Leximi i Muktediut pas Imamit

07.05.2014

Leximi i Muktediut pas Imamit


Leximi i Muktediut  pas Imamit

Fikhu Hanefi

Ekziston pajtueshmëri te dijetarët islamë, se imami në namazet e përbashkëta në farz e merr mbi vete vetëm kiraetin (leximin e Kur’anit). Ndërsa sa u përket farzeve tjera të namazit, secili muktedi është i obliguar vetë t’i kryej dhe për to mban përgjegjësi, qoftë edhe nëse atë namaz e kryen me xhemat (bashkërisht). Sa i përket vetë leximit të Kur’anit në namazin bashkërisht nga ana e muktediut ka divergjencë mendimesh mes dijetarëve islamë rreth kësaj çështjeje. Ne këtë çështje do ta trajtojmë si është zgjidhur në medhhebin hanefij, duke i theksuar argumentet në cilat mbështetet ky mendim. Diejtarët e medhhebit hanefij kanë thënë se leximi i Kur’anit në namazin bashkërisht (me xhemat) nga ana e muktediut bie, do të thotë ai nuk është i obliguar të lexojë asgjë. Nëse lexon pas imamit, kjo ashpër qortohet (mekruhi tahrimen). Serhesi ka thënë madje kjo e prish namazin. Këtë mendim e mbështet në mendimin e disa as’habëve si: Zejd ibn Thabit, sa’d ibn Ebi Vekkas etj.. Leximi i Kur’anit në namazin bashkërisht është detyrë e imamit. Ky mendim mbështetet në: 1.Kur’an, 2. Sunnet dhe 3. Kijas.

1. Kur’ani

وَ إِذَا قُرِئَ الْقُرْآنُ فَاسْتَمِعُوا لَهُ وَ أَنْصِتُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ .

“ Kur lexohet Kur’ani, ju dëgjonie atë (me vëmendje) dhe heshtni, në mënyrë që të fitoni mëshirë.” (El-A’raf, 204).

Imam El-Bejhekiu e thekson transmetimin nga Ibni Ahmedi: “Të gjithë janë të pajtimit se ky ajet ka të bëjë me namazin”. Dhe thekson po ashtu transmetimin nga Muxhahidi se Muhammedi a.s. duke lexuar Kur’an në namaz, kishte dëgjuar një Ensarij të ri duke lexuar pas tij, atëherë ishte shpallur ajeti i sipërtheksuar. Pasi që ajeti është shpallur mbi namazin, sipas rregullit të njohur të fikhut, që përparësia i jipet përgjithësimit të tekstit e jo specificitetit të shkakut (sebebi nuzul) atëherë porositë e këtij rasti përcillen në të gjitha situatat tjera të ngjashme. Nga kjo është i qartë ndalimi i leximit të gjithçka nga Kur’ani pas imamit. Në ajet kërkohet nga besimtarët dëgjimi, e kjo ka të bëjë me ato namaze ku Kur’ani lexohet me zë (sabah, aksham dhe jaci), e urdhëri i dëgjimit – insat ka të bëjë edhe me namazet ku imami lexon Kur’an pa zë (dreka, ikindija). Pasi që këtu heshtja dhe dëgjimi janë të urdhëruara, do të thotë farz, atëherë lëshimi i tij, që me këtë rast do të manifestoheshin me lexim pas imamit, do të jetë mekruhi tehrimen (më afër haramit se sa lejimit).

2. Sunneti

Ebu Hanife transmeton nga Ibn Sheddadi e ky nga Xhabiri r.a. se i dërguar i Allahut Muhammedi a.s. ka thënë: ”Kush falet pas imamit, leximi i imamit e zëvendëson leximin e tij”. Hadithi është thënë në formë të përgjithshme, kështu që i përfshin të gjitha namazet edhe ditore edhe të natës. Këtë hadith e përforcon tjetri në të cilin theksohet se një njeri duke u falur pas pejgamberit Muhammed a.s. drekën ose ikindinë, kishte lexuar Kur’an. Sahabiu tjetër këtë ia kishte ndaluar. Kur e përfundojnë namazin ai njeriu e pyet: “A po duash të ma ndalosh leximin e Kur’anit pas të Dërguarit të Allahut?” Ai atëherë e kishte cituar hadithin e sipërtheksuar: ”Kush falet pas imamit, leximi i imamit e zëvendëson leximin e tij”.

Ky rast qartas dëshmon ndalimin e leximit të Kur’anit muktediut në namazin me xhemat, sepse përgjigjeja e të Dërguarit a.s. e ka konfirmuar qëndrimin e sahabiut i cili ia kishte ndaluar atij njeriu që të lexojë pas Resulullahut. Nëse kjo ka ndodhur në namazin ditor (drekë ose ikindi), ku imami lexon pa zë, atëherë ndalimi i leximit të Kur’anit në namazet ku imami lexon me zë, gjithsesi është i qartë. Për këtë hadith, muhaddithinët kanë thënë se është me sened të rregullt (sahih). E transmeton Ahmedi nga Xhabiri r.a. dhe ka thënë: “Senedi i këtij hadithi është i ngjitur (muttesil) kurse njerëzit në atë sened (zingjiri i transmetuesve) janë të besueshëm”. Gjithashtu edhe hadithi të cilin e transmeton Ebu Hurejre se Pejgamberi a.s. ka thënë: ”Imami është caktuar që të ndiqet, kur e shqipton tekbirin edhe ju përseritnie pas tij, kurse kur lexon Kur’an në namaz, ju heshtni”. (Muslimi ka thënë se ky hadith është sahih). Po ashtu vërtetohet me hadithin të cilin e transmeton Umran ibn Husein se Pejgamberi a.s. e kishte falur namazin e drekës, kurse një njeri kishte lexuar pas tij disa pjesë nga Kur’ani. Kur e kanë kryer namazin ka pyetur: “Kush prej jush lexoi Kur’an?” Ai njeriu lajmërohet dhe thotë: “Unë”, atëherë Muhammedi a.s. thotë: “Mendova se dikush donte të më përmirësojë në leximin e kësaj sureje!”

(Buhariu dhe Muslimi)

 

Ky rast dëshmon pakënaqësinë e të Dërguarit të Allahut për lexim pas imamit, e cila gjë i pëngonte Muhammedit a.s. Deri te dijetarët e shkollës hanefite kishin arritur edhe disa deklarata nga as’habët mbi ata që lexojnë pas imamit. Ali ibn Ebi Talibi ka thënë: “Nuk e ka mirë ai që lexon pas imamit”. Ibn Mes’udi është pyetur për leximin pas imamit, ka thënë: “Hesht, sepse në namaz ka mjaft obligime, të mjafton imami”. Seid ibn Ebi Vekkas ka thënë: “Do të dëshiroja që atij i cili lexon Kur’an pas imamit në namaz t’ia vë gacën në gojë”.

3. Kijasi – Analogjia

Hanefijtë kanë thënë se muktediu nuk duhet të lexojë pas imamit. Në analogji – kijas me atë i cili vonohet në namazin me xhemat, e nëse e arrin imamin para rënies në ruku, e ka arritur atë rekat. Në këtë rast shihet që kiraeti (leximi) nuk është i domosdoshëm. Ndërsa farzet tjera duhet t’i plotësojë vetë. Leximi (kiraet) i mesbukut bie prej tij, sepse nuk është i paraparë, e të marrurit në namaz me diç që nuk është e paraparë, do të thotë të bësh mekruh- vepër të qortuar. Mendojmë se pas theksimit të argumenteve, është e qartë se medhhebi hanefij nuk është i themeluar vetëm në fjalët e Ebu Hanifes, por secilës dispozitë, para se të thuhet qëndrimi për të, i paraprinë mbikqyrja studimore e Kur’anit dhe Sunnetit.

/KBI-Bujanoc.com/

2641 Shikime