28.03.2022
Në cilën shkallë të dashurisë është Zoti në zemrën tonë

www.kbi-bujanoc.com
Njeriu është ai i cili të dashurit e tij, i rëndit në nivele të ndryshme në zemër. Atë që e do më shumë themi se është në nivelin më të lartë, ose në shkallën e parë në zemër. Por pyesim veten dhe ju, vallë a është Zoti që mbanë nivelin më të lartë në zemrën tonë?.
Duhet të interesohemi për gjendjen e zemrës sonë, sepse në bazë të saj bëhet dhe vlerësimi i adhurimit tonë. Një musliman i cili Allahun e ka në nivelin më të lartë në zemër, padyshim se adhurimi i tij do të jetë i mbushur me sinqeritet dhe dashuri për Zotin e botëve dhe si rezultat dhe ndikimi do të jetë i dukshëm te njeriu!
Nëse dashuria për Zotin është e dobët në zemër, atëherë edhe adhurimi që kryejmë do të jetë i zbehtë, pa shije dhe vetëm sa për të kaluar rendin.
Muslimanët duhet të jenë të vetëdijshëm në lidhje me gjërat e rëndësishme brenda adhurimeve. Çdokush nga ne është në gjendje të durojë dhimbjen e gjilpërës vetëm e vetëm që ilaçi të depërtoje në trupin e tij. A thua vallë si do të ishte reagimi jonë nëse mjeku fillon të na japë gjilpërën të zbrazur, padyshim se do i thonim mbushe, ose mos ma jep kështu, çka më duhet ta marr pa ilaç etj etj. A thua vallë pse? Sepse për të mjekuar sëmundjen ne na nevojitet ilaçi dhe jo gjilpëra e zbrazur.
E njëjta është edhe me adhurimin. Adhurimi që nuk është i mbushur me sinqeritet, është sikur gjilpëra e zbrazur. Adhurimi pa sinqeritet te Allahu nuk jep efekt tek njeriu, nuk ka ndikim në përmirësimin e sjelljes, moralit dhe edukatës së tij dhe si rezultat nuk pranohet nga Allahu. Andaj çdokush nga ne duhet të interesohet për adhurimin që kryen, për të qenë sa më i përkushtuar në adhurim, që në kryerjen e adhurimit të jetë prezent trupi dhe shpirti. E ne këtë mund ta arrijmë vetëm nëse e rrisim nivelin e Zotit në zemrat tona.
Zoti pastë mëshirë mbi ne, e mbi ummetin e Muhammedit s.a.v.s….
Musa ef. Biba
313 Shikime