Nata e Kadrit dhe Sadakaja e Fitrit

27.04.2022

Nata e Kadrit dhe Sadakaja e Fitrit


Nata e Kadrit dhe Sadakaja e Fitrit

www.kbi-bujanoc.com

Hyrje

Dalëngadalë po i afrohemi fundit të Ramazanit, këtij muaji të bekuar e fisnik, atmosfera shpirtërore e të cilit sjell një ndryshim pozitiv në nivel individual e shoqëror. Ramazani që nga dita e parë ofron mundësi të shumta shpërblimi, falje, afrimi tek Allahu. Është muaji që ofertat për ta fituar Xhennetin i ka të hapura gjatë gjithë kohës. E tash, kur po afrohet koha e ndarjes me të, Ramazani ofron shpërblimin më të madh, atë të Natës së Kadrit, që konsiderohet shpërblimi jetësor, e mira më e madhe që mund ta fitojë një besimtar. Kështu, hutben e kësaj dite të madhe të xhumasë, nuk kemi si të mos ia kushtojmë kësaj nate të bekuar, respektivisht vlerës dhe rëndësisë së saj.

Nata e Kadrit

Nata e Kadrit është nata e mirësive, nata në të cilën Allahu e filloi shpalljen e Librit të Tij, Kur’anit. Adhurimi në këtë natë kap vlerën e adhurimit të njëmijë muajve. Në Kur’an, Allahu na flet për këto karakteristika të kësaj nate e thotë:
“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit. 2. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? 3. Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj. 4. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. 5. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.” (Kadr: 1-5)
Muhammedi a.s., ka thënë: “Kush falet në Natën e Kadrit, me besim dhe vetllogari, do t’i falen mëkatet e mëparshme.” (Buhariu dhe Muslimi)
Nata e Kadrit quhet me këtë emër për shkak të ‘kadrit’ vlerës dhe pozitës që ka dhe për shkak se në këtë natë bëhet caktimi vjetor i tërë asaj që do të ndodhë brenda një viti. Duke na folur për këtë të fundit, Allahu thotë:
“Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë.” (Duhan: 4)
Për këtë shkak, angazhimi për këtë natë dhe në këtë natë duhet të jetë i madh, sepse është mundësia më e madhe e jetës sonë. Ajshja r.a., transmeton ta ketë pyetur Muhammedin a.s., se nëse Zoti do ta bekonte për këtë natë, atëherë çfarë lutje të bënte? Pejgamberi a.s., i kishte thënë: Thuaj: Allahumme inneke Afuvvun tuhibbu el-afve fa’fu anni! O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, andaj më fal mua!

Sadakaja e Fitrit

Fundi i Ramazanit nuk sjell vetëm shpërblimin shpirtëror. Ramazani është muaj edhe i lëmoshës. Bile, për shkak të madhështisë së muajit, lëmosha në Ramazan konsiderohet të jetë më e mira. Muhammedi a.s. ka thënë: “Lëmosha më e mirë është në Ramazan.” (Tirmidhiu) Këtu mbase qëndron shpjegimi pse Pejgamberi ?, që gjithmonë ishte bujar, në Ramazan e shtonte bujarinë edhe më shumë.
Lëmosha e Ramazanit dallon nga lëmoshat e rëndomta për shkak të normës dhe efektit. Ibn Abbasi r.a., transmeton: “Pejgamberi a.s., e obligoi zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin (nga gabimet eventuale në agjërim) dhe si ushqim për meskinët. Kush e jep para namazit është zekat i pranuar ndërsa kush e jep pas namazit, ajo mbetet lëmoshë e rëndomtë.”

Pra, sadakaja e fitrit është:

– obligim
– jepet për ta pastruar agjëruesin nga gabimet e mundshme dhe të paqëllimta gjatë agjërimit, dhe
– jepet për ta gëzuar një të varfër që edhe ai të mos ndihet keq ditën e festës kur të gjithë kremtojnë përfundimin e muajit të adhurimit.

 

Për fund,

Për ta përmbyllur Ramazanin suksesshëm na u dashka të angazhohemi në dy fusha, shpirtërore dhe shoqërore, andaj t’i shfrytëzojmë këto ditë që kanë ngelur në namaz, lexim të Kur’anit, lutje, dhënie të lëmoshës, në mënyrë që fundi i Ramazanit të na gjejë të falur e shpërblyer nga Allahu!

(Islamgjakova)

596 Shikime