Argumentet e te tjerve dhe qendrimi i Medhhebit Hanefij kundrejt ketyre Argumeteve

27.04.2014

Argumentet e te tjerve dhe qendrimi i Medhhebit Hanefij kundrejt ketyre Argumeteve


Argumentet e te tjerve dhe qendrimi i Medhhebit Hanefij  kundrejt ketyre Argumeteve

III

1. Ebu Seken Haxher ibn Anbes eth-Thekafij r.a. ka thënë: “ E kam dëgjuar Vail ibn Haxher el-Hadremijjin duke thënë: “E kam parë Pejgamberin a.s. kur e ka përfunduar namazin, madje nga ky kënd e kam parë fytyrën e tij, kur ka lexuar “gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin”- ka thënë amin duke e zgjatur zërin (medde biha savtehu)- unë mendoj se e ka bërë këtë ashtu vetëm për të na mësuar.”

(Hafidh Ebu Bishr Ed-Dulabi në veprën El-Esma vel-Kunja)

Senedi (zingjiri i transmetuesve) të këtij hadithi është si vijon: Na ka rrëfyer Hasan ibn Ali ibn Affan, na ka rrëfyer El-Husejn ibn Atijje, na ka rrëfyer Jahja ibn Sel-leme ibn Kuhejl nga babai kurse ai nga Ebu Sel-leme. Në këtë sened gjendet Jahja ibn Sel-leme, për të cilin shkencëtarët e hadithit kanë thënë se transmeton hadithe jo të besueshme (daif), andaj si i tillë refuzohet. Dhe, mjafton nëse në senedin e një hadithi gjendet vetëm një person i dyshimtë që hadithi të vlerësohet me vlerësimin daif (i dobët) dhe si i tillë nuk përdoret në lëminë e dispozitave.

Në veprën “Et-Telhisul-habir” (1-89) qëndron: “Tirmidhiu ka theksuar në Sunenin e tij: “Këtë hadith e transmeton Shu’be nga Sel-leme ibn Kuhejli, andaj e ka futur në sened ndërmjet Haxherit dhe Vailit Alkam ibn Vailin dhe ka thënë: “Iu mor zëri duke shqiptuar amin”. Pra këtu e kemi transmetimin e njëjtë, hadithin e njëjtë nga dy transmetues të cilët nuk pajtohen në porosinë e pjesës së hadithit për të cilën është fjala në këtë punimin tonë. E kemi transmetimin nga Sufjan Thevriu i cili thotë se Pejgamberi a.s. me zë ka lexuaramin, dhe transmetimin nga Shu’be r.a. i cili hadithin e njëjtë e transmeton me porosinë se Pejgamberi a.s. në vetvete e ka lexuar amin-in pas Fatiha-së.

Transmetimi i kujt është më i fuqishëm te dijetarët e fikhut, i Sufjanit apo ai i Shu’bes?! Kjo ka qenë temë shqyrtimi në mes të dijetarëve. Tirmidhiu në veprën El-Hilal ka thënë: Ka thënë Aliu: “E kam pyetur Jahjanë, cili më mirë dhe më saktë i ka mbajtur në mend hadithet Sufjani apo Shu’be? Ka thënë: “Shu’be në këtë ka qenë më i thellë se sa Sufjani.” Jahja ibn Seid ka thënë: “Shu’be ka qenë më i ditur në lidhje me njerëzit në sened – Filani nga Filani, kurse Sufjani i ka njohur më mirë kaptinat e tëra”.

Transmeton Ebu Talibi nga Ahmedi: “Shu’be është më i dijshëm në dispozita (hukm) nga El-A’meshi dhe më i dijshëm është në hadithe, të cilat flasin për dispozita (hadithul-ahkam). Po të mos ishte Shu’be do të humbnin hadithet mbi dispozitat. Shu’be është njohës më i mirë i haditheve se sa Sufjan Thevriu. Në kohën e tij askush nuk ka qenë më i dijshëm në hadith se sa Shu’be r.a.”

Muhammed ibn Abbas En-Nesai r.a. ka thënë: “E kam pyetur Ebu Abdullahun r.a.: “Kush është më i fortë në njohjen e hadithit Shu’be apo Sufjani? Ka thënë: “Sufjani është njeri hafidh dhe ka qenë njeri i mirë, por Shu’be është më i besueshëm se ai dhe ai është njeriu më i devotshëm të cilin e njoh unë.”

Hammad ibn Zejdi ka thënë: “Nuk i vë veshin kush i kundërvihet mendimit tim nëse ai përputhet me mendimin e Shu’bes r.a. Nëse në diçka mendimi im nuk pajtohet me atë të Shu’bes atëherë e lë mendimin tim”.

Dikush i ka thënë Ebu Davudit: “Ai (Shu’be) është më i mirë në hadith se Sufjani! Ka thënë: “Në botë nuk ka më të mirë në hadith se sa Shu’be dhe Maliku. Shu’be nganjëherë gabon në emra (sened) për shkak të sasisë madhe që mban në mend të metnit (teksti i hadithit).”

Ka thënë Edh-Dhehebiu në “Tedhkiretu huffadhi”: “Ka thënë Ebu Zejd El-Herevi: E kam dëgjuar Shu’ben duke thënë: “Të bie nga lartësitë qiellore dhe të thyhem, më i kënaqur do të isha se sa të gaboj në citimin e hadithit.” (1-183)

Kjo është thënë për Shu’ben r.a. Sa i përket Sufjan Thevriut r.a. p.sh. në “Takrib” për të thuhet “Sadukun”- transmetues i sinqertë, por nganjëherë transmeton edhe transmetime të pasakta, (fq. 164) Dhe sa i përket konkretisht këtij hadithi të cilin e transmeton Sufjani me “ka thënë amin me zë të lartë, “Shu’be hadithin e njëjtë e transmeton me “ka thënë amin në vetvete.” Pos Shu’bes mbi këtë çështje edhe Muhammed ibn Xhaferi, Ebu Davud et-Tajalisi, Jezid ibn Zeri, Amr ibn Merzuk, të gjithë këta janë pajtuar për shqiptimin e amin në vetvete.”

Ka thënë Ahmed Zafer Osmani: “Pasi që në këtë hadith janë mendimet e kundërta në mes Shu’bes dhe Sufjanit – është e nevojshme t’i jipet prioritet ose përparësi njërit ndaj tjetrit. Duke sqaruar këtë themi se: “Hadithi i Shu’bes r.a. në të cilin theksohet se Pejgamberi a.s në vetvete ka lexuar amin është më i fortë me rivajet (sened) dhe me dirajet – porosi përmbajtje.” Tashmë kemi thënë se Shu’be r.a. te shumica e dijetarëve është më i njohur se Sufjani dhe është më e afërt dhe më e drejtë që ai i cili është më i njohur mendimi i tij të jetë më i fortë dhe më i pranuar. Shu’be është EMIRUL-MUMININE në hadith. Sa i përket vetë porosisë së këtyre dy haditheve, themi se transmetimi i Shu’bes edhe nga ky aspekt është më i fortë. Për arsye se amin është dua. Kurse esenca e duasë është që të bëhet në vetvete. Allahu xh.sh. thotë:

أُدْعُوا رَبَّكُمْ تَضَرُّعاً وَ خُفْيَةً 

“ Lutnie Zotin tuaj të përulur e në heshtje…(El-A’raf, 55.).

Buhariu, duke transmetuar nga Ata’ në Sahihun e tij thotë: “Amin është dua”.

Ebu Shejh me sened të ngjitur transmeton nga Enesi këtë hadith sahih: “Duaja në fshehtësi është më e vlefshme se shtatëdhjetë dua publikisht”.

Ibn Hibbani r.a. në sahihun e tij e transmeton këtë hadith merfu’: ““Duaja më e vlefshme është ajo që lexohet në fshehtësi”. Nëse kemi thënë se amin është dua, atëherë është e logjikshme se nëse është më e mirë dhe më e vlefshme ajo dua që bëhet në vetvete që edhe leximi i amin të bëhet në vetvete e jo me zë. Për këtë arsye edhe shumica e as’habëve dhe tabiinëve amin e kanë lexuar në vetvete-pa zë.

(Xhevherun-Nekijj, 1-32)

Transmetohet nga Ibni Mes’udi r.a. nga Nah’iu, Sha’biu, Ibrahim et-Tejmiu se as’habët në vetvete e kanë shqiptuar amin. Për këtë arsye edhe i jipet përparësi hadithit, të cilin e transmeton Shu’be r.a. ndaj hadithit që e transmeton Sufjani në të cilin theksohet se Pejgamberi a.s. “e ka zgjatur me të zërin” (medde biha savtehu), që mund të ketë edhe kuptimin se ai e ka zgjatur zërin duke shqiptuar amin në vetvete, sepse edhe në medhhebin e Sufjan Thevriut thuhet se shqiptimi i amin në namaz duhet të bëhet në vetvete e jo me zë.

(I’lau sunen 1-219)

Kurse transmetimin në të cilin theksohet se Pejgamberi a.s. ka lexuar amin me zë ne e kuptojmë se ajo është bërë me qëllim të mësimit të tjerëve. Këtë metodë e ka përdorur edhe Omeri r.a. kur nganjëherë e ka lexuar me zë edhe subhaneken në mënyrë që të mësojnë ata që falen pas tij. Kjo poashtu transmetohet edhe nga Ebu Hurejre r.a.

Mbi këtë është prononcuar edhe Ibn Kajjim el-Xhevzijje r.a.: “Nëse ndonjëherë imami lexon me zë me qëllim të mësimit të tjerëve, në të nuk ka dëm, sepse edhe Omeri ka lexuar me zë kur ka hyrë në namaz për t’i mësuar të besimtarët. Ibn Abbasi po ashtu në xhenaze e ka lexuar Fatihan me zë, për të treguar se kjo është sunnet, i njëjtë është edhe rasti i leximit të imamit me zë të fjalës amin.”

(Zadul-mead 1-71)

Ndërkaq, nga hadithi prej Vail ibn Haxherit, vërejtëm se në fund thotë: (Ma erahu il-la jual-limuna) – e shoh se dëshironte të na mësojë”...   Vazhdon

  /KBI-Bujanoc.com/

2053 Shikime