14.03.2022
NGRITJA E VEPRAVE TE ZOTI NË MUAJIN SH’ABAN ..

www.kbi-bujanoc.com
Veprat e besimtarëve gjithmonë përcillen nga Zoti, gjithashtu edhe shkruhen nga melaqet dhe në ditën e kijametit ato i paraqiten besimtarit dhe ai llogaritet për to duke u shpërblyer apo dënuar.
Zoti e di çdo vepër të gjithkujt edhe para se të ndodhë ajo, e ka ditur edhe para se ta krijon njeriun dhe gjithësinë, por këto ngritje janë argument për besimtarin në ditën e kijametit.
Megjithatë janë disa kohë, ku herë pas here veprat e besimtarit ngriten te Zoti, e Allahu veprat e mira ia ruan besimtarit për në kijamet, kurse për veprat e këqija ia jep mundësinë e pendimit që pastaj t’ia falë ato dhe ta shpërblen me xhenet.
Këto periudha kohore janë:
1. Muaji Sha’ban. Është ndër periudhat kohore më të theksuara ku veprat e besimtarit musliman ngriten te Zoti. Dhe kjo ngritje është e përgjithshme e të gjitha veprave në tërësi dhe quhet ngritje vjetore, dmth, se çdo vit në muajin Sha’ban ngriten veprat te Zoti.
Për këtë kemi hadithin e Pejgamberit Muhamedit s.a.v.s. ku transmeton Usame ibnu Zejd Allahu qoftë i kënaqur me ta i cili thotë: I thashë (Pejgamberit) o i dërguar i Zotit, nuk të kam parë duke agjëruar ndonjë muaj tjetër sikur në muajin Sha’ban. Tha: Ky është një muaj që njerëzit e lënë pas dore ndërmjet muajit Rexheb dhe Ramazan, dhe është muaj në të cilin ngriten veprat e besimtarëve te Zoti i botëve, dhe unë dëshiroj që të ngriten veprat e mia duke qenë unë agjërueshëm.
2. Ditën e hënë dhe ditën e enjte. Kjo ngritje është ngritje në detaje e të gjitha punëve dhe quhet ngritje javore.
Transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: Paraqiten veprat te Allahu çdo të hëne dhe të enjte dhe unë dëshiroj që të ngriten veprat e mia duke qenë unë agjërueshëm.
3. Menjëherë pasi të bëhet vepra. Thotë Allahu në Kuran: “ Thuaj: Punoni, se Allahu, i dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj “. ( Etevbe 105 ).
4. Gjatë ditës dhe natës. Në namazin e ikindisë dhe namazin e sabahut. Për këtë Pejgamberi Muhamedi s.a.v.s. thotë: Ju ndjekin juve melaqe gjatë ditës dhe melaqe gjatë natës, dhe takohen në namazin e sabahut dhe namazin e jacisë. Ngriten melaqet që ishin me ju dhe i pyet Zoti, edhe pse Ai e di më së miri për ta. Si i lat robërit e mi? Ato thonë: I lam duke u falur dhe i gjetëm duke u falur.
Nga kjo kuptojmë se ngitja e punëve të besimtarëve te Zoti përsëritet, që Allahu punët e këqija i thotë melaqeve: Kthejeni këtë te robi im, ndoshta pendohet, ndoshta e përmirëson veprën e tij. Kështu Ai neve na jep mundësinë e përmirësimit dhe pendimit nga veprat e këqija.
Thotë Allahu në Kuran: “ Ai ju thërret juve për t’ju falur disa nga gjynahet tuaja dhe që t’ju lërë deri në afatin e caktuar ..“. ( Ibrahim 10 )
Mr. Ragmi Destani
541 Shikime