25.04.2014
Shqiptimi i fjales “Amin” ne Namaz

I
Në namazin e përbashkët muslimanët tonë janë mësuar që fjalën amin duhet shqiptuar pa zë, në vetvete, pasi që imami të këndojë: gajril-magdubi alejhim ve leddal-lin. Dhe kryesisht kjo edhe praktikohet nëpër xhami. Mirëpo, është bërë dukuri e shpeshtë në kohët e fundit që njerëzit duke lexuar përkthime të ndryshme të literaturës islame, sidomos të përmbledhjeve të haditheve, të hasin në ato përmbledhje hadithe, në të cilat rekomandohet apo konstatohet se leximi i amin-it duhet të jetë me zë, dhe se, që është më me rëndësi, Pejgamberi a.s. ashtu ka vepruar dhe ka urdhëruar të veprohet. Pastaj konform asaj që kanë gjetur dhe lexuar vetvetes i japin fetva se ashtu edhe duhet të veprohet. Pranë kësaj pashmangshëm janë komentet ndaj dijetarëve tonë si p.sh. “.. ja a po shihni që dijetarët tonë nuk kanë ditur asgjë, ja bukur po shkruan në Buhari apo Rijadu-s-salihin se amin duhet të thuhet me zë dhe atë që të ushtojë xhamia, e jo siç na kanë mësuar imamët”. Kur kësaj i shtohet edhe rrethana se dikush ka shkuar në haxh dhe atje ka parë dhe dëgjuar se si në ato burime të Islamit lexohet amin me zë sa që ushton xhamia. Kurse ja në Bosnje kjo nuk bëhet. Pastaj vjen deri te vendosja e kësaj në disa xhami të thuhet amin me zë dhe kjo është konsideruar më e drejtë se sa mosshqiptimi me zë. Pastaj kur për shkak të luftës në Bosnje e Hercegovinë fillojnë të vijnë edhe arabë, dhe ata me namazet e tyre boshnjakëve u tregojnë se amin duhet të thuhet me zë, kjo u vjen si mehlemi në plagë. Boshnjaku më nuk ka dilemë: “ Vërtetë kur të gjithë veprojnë ashtu, pse edhe ne të mos veprojmë si ata. Pse të bëhemi më të mirë se arabët. Islami prej tyre ka filluar. Dijetarët tonë nuk dijnë, e të ngjashme”.
Njerëzit që nuk kanë kurrfarë baze për ta mësuar fikhun sidomos për të dhënë fetva, tash duke lexuar në përkthim përmbledhjen e haditheve të Buhariut i ndërrojnë dispozitat e sheriatit, vendosin dispozita të reja, nuk i pranojnë medhhebet, i gjykojnë imamët (themeluesit e medhhebeve), e kritikojnë Ebu Hanifen dhe medhhebin e tij se nuk i paskëshen njohur hadithet e të ngjashme.
Me përpunimin e kësaj mes’eleje dëshiroj që lexuesve të respektuar t’u dëshmoj se studimi i fikhut nuk është çështje e thjeshtë, por është punë që kërkon shumë mundim, mësim dhe përpjekje. Për çdo rast kjo është shumë më e ndërlikuar dhe e vështirë se sa të merret përmbledhja e hadithit, të lexohet dhe të merret e gatshme. Po të kishin vepruar ashtu muxhtehidët islamë, ne sot nuk do të kishim këtë që kemi. Dua të tregoj se edhe çështjes më të imtë nga lëmia e fesë, dijetarët ia kanë kushtuar kujdesin e duhur, e kanë shqyrtuar, studiuar, kanë menduar dhe kanë marrë qëndrim për të.
Pse Ebu Hanifja r.a. ka thënë që amin në namazin e përbashkët të shqiptohet në vetvete e jo me zë, do të jetë temë shqyrtimi në këtë punim? A e ka thënë këtë në mënyrë arbitrare dhe nga vetvetja, që dushmanët ia mveshin, apo këtë e ka bazuar diku?! Si edhe muxhtehidët tjerë, imam Ebu Hanife r.a. me nxënësit dhe dijetarët e tij secilën çështje e kanë studiuar gjatë, e kanë hulumtuar në Kur’an dhe në Sunnetin e Pejgamberit a.s. e pastaj kanë marrë qëndrim islam për çështje të caktuara. Asnjë pikëpamje nuk e kanë thënë në mënyrë paushale apo nga koka e tyre, por të gjitha i kanë bazuar në burime islame. Armiqtë e islamit duan t’i hutojnë muslimanët dhe t’ua paraqesin se si themeluesit e medhhebeve i kanë çpikur medhhebet dhe kanë nxjerrë dispozita të cilat nuk janë nga Kur’ani dhe Sunneti, dhe përhapin propagandë se muslimanët nuk duhet t’i ndjekin, nga arsyeja se ata janë njerëz të rëndomtë, por duhet ndjekur Kur’anin dhe Sunnetin. Të themi kështu thjeshtë: “Sikur armiqtë e Islamit t’ia arrijnë t’i zhdukin medhhebet dhe ixhtihadin e dijetarëve të mëparshëm të cilët i kanë përpunuar mësimet e Kur’anit dhe të Sunnetit dhe ua kanë lehtësuar muslimanëve për ndjekje, qoftë edhe nëse ua lënë të ruajtur Kur’anin dhe Sunnetin pa shpjegim, këto dy burime do të ishin të paqarta dhe muslimanët nuk do të mund t’i kuptonin dispozitat islame. Ky lloj sulmi ndaj muslimanëve është aktual në këtë kohë, andaj ua tërheqim vërejtjen muslimanëve nga ata që flasin kundër medhhebeve dhe imamëve e fetarëve të mëdhenj siç kanë qenë Ebu Hanifja, Maliku, Shafiu, Ahmed ibn Hanbeli etj.. Medhhebet nuk janë tjetër, as më pak as më shumë, veçse përpunim dhe shpjegim i Kur’anit dhe Sunnetit. Porositë nga Kur’ani dhe Sunneti drejtpërdrejt mund t’i marrin dhe kuptojnë vetëm ata që kanë arritur gradën e ixhtihadit – muxhtehidët. E nuk mundën ata që këtë nuk e kanë arritur. Kjo pikëpamje, sigurisht do të jetë edhe më e qartë pas këtij punimi..... Vazhdon
Marre nga El-Ahnaf /KBI-Bujanoc.com/
1279 Shikime