Sadakaja për hir të Zotit dhe sinqeriteti për këtë vepër

09.05.2022

Sadakaja për hir të Zotit dhe sinqeriteti për këtë vepër


Sadakaja për hir të Zotit dhe sinqeriteti për këtë vepër

www.kbi-bujanoc.com

Transmetohet nga Ebu Hurejra r.a. se kishte ardhur një njeri tek i Dërguari a.s. dhe i paska thënë:

”O i Dërguari i Zotit, cila lëmoshë (sadaka) është më me vlerë ose më e shpërblyera?. Ai tha: “Të japësh lëmoshë kur je i lirë dhe i shëndoshë,të frikësohesh nga varfëria dhe të shpresosh pasurinë, e mos e vono të të vijë në fyt e pashmangshmja (vdekja) e të thuash - kjo është e filanit e kjo e filanit ”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.)
Allahu xh.sh. ka lehtësuar për robërit e Tij, që para se të vdesin, të japin nga pasuria e tyre, një të tretën e pasurisë, qoftë edhe më pak. E pra, besimtari duhet të jetë i kënaqur me këtë lëmoshë, sasinë e së cilës e ka bërë obligim Zoti që ai ta japë.
Thotë Ebu Hurejre r.a., se i Dërguari a.s. ka thënë: “Vërtet ka të tillë që E adhuron Zotin për më shumë se 60 vjet, e arrin vdekja dhe testamentin, pasurinë e tij e keqpërdorin pasardhësit, e për këtë veprim bëhet shkak që të dënohen me zjarr“, mandej lexoi ajetin e Kur’anit: “…pas testamentit të porositur ose borxhit, e pa i dëmtuar (trashëguesit). Ky përcaktim është porositur prej Allahut. Allahu është i Gjithëdijshëm, jo i ngutshëm. Këto janë (dispozita) të caktuara prej Allahut. Kush i bindet Allahut (Urdhrave të Tij) dhe të Dërguarit të Tij, atë e dërgon në Xhenete nën të cilat burojnë lumenj. Aty do të jenë përgjithmonë. E ky është shpëtim i madh ”. (En-nisa,12-13).
O ju të cilëve ju ka begatuar Zoti me pasuri, jepni me dorën tuaj, në mënyrë që të përgatitni vendbanime në Xhenet. Për këtë, Zoti në Kur’an thotë : “Allahu bleu prej besimtarëve shpirtrat dhe pasurinë e tyre me Xhenet…”. (Teube, 111.)
Robër të Zotit, dhënia e lëmoshës nuk është obligim vetëm për të pasurin, po edhe për atë që nuk ka pasuri të madhe, dhe edhe nëse është pak (ajo që jep).
Thotë i Dërguari a.s. : “Ruajuni nga zjarri, qoftë edhe me dhënien e një hurme“.
Pastaj thotë në kuptim të hadithit: “Kush jep lëmoshë, qoftë edhe të jetë sa vlera e një hurme prej pasurisë hallall, Allahu e pranon atë, mandej e rrit (e shton) atë sikurse rrit ndonjëri prej jush ndonjë fidan, derisa të bëhet sa një kopsht“.

Lëmosha është shkak i arritjes së furnizimit dhe kompensimit

Zoti xh.sh. në Kur’an thotë: “Thuaj: “S’ka dyshim se Zoti im është Ai që i jep furnizim të begatshëm atij që do nga robërit e vet, dhe Ai ia pakëson atij, e çka do që të jepni, Ai e kompenson atë, dhe Ai është dhuruesi më i madh“. (Sebe’, 39)
Kjo do të thotë - jep në vend të tij më shumë e më mirë në këtë botë dhe në botën tjetër. Lëmosha nuk e pakëson pasurinë po e shton.
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Lëmosha nuk e pakëson pasurinë”.
Po ashtu ka thënë: “Po ju tregoj për tri gjëra, betohem në to dhe mos i harroni:
1. Nuk pakësohet pasuria e robit të Zotit nga dhënia e lëmoshës.
2. Dikujt që i bëhet padrejtësi dhe mizori, po ai bën durim, Zoti i ngre vlerën, mburrjen dhe krenarinë.
3. Një personi që hap derën e lypjes, Allahu ia hap derën e varfërisë“. (Transmeton Tirmidhiu)
Transmetohet nga nëna e besimtarëve, Aishja r.a., “Kemi prerë një dele dhe i Dërguari a.s. më porositi që ta shpërndaja, pastaj erdhi dhe më pyeti: “Ç’ka mbetur prej saj? I thashë: “Asgjë, përveç një kofshe “. i Dërguari a.s. tha: “Paska mbetur e tëra, përveç kofshës së saj“. (Tirmidhiu).
Mosdhënia e lëmoshës është shkak i shkatërrimit të pasurisë, sepse Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka ditë që për robërit e Zotit nuk zbresin dy melaike, njëra prej tyre thotë: “ O Zot, jepi furnizimin atij që jep lëmoshë”, e tjetra thotë: “ O Zot, jepi shkatërrimin atij që nuk jep lëmoshë “. (Buhariu dhe Muslimi).
Besimtarë të nderuar, jepni lëmoshë prej pasurisë së dashur e të shtrenjtë, jo prej së dobëtës. Allahu xh.sh. thotë: “O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që fituat dhe nga ajo që ju dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, që ju nuk do ta pranonit për veten vetëm me sy mbyllur. Ta dini se Allahu s’ka nevojë për ju, është i Madhëruar “. (Bekare, 267.)
Po ashtu Allahu xh.sh. thotë: “Kurrë nuk do të arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në Xhennet), derisa të mos e jepni më të dhembshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çka do që jepni (për Zotin), Allahu atë e di “. (Ali
Imran, 92.)
Nuk do të jeni prej të devotshmëve, bamirësve, prej atyre që meritojnë vende të larta në Xhennet, derisa të mos jepni lëmoshë prej pasurisë më të dashur për ju. Kur kishte zbritur ky ajet, shokët e Muhamedit a.s. kishin filluar të bënin gara për të dhënë lëmoshë prej pasurisë më të shtrenjtë dhe më të dashur për ta. Ndër ta ishin: Ebu Talha r.a., Umeri r.a.. Ky i fundit, pasi liroi një robëreshë, citoi ajetin që e përmendëm më lart: ”Kurrë nuk do të arrini sinqeritetin e plotë në besim, derisa të mos e jepni atë më të dashurën (më të dhembshmen )“.
Ndërsa Abdullah in Umeri r.a., kur i pëlqente ndonjë gjë nga pasuria e tij, jepte lëmoshë (prej saj), vetëm për të arritur kënaqësinë e Zotit xh.sh.. Prandaj, ju lutem që të jepni prej të mirave, sepse Allahu xh.sh. është më i Miri dhe nuk pranon përveçse të mirën.

643 Shikime