07.06.2015
Vlera e Leximit të Kur'anit

Lavd-falënderimet, frikë-respektet i takojnë vetëm Allahut xh.sh, Ai është Krijues i kënaqësive të përhershme të Xhenetit, dhe Krijues i dënimeve të përkohshme e të përhershme Xhehenemit.
Përshëndetjet, salavatet, selamet, paqja dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin, Muhamedin alejhi salatu ve selam, mbi familjen e tij të ndershme dhe mbi shokët e tij të zgjedhur.
Ç’është Kur’ani:
“Kurani është të folurit e Allahut, është mrekulli, e i shpallur Muhamedit alejhi salatu ve selam, i shkruar në Mus’hafe, i transmetuar me besnikëri, kurse edhe vetëm leximi i tij është ibadet, fillon me suren Fatiha dhe përfundon me suren Nas”.
Allahu xhele shenuhu, thotë:
“…Dhe lexoje Kuranin ngadalë dhe qartë, sepse Ne do të dërgojmë vërtet një fjalë me peshë të rëndë”. (Muzemil 4-5)
“Sigurisht, ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht ne do ta ruajmë atë”. (Hixhr 9)
“Ata që lexojnë librin e Allahut, e falin namazin dhe nga begatitë që ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Që Ai (Allahu) do t'ju plotësojë shpërblimin e tyre, e edhe do t'ju shtojë nga mirësia e Tij, vërtetë Ai është Mëkatfalës dhe shumë Mirënjohës”. (Fatir 29-30)
Othmani Ibn Afani radijallahu anhu, transmeton se Muhamedi alejhi salatu ve selam, ka thënë:
“Më i miri prej jush është ai që e mëson për vete Kuranin dhe ia mëson atë edhe të tjerëve”. (Buhariu dhe Muslimi)
Ajsheja radijallahu anha, transmeton se Muhamedi alejhi salatu ve selam, ka thënë:
“Ai që e lexon rrjedhshëm Kuranin është bashkë me melaqet e nderuara, ndërsa ai që e lexon Kuranin me vështirësi, ngaqë nuk i zotëron mirë rregullat, ka dy shpërblime”. (Buhariu dhe Muslimi)
Ebu Dherr El-Gifar, radijallahu anhu, transmeton:
“Thashë, o i dërguarii Allahut më këshillo? Tha: Të këshilloj ta keshë frikë Allahun se kjo është gjëja kryesorë. Thash: Më shto: Tha: Lexoje shumë Kuranin, sepse ai është nur për ty në tokë, e krenari për ty në qiell”. (Ibn Hiban)
Abdullah Ibn Abasi radijallahu anhu, transmeton se Muhamedi alejhi salatu ve selam, ka thënë:
“Ai që nuk ka në zemër asgjë nga Kurani është porsi një shtëpi e shkatërruar”. (Sahih, Tirmidhiu)
Muhamedi alejhi salatu ve selam, ka thënë:
“Ata që e lexojnë Kuranin janë të dashurit e të zgjedhurit e Allahut”. (Nesaiu dhe Ibn Maxhe)
Abdullah Ibn Mesudi, radijallahu anhu, transmeton se Muhamedi alejhi salatu ve selam, ka thënë:
“Me të vërtetë Kurani është banketi (ku ka mirësi të shumta) i Allahut. Mësoni prej tij sa të mundeni. Me të vërtetë ky Kuran është litari i Allahut i cili është tepër i fortë dhe kurrë nuk këputet, është dritë e qartë, është shërim i dobishëm, është mbrojtje për atë që kapet pas tij, është shpëtim për atë që e ndjek. Kuranit kurrë nuk i shterojnë misteret e tij, lexojeni sepse Allahu ju shpërblen me mirësi kur e lexon atë me dhjetë sevape për çdo germë”. (Sahih, Hakimi)
Ebu Musa El-Esh’ari, radijallahu anhu, transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ve selam, ka thënë:
a.) Shembulli i besimtarit i cili lexon Kuranin është si shembulli i portokallit që ka aromë të mirë dhe shije të këndshme,
b.) Shembulli i besimtarit i cili nuk e lexon Kuranin është si shembulli i hurmës që shijen e ka të mirë por nuk ka aromë,
c.) Shembulli i munafikut që lexon Kuran është si basili që aromën e ka të mirë por shijen e ka të keqe,
d.) Shembulli i munafikut që nuk e lexon Kuranin është si shembulli i Handhales (pemë e egër) që shijen e ka të keqe dhe nuk ka as aromë”.(Buhariu dhe Muslimi)
Ebu Hurejra, radijallahu anhu, ka thënë:
“Në atë shtëpi që lexohet Kurani jeta ka gjallëri, shtohet mirësia dhe prezantojnë melaqet dhe largohen shejtanët. Ndërsa në atë shtëpi që nuk lexohet Kurani vështirësohet jeta, pakësohet hajri, largohen melaqet dhe prezantojnë shejtanët”.
Hasani, radijallahu anhu, ka thënë:
“Nuk ka pasuri ai që është larg Kuranit, dhe nuk ka varfëri ai që është i lidhur me Kuranin”.
Ndërsa për ata që e harrojnë Kuranin Muhamedi alejhi salatu ve selam, ka thënë:
“Ai që e mëson Kuranin pastaj e harron atë, do të vijë Ditën e Gjykimit me duar të prera”. (Ebu Davud)
Dobia e Kuranit për botën tjetër
Ebu Umame El-Bahili transmeton se Muhamedi, alejhi salatu ve selam, ka thënë:
“Lexojeni Kuranin, sepse ai do të vijë ndërmjetësues në Ditën e Gjykimit për ata që e kanë lexuar”.(Muslimi)
Muhamedi, alejhi slatu ve selam, ka thënë:
“Agjërimi dhe Kurani do të ndërmjetësojnë për njeriun Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zot, unë e ndalova atë nga ushqimi e pija gjatë ditës, më ndërmjetëso mua për të. Ndërsa Kurani thotë: O Zot, unë e ndalova nga gjumi natën më ndërmjetëso mua për të, dhe që të dy ndërmjetësojnë”. (Imam Ahmedi)
Ebu Umame tregon se Muhamedi alejhi salatu ve selam na ka nxitur në mësimin e Kuranit, pastaj na ka folur për vlerat e tij e ka thënë:
“Kurani do të vijë Ditën e Gjykimit tek ai që e ka lexuar atëherë kur ka më së shumti nevojë. Do t’i vijë atij me pamjen më të bukur dhe do t’i thotë: “A më njeh mua? Ai i thotë: “Kush je ti? I thotë: “Unë jam ai që ti e doje, e nderoje, rrije zgjuar me mua, e gjallëroje ditën me mua. Ai thotë: “Ndoshta ti je Kurani” Pastaj paraqitet para Allahut të Madhëruar, i Cili i jep mbretërinë nga e djathta, përjetësinë nga e majta, i vendoset kurora e mbretërisë mbi kokë, dhe prindërit e tij musliman veshin rroba tepër të bukura dhe thonë: “Prej nga i kemi këto të mira ndërkohë që ne nuk i kemi bërë me punët tona? I thuhet: “Për shkak të djalit tuaj i cili ka lexuar Kuranin dhe juve ju është dhënë kjo”.
Abdullah Ibn Mesudi, radijallahu anhu, ka thënë:
“Kurani është ndërmjetësuesi që ndërmjetëson, dhe e vërteta që të pastron. Kush e merr si prijësin e vet duke e lexuar e praktikuar do ta udhëzojë drejt e në Xhenet, dhe kush e len pas shpine duke mos e lexuar dhe mos punuar me të do ta shtyjë drejt e në Xhehenem”.
Abdullah Ibn Amër Ibn Asi, radijallahu anhu, transmeton nga Muhamdi alejhi salatu ve selam, se ka thënë:
“I thuhet lexuesit të Kuranit, lexo dhe ngritu, lexo siç lexoje edhe në dynja sepse grada jote do të jetë deri në ajetin e fundit që do të lexosh”. ( Sahih, Tirmidhiu dhe Nesaiu)
Si e lexuan Kuranin Sahabët, shokët e Muhamedit alejhi salatu ve selam?
Allahu xh.sh për vlerën e Sahabëve thotë:
“Ju jeni ymeti (populli) më i mirë se të tjerët që janë paraqitur ndonjëherë. Urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja, dhe të besoni në Allahun. ...” (Ali Imran 110)
Sahabët e lexonin Kurani shumë sa që kanë thënë:
“E mësonim imanin (besimin), para se ta mësonim Kuranin, e kur e mësonim Kuranin, na u shtonte imani”.
Ibn Ebu Davud transmeton për sahabët se disa prej tyre e bënin Kuranin hatme (e lexonin nga fillimi deri në fund):
1.) Në çdo dy muaj,
2.) Disa të tjerë në çdo muaj,
3.) Disa të tjerë në çdo 10 (dhjetë) ditë,
4.) Disa të tjerë në çdo 8 (tetë) ditë,
5.) Disa të tjerë në çdo 7 (shtatë) ditë,
6.) Disa të tjerë në çdo 6 (gjashtë) ditë,
7.) Disa të tjerë në çdo 5 (pesë) ditë,
8.) Disa të tjerë në çdo 4 (katër) ditë,
9.) Disa të tjerë në çdo 3 (tri) ditë,
10.) Disa të tjerë në çdo 2 (dy) ditë,
11.) Disa të tjerë në çdo 1 (një) ditë,
12.) Disa të tjerë një hatme natën, një hatme ditën,
13.) Disa të tjerë 3 (tri) hatme, për një natë dhe një ditë,
14.) E disa të tjerë bënin 8 (tetë) hatme, 4 (katër) natën dhe 4 (katër) ditën.
Prej atyre që e kanë lexuar hatme Kuranin, për çdo natë dhe çdo ditë njihen si: Othmani, radijallahu anhu, Temim Ed-Dari, radijallahu anhu, Seid Ibn Xhubejr, Muxhahidi, Imam Shafiu, … e disa të tjerë.
Një dijetar ka thënë:
“Për me e vlerësu se një njeri sa e don Allahun, shiqoje sa po lexon Kuran”.
Thuhet: “Kërkojeni ëmbëlsinë e imanit në tre gjëra: Në namaz, në dhikër dhe në leximin e Kuranin. Nëse nuk e gjeni ëmbëlsinë, dijeni se derën tek Allahu akoma e keni të mbyllur”.
Shkruan Florim ef. Mellova
/KBI-Bujanoc.com/
1991 Shikime