ato. Kush e përdor këtë dhunti si mjet për t’u lartësuar mbi njerëzit e për t’u treguar mendjemadh ndaj vëllezërve të tij, në atë mënyrë që t’i bëjë ata të ndihen të nënçmuar a më poshtë se ai, ose se është më i mirë se ata, si shpërblim për atë është që Allahu xh.sh, nuk do ta shikojë në Ditën e ringjalljes. Arsyeja pse është bë haram një sjellje e tillë, është, sepse ai e ka përdor atë pa vend, në mënyrë të gabuar. Në vend që të zbukurohet për njerëzit dhe në zemrat e tyre t’i zgjojë ndjenjat e lumturisë kur ta shikojnë atë, ai mundohet të nxisë ndjenjat e nënçmimit, mosrespektimit dhe të varfërisë tek ata. Prandaj meriton shpërblimin e lartpërmendur. Kjo është bërë me dije edhe në Kur’an:
Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde ndaj njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se All-llahu nuk e do asnjë mendjemadh dhe që lavdërohet shumë.(57)
Këto tekste të pastra, na e bëjnë të qartë se ai që do që "zbukurimi i pamjes" së tij, të jetë i pastër nga çdo e pahijshme, dhe të shpërblehet për të, nuk kërkohet prej tij përveçse të heq dorë nga mendjemadhësia kryelartësia gjatë ecjes dhe gjatë bisedës me vëllezër e njerëz të tjerë.
Resulullahu s.a.v.s. e ka bërë të qartë pa dyshim perin e bardhë nga i ziu, në këtë çështje, në hadithin që vijon:
Transmeton Ibën Mes'udi r.a., nga Resulullahu s.a.v.s., të ketë thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai që në zemrën e vet përmban mendjemadhësi qoftë edhe sa grimca e atomit. Një njeri tha: Njeriu dëshiron që rrobat e tij të jenë të bukura dhe këpucët e tij të jenë të bukura. Tha: Me të vërtetë Allahu është i bukur dhe e do bukurinë, mendjemadhësia është lartësimi ndaj së vërtetës, injorimi i së drejtës, dhe nënçmim i njerëzve(58).
Kjo është ajo se si duhet të sillemi gjatë përdorimit të zbukurimit dhe stolisë në jetën e përditshme. Ndërsa ajo që është e ndaluar -haram- për t’u zbukuruar e për t’u stolisur me të, janë ari dhe mëndafshi për meshkujt, nëse përdoren si veshje, sa kohë që për femra janë të lejuar.
Gjithashtu është e ndaluar për të dy gjinitë - meshkuj e femra – të pinë e të hanë në enë të arit dhe argjendit. Këtë e bën të qartë Resulullahu s.a.v.s. në hadithin e tij: "Na ka ndaluar Resulullahu s.a.v.s., të pimë në enë të arit dhe argjendit, e të hamë në to, dhe prej veshjes së mëndafshit dhe uljes mbi të"(59).
Po ashtu nga gjërat e ndaluara nga zbukurimi bëjnë pjesë zbukurimet që formojnë ngjashmëri në mes dy gjinive - mashkullit e femrës -. Sepse Resulullahu s.a.v.s. thotë: "Allahu i mallkoftë gratë të cilat u përngjajnë burrave - në veshje -, dhe burrat, që u ngjajnë grave"(60).
Ibën Dakik el-Ijdi e ka saktësuar se cila ngjashmëri është haram (e ndaluar), dhe deri në ç’masë tolerohet t’i ngjajnë njëri-tjetrit. Thotë: "Ajo që është enkas për to, si për nga lloji i rrobave, po ashtu edhe nga forma, ose ajo që të shumtën përdoret për femra, dhe anasjelltas"61.
Pa dyshim që përngjasimi në mes dy gjinive është haram (e ndaluar), por problemi qëndron në faktin si ta kuptojmë këtë ngjashmëri? A duhet ta kuptojmë siç e kuptojnë disa, të cilët nga ekstremizmi i tepruar, kanë arritur në masën sa duan të bëjnë një ndarje drastike në mes dy gjinive, dhe këtë paralelizëm ta praktikojnë në të gjitha llojet e veshjes. Apo duhet ta kuptojmë, siç e ka kuptuar Ibn Dakiku: Ngjashmëri konsiderohet ajo që është e veçantë për njërën palë dhe jo për tjetrën, apo që përdoret zakonisht vetëm për njërën gjini. Kjo varet nga tradita dhe mjedisi ku jetojnë, si mashkulli ashtu edhe femra. Nga kjo kuptojmë se kemi rroba që i përshtaten si mashkullit ashtu edhe femrës njësoj, kështu që nuk hyjnë në "ngjashmërinë" ose në rrethin e "mallkimit", që i përmend Pejgamberi s.a.v.s..
924 Shikime